100410 Flugzeugabsturz Polen
10 Prill 2010Si shpesh në raste të tilla, fillimisht mbizotëroi konfuzioni për numrin e viktimave të aksidentit ajror, deri në orët e vonëta të paradites, kur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme polake indirekt saktësoi shifrën: "Tragjedia kapërcen përmasat e gjithçkaje, me të cilën kemi pasur të bëjmë ndonjëherë. E papërfytyrueshme, nuk mundemi ta marrim me mend. Të 88 pasagjerët në bord të avionit kanë humbur jetën. Në librat e historisë polake, kjo tragjedi do të jetë një faqe e zezë. Një tragjedi e papërfytyrueshme.“
Rrëzimi i avionit të qeverisë polake është një plagë e thellë edhe për jetën politike të Polonisë. Në bord të avionit krahas presidentit Lech Kaczynski gjendeshin edhe personalitete të tjera drejtuese të vendit. Sipas njoftimeve në televizionin polak, guvernatori i Bankës Qendrore polake, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, shefi i autoritet polak për administrimin e dokumentave të ish-sigurimit të shtetit, politikanë, klerikë dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Goditje e rëndë - shuhen personalitete të shquara të elitës polake
"Ka vdekur elita e vendit tonë", citohet të ketë thënë ish - presidenti Lech Walesa. Ndërsa pasuesi i tij si president, Alexander Kwasniewski, tha: "Presidenti me bashkëshorten humbën jetën, një grup i madh parlamentarësh të shkëlqyer, komandanti suprem i ushtrisë polake, ipeshkvët e ushtrisë: çdo emër është një thikë në zemër."
Cinizëm i fatit - 70 vjet më parë në Katyn u zhdukën mijëra intelektualë polakë
Për shumë polakë është një goditje cinike e fatit, që tragjedia ndodhi pikërisht rrugës për në Katyn, ku 70 vjet më parë oficerë polakë dhe intelektualë të tjerë u pushkatuan me urdhër të Stalinit. Sipas polakëve, kjo ishte atëherë një përpjekje për të eliminuar krerët e vendit dhe për t'i prerë kokën polakëve në përgjithësi.
Kaczynski donte të kujtonte në Katyn viktimat polake, por edhe sovjetike të regjimit stalinist. Ndryshe nga takimi i kryeministrit polak Donald Tusk me homologun rus Vladimit Putin, takimi nuk do të kishte karakter zyrtar, por do të ishte një ceremoni përkujtimore kryesisht polake. 100 të afërm të familjeve të viktimave ishin nisur me tren; ata reaguan të tronditur nga lajmi dhe organizuan një meshë në Smolensk.
Guvernatori i rajonit Smolensk kishte informuar që në mëngjes se nuk kishte të mbijetuar nga rrëzimi i avionit. Rrëzimi ndodhi sipas tij në 10:50 sipas orës lokale. Gjatë zbritjes në aeroportin e Smolenskut, avioni i tipit Tupolev u rrëzua në një pjesë pylli dhe mori zjarr. Presidenti rus Medvedev urdhëroi ngritjen e një komisioni për hetimin e ngjarjes.
Kryeminstri polak Donald Tusk mblodhi qeverinë në një takim krize dhe u kthye para kohe nga pushimi i fundjavës në qytetin e lindjes Dansk. Sipas kushtetutës polake, në rast vdekjeje të kryetarit të shtetit funksioni i tij merret nga kryetari i parlamentit. Këtë funksion e mban aktualisht Bronislav Komorovski, nga partia e kryeministrit Tusk.
Autor: Jan Pallokat / Eliana Xhani
Redaktoi: Auron Dodi