1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Griechenland Euro

2 Shkurt 2010

Borxhet e larta të Greqisë dhe falsifikimi i statistikave ekonomike dhe buxhetore shkaktojnë trazira në tregjet financiare ndërkombëtare. Monedha e përbashkët euro ka humbur ndërkohë vlerën.

https://p.dw.com/p/LpEx
Hyrja e Greqisë në Eurozonë u bë me statistika jokorrekte
Hyrja e Greqisë në Eurozonë u bë me statistika jokorrekte

Euro ka humbur në krahasim me dollarin 8 përqind në vlerë

Në kohë krize sytë drejtohen nga Berlini. Ekonomia më e fortë e Europës duhet të mbajë peshën kryesore në një aksion shpëtimi për Greqinë e dobët. Fundja nuk është fjala vetëm për të penguar falimentimin shtetëror të Greqisë, por edhe dëmin masiv për monedhën e përbashkët euro. Dëmi është tashmë konkret. Që prej fillimit të dhjetorit, euro në krahasim me dollarin ka humbur 8 përqind në vlerë. Nga ana tjetër në mesin e janarit kërkesa për bonot miliardëshe të thesarit e tejkaloi disafish ofertën. Shkaku është i qartë. Grekët ofruan interes me katër përqind më shumë se norma e interesit të bonove gjermane të thesarit, të cilat përbëjnë vlerën e referencës për marrjen e kredive shtetërore në vendet e euros.

Për investorët ky është një biznes i mirë, meqë në tregje kjo konsiderohet si zgjidhje për të ndihmuar Greqinë. Ekzistojnë shanse për biznese të tjera të mira, sepse me një borxh shtetëror prej më shumë se 300 miliardë eurosh – 113 përqind të produktit të brendshëm vjetor bruto – qeveria në Athinë këtë vit duhet të shlyeje 54 miliardë euro përmes huave. Kësaj i shtohet edhe mbulimi i deficitit të sivjetëm në buxhetin shtetëror. Pesha e interesit po i merr frymën Greqisë.

Greqia hyri në Eurozonë me statistika të falsifikuara dhe ka vazhduar falsifikimet

Grekët kanë jetuar përtej kushteve të tyre dhe janë vetë përgjegjës për gjendjen e arritur. Nga ana tjetër vendet e tjera të euros dhe Banka Qendrore Evropiane nuk e kanë ndjekur situatën sa duhet, por u kanë besuar shifrave nga Athina. Në këtë mënyrë Greqia me statistika të falsifikuara ka hapur rrugën drejt Eurozonës dhe jo vetëm që ka administruar keq, por ka vazhduar të bëjë falsifikime. Në krizën e përgjithshme financiare dhe ekonomike - dhe kështu në një moment të papërshtatshëm - mashtrimi është zbuluar.

Shtator 2001 - guvernatori i Bankës së Greqisë, Papademos i prezanton shtypit kartëmonedhat e Euros
Shtator 2001 - guvernatori i Bankës së Greqisë, Papademos i prezanton shtypit kartëmonedhat e EurosFotografi: AP

Deficiti shtetëror grek arriti vitin e kaluar në 12,7 përqind të produktit të brendshëm bruto; sipas kritereve të stabilitetit të euro-s kufiri maksimal është tre përqind. Falimentimi shtetëror mund të shmanget me një program kursimesh të rrepta apo me ndihmë nga jashtë. Qeveria në Athinë ka shpallur masa të rrepta kursimesh në shpenzimet shtetërore dhe në sigurimet sociale, por askush nuk beson se ajo do të ketë qëndrueshmërinë e duhur për të realizuar këtë program kundër popullsisë që rebelohet.

Edhe Irlanda, Spanja, Portugalia dhe Italia kanë jetuar përtej mundësive të tyre

Gjermania qysh me futjen e euros ka bërë rregullimin e buxhetit me dhimbje të mëdha dhe ka përmirësuar aftësinë për konkurencë. Anëtarë të tjerë të Eurozonës përkundrazi kanë lënë t'u ikin frenat nga duart. Greqia është një shembull shumë i veçantë. Shtete të tjera të euro-s në radhë të parë Irlanda, Spanja, Portugalia dhe Italia kanë jetuar përtej mundësive të tyre, duke shtuar malet e borxheve dhe duke humbur kapacitetin për të konkurruar. Çatia e euros po tronditet. Sepse nuk është më e mundur, si dikur të përmirësohet aftësia konkurruese duke çvlerësuar monedhën kombëtare në kurriz të të tjerëve.

Secili vend duhet të kryejë detyrat e veta të shtëpisë. Disa i kanë lënë ato pas dore dhe duhet t'i bëjnë me vonesë. Kredi ndihme nuk janë të parashikuara në marrëveshjen për mënyrën e të vepruarit në BE. Nese Greqia merr ndihmë, heret apo vonë në derë do të shfaqen kandidatë të tjerë të lëkundshëm, gjë që do të mbingarkonte BE në përgjithësi, dhe do të justifikonte një politikë joserioze buxhetore dhe financiare. Do të ishte sinjali i gabuar. Adresa e duhur, ku mund të drejtohej për ndihmë në nevojë Greqia është FMN-ja. Përpjekja, për të ndihmuar anëtarët e tjerë të BE-së nuk sjell asgjë.

Autor: Karl Zavadski

Redaktoi: Auron Dodi