1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çeki: Petr Torák – romi i parë, që bëhet konsull nderi

16 Shkurt 2021

Familja e romit çek Petr Torák ishte arratisur në Britaninë e Madhe nga sulmet e neonazistëve. Në këtë vend Petr bëri karrierë. Tani ai është emëruar konsull nderi i vendit të origjinës.

https://p.dw.com/p/3pOXo
Großbritannien Honorarkonsul der Tschechischen Republik Petr Torák
Fotografi: Privat

Ai është rom çek. Në Britaninë e Madhe. Para më shumë se njëzet vjetësh familja e tij u largua nga Liberec (Reichenberg) në Boheminë veriore prej sulmeve të neonazistëve çekë dhe kërkoi azil në Britaninë e Madhe. Tani Petr Torák është romi i parë çek, që emërohet Konsull Nderi i vendit të tij të lindjes.

Një jetëshkrim shumë sensacional. Sepse në Çeki jo vetëm që anticiganizmi është shumë i përhapur në mesin e popullatës, por edhe politikanët shprehen herë pas here në mënyrë përbuzëse apo raciste për romët. Deri te Presidenti Milos Zeman, i cili tha disa vjet më parë, se në komunizëm romëve "të paktën u duhej të punonin".

39 vjeçari Torák ka patur një jetë mjaft aktive. Pas përfundimit të shkollës ai studioi juridik në Çeki. Në vitin 1999 familja e tij u largua në Britaninë e Madhe për shkak të sulmeve të vazhdueshme të dhunshme. Atje Torák fillimisht punoi si ndihmës në një restorant, më vonë përfundoi studimet në drejtësi. Ai tani ka bërë një karrierë të jashtëzakonshme në polici. Për shërbimet e tij si oficer policie Mbretëresha Elizabeth II i dha atij në vitin 2015 urdhërin e Perandorisë Britanike (MBE). Në fund të vitit që shkoi, ai u emërua nga Ministria e Jashtme Çeke konsull nderi në Peterborough, një qytet me 180.000 banorë në Anglinë Qendrore.

"Torák i plotëson të gjitha kriteret"

Nga njëra anë kjo është një njohje e meritave të Torák. Si oficer policie dhe duke punuar në projektet për migrantët, gjatë viteve të fundit ai është kujdesur shumë për bashkatdhetarët në Britaninë e Madhe. Por ka edhe arsye shumë praktike për emërimin e tij si konsull nderi. Çekia dëshiron të forcojë përfaqësitë e saj diplomatike në Britaninë e Madhe, duke zgjidhur problemet e gati 100.000 çekëve, që jetojnë aktualisht në Britani. Ashtu si qytetarët e tjerë të BE ata duhet të aplikojnë për statusin e qëndrimit (settled status) në 1 korrik të këtij viti. Deri në mesin e janarit vetëm 50.000 shtetas çekë e kishin përfituar këtë status.

Großbritannien Honorarkonsul der Tschechischen Republik Petr Torák
Fotografi: Privat

"Në rajonin Peterborough ka disa mijëra shtetas çekë. Unë mendoj se Petr Torák si konsull nderi do të na ndihmojë veçanërisht në komunikimin me bashkëqytetarët tanë, në mënyrë që të mos u krijohen probleme si rezultat i Brexitit", i tha DW Ministri i Jashtëm çek Tomáš Petříček.

"Konsujt e nderit punojnë në bazë vullnetare. Shumica e tyre janë njerëz që kanë lidhje me Çekinë, shpesh bashkatdhetarë, që kanë kontakte në vend. Petr Torák i përmbush të gjitha kriteret e përmendura", shton kreu i diplomacisë çeke. "Kur Britania e Madhe të konfirmojë emërimin e tij, ai do të jetë romi i parë në këtë pozicion në historinë e Çekisë", thotë Petříček.

Romët çekë janë të suksesshëm në Britaninë e Madhe

Vetë Petr Torák e sheh emërimin e tij si konsull nderi konfirmim të suksesit të komunitetit çek rom në Britaninë e Madhe. Vlerësohet se romët çekë përbëjnë rreth dy të tretat e të gjithë qytetarëve çekë në Britani. Në dallim me Çekinë shumica e romëve në Britaninë e Madhe kanë gjetur një punë, thotë Torák për DW. "Fëmijët romë shkojnë në shkollë dhe nuk kanë asnjë problem, sepse mësuesit këtu janë në gjendje të mësojnë fëmijë, që nuk flasin anglisht, kur vijnë në shkollë. Dhe ata janë mësuar me fëmijë nga e gjithë bota."

Në Britani jo vetëm që ka një sistem social më të mirë se në Çeki, por në rradhë të parë romët janë shumë më pak të diskriminuar. "Romët nuk janë të etiketuar këtu, ata nuk dëgjojnë fyerje ose ofendime nga politikanët. Në Britaninë e Madhe ndjehesh menjëherë pjesë e së gjithës. Shoqëria e mat njeriun me sjelljen, pavarësisht nëse është rom apo mysliman", thotë Petr Torák.

Frymëzim për romët në Çeki

"Do të bëj një kurs të shkurtër trainimi në Ministrinë e Jashtme çeke dhe shpresoj që do ta hapim konsullatën këtë muaj", thotë Torák. "Unë atëherë do të jem romi i parë në botë, që do të shërbej si Konsull Nderi", shton ai me krenari.

Torák shpreson që shembulli i tij dhe sukseset e romëve çekë në Britaninë e Madhe do të ndikojnë edhe te romët në Çeki. "Do të ishte mirë", thotë ai, "që shembujt nga Britania e Madhe të frymëzonin të rinjtë romë në Çeki."

 

Një burrë bjond, me xhaketë gri me kuadrata dhe këmishë të bardhë, që shikon në drejtim të kamerës.
Lubos Palata Korrespondent dhe reporter nga Praga