1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zhvillime të mbara dhe jo të mbara shqiptare

Ani Ruci11 Prill 2006

Kemal Dervish, administratori i Programit të Kombeve të Bashkuara për zhvillim vlerëson angazhimin e qeverisë shqiptare për zhvillimin njerëzor dhe kritikon mungesën e bashkëpunimit mes pozitës dhe opozitës

https://p.dw.com/p/Argr
Të rinj tek piramida, 1998
Të rinj tek piramida, 1998Fotografi: AP


Kemal Dervish, administratori i Programit të Kombeve të Bashkuara për zhvillim, UNDP, i cili po viziton Tiranën i ka quajtur tepër inkurajuese anagazhimin e qeverisë për të arritur objektivat e Mijëvjeçarit të Ri dhe siguruar një zhvillim njerëzor në përputhje me to. Madje nga Tirana ai u ka bërë thirrje vendeve të tjera të rajonit të ndjekin shembullin e Shqipërisë.

Por nuk ka ndodhur kështu për klimën politike në vend. Gjatë një fjale që Kemal Dervish mbajti në Parlamentin e Shqipërisë, në një seancë të posaçme lidhur me dinamikat e zhvillimit të qëndrueshëm njerëzor, ai kritikoi mungesën e bashkëpunimit mes shumicës së djathtë parlamentare dhe opozitës së majtë, fenomen që vuri ai në dukje, gjeneron kriza politike.

"Kriza politike, tha Keaml Dervish, sjell frikë dhe pasiguri. Frika dhe pasiguria pengojnë investimet si nga shqiptarët ashtu edhe investitoret e huaj. Ndërkohë që gjithë rajoni është i interesuar për stabilitet politik dhe zhvilim".

Njëherazi me lëvdatat dhe kritikat, administratori i UNDP i ka sjellë Tiranës edhe një mbështetje më të madhe të Kombeve të Bashkuara në 5 vitet e ardhshme. Në prani të kryeministrit Sali Berisha, ai ka nënshkruar me titullarë të Ministrive përkatëse dokumentin zyrtar të realizimit të projektit për futjen e internetit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Shqipërisë.

Ky projekt shoqërohet edhe me treinimin për përdorimin e teknologjive të reja të informacionit. Programet e mbështetjes së Kombeve të Bashkuara ndaj Shqipërisë, të nënshkruara të martën në Tiranë nga Kemal Dervish, përfshijne edhe atë të fuqizimit të lidhjeve me diasporën për të krijuar kushtet e kthimit të trurit të emigruar nga Shqipëria gjatë këtyre 15 viteve të fundit.

Kombet e Bashkuara marrin përsipër të mbështesin Shqipërinë edhe në fushatën ndëkombëtare për nxitjen e turizmit kulturor dhe mjedisor që fillon këtë vit.