1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë pret Kina nga zgjedhjet në SHBA

9 Tetor 2024

Cilin dëshiron Pekini në Shtëpinë e Bardhë? Harris dhe Trump kanë avantazhe dhe disavantazhe nga këndvështrimi kinez, shkruan Alexander Görlach.

https://p.dw.com/p/4laKU
USA, Philadelphia | Trump-Harris Präsidentschafts-Debatte
Fotografi: Brian Snyder/REUTERS

Në përvjetorin e themelimit të Republikës Popullore, 1 tetor, Xi Jinping mbajti një fjalim si çdo vit. Ashtu si vitet e kaluara, lideri kinez foli edhe për Tajvanin. Xi pohon se republika ishullore është pjesë e Republikës Popullore, gjë që nuk është e vërtetë, pasi Partia Komuniste Kineze nuk e ka qeverisur kurrë ishullin. Ishulli i qeverisur në mënyrë demokratike është një gjemb në krahun e Xi-t, sepse ai ka frikë se shembulli i lirisë i dhënë nga 23.5 milionë tajvanezët mund të nxisë popullin e Republikës Popullore të ndjekë shembullin e tij.

Ekspertët ushtarakë e shohin vitin 2027 si një vit të mundshëm për një sulm ndaj Tajvanit. Thuhet se deri atëherë do të përfundojë modernizimi i ushtrisë kineze. Faktori vendimtar në llogaritjet e Pekinit ka të ngjarë të jetë nëse SHBA i vijnë në ndihmë aleatit të tyre Tajvanit. SHBA janë të detyruara ligjërisht ta bëjnë këtë në rast të një sulmi kinez. Presidenti Biden ka këmbëngulur vazhdimisht se ai do t'i vinte në ndihmë Taipeit në rast të një sulmi, por pa zbuluar saktësisht se çfarë forme do të merrte përfundimisht kjo mbështetje.

Për Pekinin, kalibrimi i kësaj çështjeje nuk varet vetëm nga kush do të fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor. Nëse do të jetë Donald Trumpi, marrëdhëniet mes të dy vendeve mund të përkeqësohen edhe më tej. Në të njëjtën kohë, Trumpi është treguar i cënueshëm gjatë kohës së tij si president, gjë nga e cila Pekini mund të përfitonte. Trumpi u shoqërua nga Xi dhe u argëtua me bollëk në një sallë me dekorime ari luksoze. Për më tepër, Trumpi tha vazhdimisht dhe në mënyrë të rreme se janë tajvanezët ata që po i eleminojnë vendet e punës në SHBA në industrinë e mikroprocesorëve, në të cilën Tajvani ka qenë pionier global për dekada. Në fund të fundit, Pekini ka të ngjarë të arrijë në përfundimin se një administratë e dytë Trump mund të nënkuptojë mundësinë e një "marrëveshjeje" me Tajvanin. Megjithatë, në të njëjtën kohë, një mandat i tillë do të shoqërohej me çrregullim dhe kaos, gjë që nuk pëlqehet aspak në Pekin.

Objektivi: ndarja e Perëndimit

Në Pekin është e qartë se nuk do të ketë kaos apo çrregullim nën Kamala Harris-in. Megjithatë, një presidencë e Harris-it do të thotë gjithashtu një vazhdim i politikës së administratës Biden për Kinën, e cila e sheh Kinën si një konkurrente dhe rivale. Kamala Harris gjithashtu ka të ngjarë të vazhdojë kursin e Biden-it për çështjen e Tajvanit dhe të vazhdojë të konsolidojë dhe zgjerojë të gjitha aleancat në Azi.

Është një pjesë thelbësore e strategjisë së Xi Jinping-ut të përçajë aleatët perëndimorë dhe t'i bindë ata të miratojnë pozicione të ndryshme. Me Presidenten Harris, aleanca atlantike do të forcohej dhe do të ishte e vështirë që të kishin sukses përpjekjet për ta përçarë. Sanksione evropianne, përveç atyre amerikane, të cilat padyshim do të pasonin një sulm, ekonomia kineze nuk do t'i përballonte dot.

Alexander Görlach
Alexander GörlachFotografi: Privat

E gjithë kjo sugjeron se koha e mundshme e njëagresioni kinez kundër Tajvanit demokratik varet jo aq nga faktorë të brendshëm, se të jashtëm. Pekini nuk dëshiron të përfshihet në një luftë kundër SHBA dhe aleatëve të saj evropianë të NATO-s. Nëse Trumpi zgjidhet, Xi mund të ketë sukses në përçarjen e aleancës perëndimore. Megjithatë, marrëdhënia e Uashingtonit me Republikën Popullore ka të ngjarë të përkeqësohet më tej nën presidencën e Trumpit. Kina do të ishte në një pozitë shumë më të mirë me Kamala Harrisin si Presidente e SHBA sesa nën Donald Trump-in.

Alexander Görlach është anëtar i lartë (senior fellow) në Këshillin Carnegie për Etikën në Çështjet Ndërkombëtare dhe Adjunct Professor në Shkollën Gallatin të Universitetit të Nju Jorkut, ku ai jep mësim teorinë demokratike. Pas periudhave kur ka jetuar në Tajvan dhe Hong Kong, ky rajon i botës, veçanërisht ngritja e Kinës dhe çfarë do të thotë për demokracitë në Azi, u bë fokusi i tij. Ai ka mbajtur poste të ndryshme në Universitetin e Harvardit dhe në universitetet e Kembrixhit dhe Oksfordit. Alexander Görlach jeton në Nju Jork dhe Berlin.