1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

10 vjet pas trazirave në Paris

Elizabeth Bryant27 Tetor 2015

Që nga trazirat sociale të vjeshtës para dhjetë vitesh (27.10.2005) kanë ndryshuar shumë gjëra në periferitë e qyteteve franceze. Por ende migrantët ndjehen të diskriminuar në Francë.

https://p.dw.com/p/1Guij
Frankreich Clichy-sous-Bois 10 Jahre nach Unruhen
Clichy-sous-BoisFotografi: DW

Fotografite me fytyrat e qeshura të dy të rinjve janë risjellë sërish në gazetat franceze, emrat e tyre i sheh në skicimet në mure: "Zyed dhe Bouna ne nuk do t'iu harrojmë kurrë", shkruhet në njërin prej tyre.

Para dhjetë vitesh shpërtheu në periferitë e Parisit dhuna. Shkak u bë vdekja e 17 vjeçarit Zyed Benna dhe 15 vjeçarit Bouna Traore në një transformator elektrik, të dy të fshehur nga frika e policisë. Pas kësaj shpërthyen protesta në të gjithë Francën, ku u shkarkua i gjithë zemërimi për gjendjen sociale dhe ekonomike në periferitë e qyteteve franceze. Zona e Clichy -sous- Bois është kthyer në simbol të rrënimit të qyteteve dhe vështirësive që ka Franca për të integruar miliona emigrantë.

Dhjetë vite më pas kanë ndryshuar shumë gjëra. Në njërën nga arteriet kryesore rrugore bëhen ndërtime për një linjë të re metroje. Banesa moderne sociale kanë zëvendësuar kullat e pallateve të mbulura me shkarravina. Për pensionistin që vjen nga Maroku, Yahya Jaiel, lagja ka ndryshuar 100%. "Tani gjërat janë rregulluar", sqaron ai duke shtyrë karrocën e vogël me ullinj, nenexhik dhe veshje arabe. "Të rinjtë shkojnë në shkollë, nuk ka më probleme."

Frankreich Clichy-sous-Bois 10 Jahre nach Unruhen
10 vjet pas trazirave shihen ndërtesa të reja sociale, por ende nuk është zhdukur diskriminimiFotografi: DW

Shteti francez investoi miliarda në infrastrukturën e Clichy -sous- Bois dhe periferive të tjera të qyteteve franceze. Por jo gjithkund rezultati është njësoj. Këtë e ndjeu edhe presidenti francez, François Hollande javën e kaluar kur vizitoi njërën nga këto zona. Ai u prit me fishkëllima. "Në Republikën e Francës nuk ka lagje të humbura", u shpreh Hollande teksa vizitoi një agjenci të re për zhvillimin ekonomik që do të mbështesë lagjet e varfra të Clichy-sous- Bois. "Në qytetet e Francës nuk ka një qendër dhe pjesë të margjinalizuara. Ka vetëm një Francë dhe këtu duhet të garantohet barazia."

Vetëm premtime

Por shumë vetë nuk kanë besim tek këto fjalë. Megjithë përpjekjet për të tërhequr firmat në Clichy- sous -Bois, këtë lagje periferike të Parisit, papunësia aty ende është dyfish më e lartë se mesatarja kombëtare "Qeveria nuk ka bërë asgjë, vetëm premtime", thotë Mohamad Chachoua, shitës ullinjsh në treg. Ndërsa 18 vjeçari Mehdi Hasani, i cili dëshiron të bëhet elektriçist, thotë se "ende mbi ne rëndon imazhi i vitit 2005. Ne shihemi si kriminelë, dhe të varur nga droga. Po qe se je arab, njeri me ngjyrë apo turk e ke shumë të vështirë të gjesh një punë."

Frankreich Clichy-sous-Bois 10 Jahre nach Unruhen
Mohamad Chachoua, shitës ullinjshFotografi: DW

Probleme me transportin

Pierre Mouget drejton agjencinë "Mission Locale", e cila mbështet të rinjtë në kërkimin e një vendi pune apo kualifikimi. Ai e di se me cilat probleme luftojnë të rinjtë që vijnë nga zona si Clichy- sous- Bois. "Ne kemi një problem me transportin për shembull. Është shumë e vështirë të vish në Clichy. Kjo është një arsye pse shumë firma nuk vendosen këtu. Disa gjëra kanë ecur mirë, por ende vuajmë nga imazhi negativ që lanë pas ngjarjet e vitit 2005."

Atentatet e janarit kundër Charlie Hebdo nxorrën në pah sërish problemet e periferive franceze. Të tre atentatorët vinin nga familje migrantësh dhe ishin rritur në lagjet e periferisë së Parisit. Po ashtu eksodi i qindra francezëve të rinj në "Luftën e Shenjtë" është një sinjal se shumë të rinj francezë me origjinë arabe nuk e kanë gjetur ende identitetin e tyre. Në Francë janë shtuar shqetësimet se periferitë po kthehen në një vatër për ekstremizmin fetar"

Investime në rinovimin e lagjeve të periferisë

Në mars qeveria franceze nisi një plan aksioni për periferitë. Me këtë synohet një integrim më i madh përmes banesave të reja sociale dhe masave të reja kundër diskriminimit. Kritikët si Mehdi Bigaderne, zëvendëskryetar i bashkisë së Clicy-sous-Bois nuk i shohin të mjaftueshme këto plane. "Pyetja themelore është se pse kemi arritur deri këtu", thotë ai. "Të rinjtë që kryen këto akte kaq të tmerrshme barbare, nuk vijnë nga Iraku, as nga Algjeria apo Maroku. Ata ishin produkte të Francës. Pra është Republika franceze që i ka krijuar këta terroristë." Biganderne, i cili ka krijuar një organizatë humanitare ACLEFU akuzon qeverinë, si të majtët ashtu edhe të djathtët, se nuk kanë prekur thelbin e problemeve, por janë marrë vetëm me punime kozmetike.

Frankreich Clichy-sous-Bois 10 Jahre nach Unruhen
Mehdi Bigaderne, zëvendëskryetar i bashkisë së Clicy-sous-BoisFotografi: DW

Edhe në zyrën e ACLEFU qëndrojnë të varura fotografitë e Zyed dhe Bounas Të dy po ktheheshin nga futbolli kur u vunë në shënjestër të policisë. Në maj një gjykatë franceze i la të lirë dy policët që nuk bënë asgjë për të ndihmuar të rinjtë që u futën në transformator. Familjet e viktimave dhe shumë banorë të Clichy-sous-Bois janë të zhgënjyer. "Çdo vit ne vendosim lule para shkollës, ku shkonin dy të rinjtë", thotë kreu u këshillit të qytetit, Faycal Bouricha. "Askush nuk i ka harruar këtu ngjarjet e vitit 2005."