1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Sport

Özili si simbol - edhe në Bullgari

Wildan Rifatova | Alexander Andreev
27 Korrik 2018

Edhe në minoritetin turk në Bullgari çështja Özil ka shkaktuar diskutime të nxehta. Shumë mund t'i kuptojnë veprimet e tij dhe kritikat për racizëm, por njëkohësisht Özilin e kritikojnë.

https://p.dw.com/p/32AhD
FIFA World Cup 2018 - Mesut Özil
Suedkorea - Deutschland 2:0.
Fotografi: picture-alliance/SvenSimon/F. Hoermann

Ish-trajneri i ekipit kombëtar të futbollit të Bullgarisë Lothar Matthäus u fotografua së fundi me Vladimir Putinin, gjë që thuajse nuk e tërhoqi vëmendjen në Bullgari. Krejt ndryshe ndodhi me fotografinë e Mesut Özilit me Erdoganin. Fotografia bëri efekt. Edhe tërheqja e tij nga kombëtarja gjermane e futbollit dhe kritikat për racizëm përballë Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) shkaktuan shqetësim të madh, veçanërisht te minoriteti turk, që përbën rreth 10 përqind të popullsisë bullgare. Mehmed Yumer, kryeredaktor i portalit informativ turko-bullgar "Obzor News", e shpjegon këtë fenomen: "Përmes Özilit, turqit bullgarë fitojnë më tepër vetëbesim. Gjithmonë ata mendojnë: ai luan edhe për Arsenalin dhe në njërin nga ekipet kombëtare më të forta të botës!"

Racizëm në Evropë?

FIFA WM 2018 - Mesut ÖzilSuedkorea - Deutschland 2:0.
Fotografi: picture-alliance/SvenSimon/F. Hoermann

Po kështu mendon edhe ekonomisti i sipërmarrjeve Orhan Mümün nga Haskova. Por ai shton: "Özili është një nga fytyrat e futbollit gjerman. Ai duhet të ishte menduar, përpara se të fotografohej me një autokrat si Erdogani". Por njëkohësisht Mümüni i kupton kritikat për racizëm të Özilit: "Vala e refugjatëve i ka dhënë një shtytje gjigande shovinizmit dhe nacionalizmit në Evropë." Ai thotë se për këtë ka kontribuar edhe propaganda ruse, e cila ka shpërndarë gjithë kohën gënjeshtra të trasha për refugjatët dhe për myslimanët.

Perëndimi nuk mund t'i kuptojë vlerat turke

Dentisti Fikri Gülestan e mbështet këtë mendim dhe i mbron veprimet e Özilit: "Për turqit "vatan", atdheu, është një përmasë e fiksuar. Prandaj nuk është as anormale dhe as amorale që të fotografohesh me Presidentin. Evropianët nuk mund ta kuptojnë, vlerat lindore dhe perëndimore janë të ndryshme. Zor se do të refuzonte ndonjë turk që të dilte në fotografi me Presidentin. Po ta kishte refuzuar Özili, të gjithë turqit do të qenë fyer". Edhe politikani lokal, Kadir Mustafov nga Karxhali e quan fotografinë me Erdoganin në rregull: "Nëse do ta kisha bërë personalisht, nuk e di, por turqit në Bullgari dhe në të gjithë botën e mbështesin Özilin. Në sytë e turqve në Gjermani ai është hero, sepse për të prejardhja etnike është mbi të gjitha".

Nacionalizmi kudo

Por te turqit bullgarë nuk mungojnë as zërat kritikë. Inxhinjeri i ndërtimit Veli Sakir flet për "neonacionalizëm turk", viktimë e të cilit është Özili i zhgënjyer. Ai duhet të kishte dalë në fotografi me Merkelin dhe jo me Erdoganin, mendon Sakiri dhe shton: "Ai ka harruar, se cili vend e bëri yll botëror! Nga kjo përfiton edhe Erdogani, i cili ka fituar votat e punëtorëve migrantë. Megjithëse: ata vërtet e mbështesin, por në asnjë mënyrë nuk duan të kthehen në Turqi".

Fikri Gülestani flet hapur për një problem integrimi - në Bullgari, në Gjermani, por edhe në mënyrë globale: "Özili është kthyer në një simbol, një simbol për problemet e integrimit të minoriteteve".