1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Masat drastike të kursimit rëndojnë Greqinë

2 Shkurt 2010

Ekspertë grekë theksojnë për Deutsche Welle-n se programi i rreptë financiar i shpallur prej qeverisë greke, pa ndihmë direkte evropiane do t'i krijojë asfiksi dhe recesion ekonomisë greke. Ajo është e zhytur në borxhe.

https://p.dw.com/p/Lpgt
Kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu sqaron në Davos programin e qeverisë së tij
Kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu sqaron në Davos programin e qeverisë së tijFotografi: AP

Pak vende me kaq borxhe kanë arritur të rimëkëmben

Kriza e thellë financiare, që përjeton Greqia ka venë në sprovë jo vetëm ekonominë greke, por edhe vetë eurozonën me uljen e vlerës së monedhës së saj përkundrejt dollarit. Greqisë i japin kredi me vështirësi dhe me kosto shumë më të lartë edhe se Gjermania, falë kredibilitetit të humbur të ekonomisë së saj të zhytur në borxhe. Problemi financiar është aq i madh, sa që i bën ekspertët dhe analistët grekë të shohin me dyshim suksesin e “kursit të rreptë financiar” të adoptuar qeveria.

Ajo që u duk së fundi dhe nuk mund të vihet në dyshim është se gjendja e ekonomisë greke është e atillë që pak ekonomi të zonës së euros e kanë kaluar vitet e fundit. Ka një borxh mbi 120 % të Produktit Kombëtar Bruto,” thotë për Deutsche Welle-n eksperti i çështjeve ekonomike, Janis Angjelis, për të shtuar se “deri tani të dhënat statistikore tregojnë se pak vende që arritën në këtë nivel obligimesh përsa i përket borxhit arritën të rimëkëmben”.

Sipas tij “pavarësisht deklaratave që janë bërë se qeveria greke duhet t'ia dalë mbanë vetë përsa i përket përshtatjes financiare, është fakt se shërbimet komunitare po punojnë mbi një kuadër ofrimi të ndihmës së Brukselit, pasi problemi nuk ka të bëjë vetëm me Greqinë, por edhe me Spanjën dhe Portugalinë, bile edhe me Anglinë me borxhin e madh që ka”.

Rrezik për recesion nga masat e kursimeve

Por a nuk ekziston rreziku që me masat drastike financiare të shpallura ekonomia të hyjë në recesion dhe kostoja të jetë shumë më e madhe se edhe ajo e kushteve të rënda që mund të përmbajë një ndihmë direkte?

"Ekonomistët evropianë kanë nënvizuar faktin se në qoftë se qeveria greke do të arrijë të zbatojë Programin e Stabilitetit që ka shpallur rrezikon ta çojë ekonominë greke në moratorium, pezullim të shlyerjes së borxheve, pasi do ta privojë nga çdo resurs ekonomik, që do të mund ta mbajë gjallë për tre vitet e ardhshme. Është një çështje që diskutohet se si do të ofrohet ndihma ndaj ekonomive që vitet e ardhshme do të gjenden në të njejtën pozitë me atë greke,” thotë Angjelis, i cili e vlerëson si të domosdoshme dhënien e ndihmës para se të kompletohet programi i stabilizimit.

Rrezikun e recesionit nuk e përjashton edhe Jorgos Zanjas, presidenti i Këshillit të Ekspertëve të Ekonomisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i ministrit të Financave, Jorgos Papakonstandinu, që bën çmos të bindë partnerët evropianë për efikasitetin e programit të tij. “Edhe këtë eventualitet e kemi parashikuar, kemi gati planin B të masave” i thotë Deutsche Welle-s Zanjas, i cili më tej nënvizon se “Plani i Stabilitetit dhe i Zhvillimit është strukturuar në një mënyrë të tillë që të kurorëzohet me sukses” . “Ata që venë bast për falimentimin e vendit ose daljen e tij nga zona e euros do të zhgënjehen”, thotë edhe Panajotis Thomopullos, anëtar i Komisionit Monetar të Bankës së Greqisë.

Masat mund të ngjallin tensione sociale

Por asgjë nuk do të jetë e lehtë. Në fund të vitit 2012, pra brenda 3 vjetësh, sipas programit borxhi financiar duhet të ulet në 3% nga 12.7 % . Për këtë shteti do të shkurtojë në mënyrë drastike shpenzimet publike, do të ngrijë pagat mbi 2000 euro dhe do të shkurtojë çdo bonus deri në 10%. Ai do të fusë thellë dorën në xhepin e të gjithë taksapaguesve me reformën fiskale, që do të ndërmarrë shumë shpejt. Për këtë kërkohet “paqe sociale” dhe ka shumë mundësi që Papandreu, i cili kërkoi konsensus nga krerët e partive opozitare, t'i drejtojë apel edhe kombit. Qeveria druhet se masat do të ngjallin tensione sociale, kur veç protestës së stërgjatur të fermerëve më 5 dhe 6 shkurt do të ngrihen në grevë edhe punonjësit e zyrave fiskale dhe doganierët, që kundërshtojnë uljet e pagave. “Zgjidhja nuk është reduktimi i të ardhurave tona, por goditja e evazionit fiskal, e shpërdorimeve dhe ekonomisë informale,” thotë nënkryetari i federatës së nëpunësve shtetërorë Kostas Papandoniu.

“Sfidat me të cilat përballemi janë shumë të mëdha”, thotë edhe ministrja e Ekonomisë, Lluka Kaceli, e cila thekson nevojën që “ekonomia të hyjë në orbitë zhvillimi” dhe u hapi luftë bankave greke, që nuk krijojnë “likuiditetin e duhur për tregun” , pasi dhe me ndihmën prej 28 miliardë euro që u dha shteti blejnë bono thesari dhe rrisin fitimet e tyre.

Ecofin pritet të miratojë programin e Greqisë

Këshilltari ekonomik për Eurobank-ën, Harduvellas Gjikas thekson për DW se “kostoja e lartë e parasë bën që bankat të rrisin kamatat e interesit si për bizneset po kështu edhe për kredimarrësit privatë” dhe krijohet kështu një rreth vicioz për ekonominë. Kostoja e lartë e kreditimit –Greqia javën e kaluar siguroi 8 miliardë euro nga tregjet e huaja me 420 milionë euro më shumë në krahasim me një vit më parë- po kthehet në një lak tjetër pas atij të borxhit të lartë për ekonominë. “Tregjet nuk bëjnë pas, përsa kohë ka pasiguri në lidhje me atë nëse do të mbështetet ose jo ekonomia greke” thotë eksperti bankar duke përmendur vlerësimin e agjencisë Moody's “për vdekje të ngadaltë” të ekonomisë greke.

Ndërkohë sinjalet që vijnë nga Brukseli, i cili më 16 shkurt në Ecofin do t'i japë dritën jeshile programit grek, tregojnë se Greqia nuk do të lihet vetëm. Do të jetë veçse në mbikqyrje të rreptë me teste tremujore. I pari, më 15 mars, do të jetë sigurisht i një rëndësie të veçantë për kredibilitetin e saj.

Autor: Niko Anagnosti/ Athinë

Redaktoi: Auron Dodi