1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zjarret në Shqipëri: Situata në përmirësim

Arben Muka 30 Korrik 2007

Ministri i Mjedisit Lufter Xhuveli deklaroi të hënën pasdite se më problematike mbetet gjendja në pjesën verilindore të vendit në Pukë, Kukës e Bulqizë, si edhe në Berat e pyjet e Sotirës në Gjirokastër.

https://p.dw.com/p/BNfv
Vazhdon lufta me zjarrin në ShqipëriFotografi: AP

Harta me zonat që janë nën flakë është zvogëluar në 48 orët e fundit. Ministri i Mjedisit prof. Lufter Xhuveli, duke folur për mediat të hënën pasdite u shpreh për një përmirësim të situatës, falë mobilizimit të ekipeve të emergjencës, të autoriteteve të pushtetit lokal, apo dhe vetë banorëve të zonave përreth.

Megjithatë prof. Xhuveli përmendi disa pjesë ende problematike, ku gjuhët e flakëve jane prezente dhe po bëjnë kërdinë në mjedisin përreth, duke qënë dhe risk për banorët që gjenden ne nje rreze të afert me zjarret. Sipas tij e vështirë mbetet situata „në pjesën verilindore të vendit në pyjet e kullotat e Pukës, Bulqizës, Kukësit, apo dhe në Berat apo dhe situata në pyllin e Sotirës në rrethin e Gjirokastrës“.

Terreni i thyer, mungesa e infrastrukturës për të çuar mjetet motorike zjarrëfikëse kanë favorizuar përhapjen e zjarreve në këto zona duke i lënë si të thuash në mëshirë të fatit deri sa të ndodhe vëtëshuarrja e flakëve.

Ministri i Mjedisit prof. Lufter Xhuveli deklaron se në krahasim me vitet e tjera këtë rradhë në përballimin e krizës së zjarreve ka më shumë bashkëpunim me komunitetin, ndaj dhe ai ka apeluar për kujdes dhe vëmendje „për informimin sa më të shpejtë nga ana e qytetarëve të ekipeve të shpëtimit apo shtabet lokale të emergjencës, të cilat janë në gatishmëri 24 orë“.

Për ekspertët e ministrisë së mjedisit në Tiranë ligji duhet të zbatohet rreptë ndaj të gjithë atyre personave që direkt apo indirekt janë përgjegjës për zjarrvënien dhe demet që shkaktohen. Jane me dhjetra kallëzime penale për personat që dyshohen se jane fajtorë për vënien me qëllim të zjarreve në pyje dhe kullota.