1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zhvillim i barabartë rajonal: Gjermania ndihmon pushtetin lokal në Maqedoni

26 Shkurt 2011

Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar i ofron mbështetje autoriteteve maqedonase për implementimin e politikave zhvillimore rajonale. Projekti “Zhvillimi ekonomik rajonal” do të ndihmojë në thithjen e fondeve.

https://p.dw.com/p/10Px2
Logoja e GIZ

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale me përkrahje të Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ, në të ardhmen do të punojë në implementimin e një politike të re që është e orientuar drejt zhvillimit të shtetit përmes zhvillimit të tetë rajoneve në Maqedoni. Projekti “Zhvillimi ekonomik rajonal” do të mbështetet nga shoqata gjermane në vlerë prej 2.4 milionë euro.Aktivitetet e këtij projekti në dy vitet e ardhshme do të orientohen drejt ndjekjes së politikave të zhvillimit të barabartë rajonal të vendeve rurale.Musa Xhaferi, ministër i Pushtetit Lokal shpjegon hapat për dy vitet e ardhshëm: "Interesi ynë do të përqëndrohet nga përcjellja e efekteve nga zhvillimi i barabartë rajonal, kapaciteteve administrative për tërheqje të investimeve, për implementimin e projekteve evropiane si dhe vendosjen e partneritetit midis institucioneve qeveritare, sektorit civil dhe atij të biznesit”.

Musa Xhaferi
Musa Xhaferi, ministër i Pushtetit Lokal në MaqedoniFotografi: Fatos Musliu

Zhvillimi jo i barabartë ekonomik i rajoneve pengon zhvillimin e vendit

Në fazën e dytë të realizimit të projektit “Zhvillimi ekonomik rajonal” do të përfshihen 43 komuna rurale, të cilat mbulojnë thuajse gjysmën e territorit të Maqedonisë. Ulrike Ganzer-Somer, drejtoreshë e Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ në Maqedoni, thotë se qeveria gjermane në dekadën e fundit ka përkrahur projekte zhvillimore në Maqedoni në vlerë prej mbi 110 milion euro. Zhvillimi jo i barabartë ekonomik rajonal ndikon në zhvillimin e tërësishëm ekonomik të vendit. “Përmes këtij projekti nga njëra anë dëshirojmë që t'i ndihmojmë Maqedonisë drejt përmbushjes së standardeve që kërkohen për anëtarësim në BE dhe nga ana tjetër dëshirojmë t'i përmirësojmë kushtet ekonomike dhe sociale në rajonet rurale.”

Qeveria gjermane ndihmon prej vitesh strukturat lokale

Ndërsa zëvendësambasadori i Gjermanisë në Maqedoni, Valter Lojks, thotë se qeveria gjermane ka një përkushtim të qartë shumë vjeçar të bashkëpunimit zhvillimor me institucionet në Maqedoni që kanë për qëllim plotësimin e standardeve të BE-së. “Qëllimi i këtij projekti para së gjithash ka të bëjë me përforcimin e strukturave nacionale dhe rajonale që janë të rëndësishme për zhvillimin e rajoneve.”

Skopje,Ulica Makedonija
ShkupiFotografi: DW

Ministri i Pushtetit lokal, Musa Xhaferi vë në dukje qëllimin e qeverisë: Që Maqedonia të vendosë një sistem i cili do të mund në tërësi të përkrahë politikën rajonale të BE-së dhe maksimalisht të shfrytëzojë mjetet nga fondet e BE-së. “Përmes krijimit të strukturave rajonale për zhvillim të shtetit rritet konkurrenca, interesi dhe mobiliteti për përgatitjen dhe aplikimin e projekteve konkrete me implementimin e të cilave do të ngrihen standardet në fushat e caktura në nivel evropian.” Projekti për zhvillimin rajonal ekonomik që mbështetet nga GIZ duhet të përfundojë në fund të vitit 2012.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi