1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

300609 Migranten Krise Folgen

1 Korrik 2009

Sipas një studimi të OECD-së në rrafsh ndërkombëtar migrantët i ndjejnë fort pasojat e krizës dhe recesioni do të bëjë që numri i punëtorëve emigrantë të pakësohet.

https://p.dw.com/p/Iem1
Gra nga Turqia pas pazarit
Edhe pse Gjermania ka pasur pak emigracion ata janë më të prekurit nga krizaFotografi: picture-alliance/ dpa

Ka 20 vjet që përsëriten të njëjtat pamje: gjithnjë e më shumë emigrantë mësyjnë drejt tregut evropian të punës. Ata ndihmojnë që vendet e industrializuara të mbushen hapësirat e lira në tregun e punës. Kjo tendencë do të ndryshojë, thonë ekspertët e Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik në Evropë, OECD. Në raportin aktual për migracionin ata presin për herë të parë pas viteve 80-të pakësimin e numrit të migrantëve. Shkak për këtë është kriza globale financiare dhe ekonomike.

Në Gjermani migracioni nuk ka luajtur ndonjë rol të madh si në vendet e tjera, por megjithatë migrantët në Republikën Federale të Gjermanisë po i ndjejnë pasojat e krizës, thotë eksperti i OECD-së Thomas Liebig.

"Gjermania ka pasur edhe para krizës pak migracion. Por në Gjermani migrantët janë goditur nga shkalla e lartë e papunësisë. Qysh para krizës ajo ka qenë dy herë më e lartë se në radhët e jomigrantëve" - thekson Liebig.

Emigrantë janë të parët që humbasin vendin e punës

Shkalla e lartë e papunësisë në radhët e migrantëve ka vite që është pranishme në Gjermani. Ndërkaq në vendet e tjera ajo është shfaqur me krizën ekonomike.

Studimi i OECD-së tregon pasojat dramatike: njerëzit me sfond migrimi janë të parët të cilët humbasin vendin e tyre të punës. Për shembull në Spanjë dhe Irlandë. Që prej fillimit të krizës atje numri i migranëtve të papunë është dyfishuar. Shkak për këtë është se migrantët punojnë kryesisht në fushat e goditura rëndë nga kriza siç janë ndërtimtaria dhe turizmi. Shpesh raportet e tyre të punësimit janë të pasigurta dhe konratat e punës të kufizuara.

Një qendër për këshillimin e emigrantëve në Hamburg
Një qendër për këshillimin e emigrantëve në HamburgFotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

Në kohë krizash integrimi mbetet tema kryesore

Ekspertët e OECD-së druhen se migrantët do të jenë edhe për një kohë të gjatë humbësit e kësaj krize. Ata këshillojnë shtetet anëtare të OECD-së që përmes programeve përkrahëse ta evitojnë këtë: "Eshtë e qartë që në kohë krizash integrimi mbetet tema me peshë kryesore. Bile do të duhej që të shtohen ndihmat për integrimin. Kjo për faktin se emigrantët e kanë më të vështirë të përfitojnë nga lulëzimi ekonomik".

Konkretisht kjo do të thotë që qeveritë duhet të investojnë në masat për kualifikimin e migrantëve, pra në mësimin e gjuhës dhe përgatitjen e mëtejshme profesionale. Në këtë drejtim duhet të investojë shumë edhe qeveria gjermane. Kjo për faktin se në Gjermani kanë ardhur para së gjithash migrantë me kualifikim të ulët, të cilët sipas mendimit të ekspertëve të OECD-së duhet të mbështeten posaçërisht gjatë kohës së krizës. Kështu ata do ta kenë më të lehtë riinkuadrimin në tregun e punës.

Evropa ka nevojë për emigrantë për shkak të plakjes së popullsisë

Përveç kësaj ekspertët e OECD-së theksojnë që Gjermania në të ardhmen ka nevojë për migrantë të tjerë për tregun e saj të punës. Gjatë viteve të kaluara popullsia në Gjermani ka shënuar tkurrje në dallim nga shumica e vendeve të tjera të OECD-së. Gjermania do të ketë nevojë për migrantët vitet e ardhshme për shkak të plakjes së shoqërisë.

Western Union
Fotografi: AP

Një ndikim tjetër i krizës ndaj emigrantëve ka të bëjë me të afërmit e tyre në vendlindje. Sipas vlerësimeve të OECD-së kanë rënë dukshëm remitancat ose siç njihen ndryshe dërgesat e parave të migrantëve në vendlindje.

Në parim OECD u tërheq vërejtjen vendeve anëtare që të mos vetëizolohen nga migracioni. Migracioni nuk funksionon si rubinet uji që mund të mbyllet dhe hapet sipas dëshirës. Masa të tilla si një ndërprerje e përgjithshme e pranimit të migrantëve do të ishte një sinjal i gabuar. Vendet e OECD-së kanë nevojë për një strategji afatgjatë emigracioni.

Autor: Matthias Ebert/Esat Ahmeti
Redaktor: Pandeli Pani