1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çmimi Nobel në Ekonomi për tre ekonomistë amerikanë

10 Tetor 2022

Çmimi Nobel në Ekonomi i jepet këtë vit ish-kryetarit të Rezervës Federale të SHBA Bernanke dhe dy ekonomistëve amerikanë, Diamond dhe Dybvig. Ata shpërblehen për kërkimet e tyre mbi bankat dhe krizat financiare.

https://p.dw.com/p/4HzZN
Wirtschaftsnobelpreis - Medaille
Fotografi: dpa

Çmimi Nobel në Ekonomi u jepet këtë vit tre ekonomistëve amerikanë Ben Bernanke, Douglas Diamond dhe Philip Dybvig. Kjo u bë e ditur nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në Stokholm.

Ish-kryetari i Rezervës Federale (Fed) Bernanke dhe dy ekonomistët e tjerë e marrin nderimin prestigjioz "për kërkimet e tyre mbi bankat dhe krizat financiare", tha në konferencë Sekretari i Përgjithshëm i Akademisë Hans Ellegren.

Tre studiuesit kanë hedhur themelet e kërkimeve moderne mbi bankën, rregullimin dhe menaxhimin e krizave, tha Akademia në nderimin e shkencëtarëve. Ata treguan "pse është absolutisht e nevojshme të shmangen dështimet e bankave".

Çmimi ofrohet nga Riksbanka suedeze

Ndryshe nga çmimet e tjera, Çmimi Nobel në Ekonomi nuk rrjedh drejtpërdrejt nga vullneti i Alfred Nobel, themeluesit të çmimit. Ai u themelua në vitin 1968 nga Banka e Suedisë në kujtim të Alfred Nobelit dhe është dhënë që nga viti 1969. Këtë vit, të gjitha çmimet Nobel janë të pajisura sërish me dhjetë milionë korona suedeze. Kjo aktualisht është e barabartë me afro 914.000 euro. Çmimet Nobel ndahen tradicionalisht më 10 dhjetor, ditën kur vdiq Nobeli .

Vitin e kaluar, çmimi prestigjioz iu dha David Cardit, Joshua Angristit dhe Guido Imbensit, tre ekonomistë që punojnë në SHBA - foto e tyre
Vitin e kaluar, çmimi prestigjioz iu dha David Cardit, Joshua Angristit dhe Guido Imbensit, tre ekonomistë që punojnë në SHBA.Fotografi: Claudio Bresciani/TT/imago images

Vitin e kaluar, çmimi prestigjioz iu dha David Cardit, Joshua Angristit dhe Guido Imbensit, tre ekonomistë që punojnë në Shtetet e Bashkuara. Në përgjithësi, çmimi Nobel në Ekonomi u jepet ekonomistëve që janë nga ose bëjnë kërkime në Shtetet e Bashkuara. Deri tani, i vetmi fitues gjerman në këtë kategori ka qenë shkencëtari i Bonn-it Reinhard Selten. Ai e mori çmimin në 1994 së bashku me John Nash dhe John Harsanyi për punën e tyre pioniere në teorinë e lojërave jobashkëpunuese.

aud (tgsch)