1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zhbllokim i dialogut Kosovë-Serbi apo vazhdim i status-quos

10 Korrik 2024

BE kërkon që Kosova e Serbia të dërgojnë komentet rreth zbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve. Por sipas analistëve nuk ka shpresa, se brenda një periudhe të shkurtër mund të shënohet progres.

https://p.dw.com/p/4i5Ki
Dy takimet e fundit që u zhvilluan në Bruksel përfunduan pa ndonjë rezultat. Kryediplomati i BE, Borrell shtrëngon duart me kryeministrin Kurti
Dy takimet e fundit që u zhvilluan në Bruksel përfunduan pa ndonjë rezultat.Fotografi: EU-Kommission

Kosova dhe Serbia kanë afat deri më 18 korrik t'u dërgojnë ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian komentet e tyre rreth rrugës së zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Dy takimet e fundit që u zhvilluan në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësit evropianë dhe në nivel kryenegociatorësh që synonin zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes, përfunduan pa ndonjë rezultat.

Më 2 korrik, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq, u takuan në Bruksel. Bislimi deklaroi pas takimit se pala serbe ishte e interesuar vetëm për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke njoftuar njëkohësisht, se megjithatë deri më 18 korrik "qeveria e Kosovës do t'i dërgojë komentet me shkrim mbi Marrëveshjen Bazë”. Sipas Bislimit, "aty pritet të dëshmohet se Serbia nuk po e respekton Marrëveshjen”. Nga ana tjetër kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka akuzuar Kosovën siç thotë "për mbytje të dialogut”.

BE nuk do të krijohet boshllëk për dialogun

BE ka vënë si afat datën 18 korrik për të hartuar një propozim të ri mbi këtë proces. Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian  janë pajtuar që t'ia zgjasin mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun  Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025. Pajtimi u arrit pasi që përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, e kishte emëruar Lajçakun si ambasador të BE-së në Zvicër, i cili ishte dashur të niste punën më 1 shtator, menjëherë pasi t'i skadonte mandati në rolin e lehtësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Takimi Vuçiq dhe Albin Kurti në Bruksel, 14.09.2023
Takimi Vuçiq dhe Albin Kurti në Bruksel, 14.09.2023Fotografi: EU-Kommission

Sipas zyrtarëve të BE-së, me vazhdimin edhe për pesë muaj të mandatit të Lajçakut në rolin e lehtësuesit të dialogut, BE-ja dëshiron të sigurojë që në këtë çështje të mos ketë boshllëk, derisa të emërohet pasardhësi i tij. Emërimi i pasardhësit të Lajçakut ndërlidhet direkt me procedurën për emërimin e udhëheqësve të rinj në institucionet e BE-së për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar. Në kuadër të paketës së këtyre emërimeve është edhe nominimi i kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas, në postin e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë, që do të ndërmjetësojë takimet e nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Kreu në largim i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka deklaruar se "përkundër ndryshimeve brenda strukturave të BE-së, detyrimet e Kosovës dhe Serbisë nuk do të hiqen”, duke ritheksuar se "normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në qendër të angazhimit evropian rreth Ballkanit Perëndimor”.

Konnjufca: Ndërlikime të panevojshme

Në lidhje procesin e normalizimit të marrëdhënieve, së fundmi kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, tha se "Serbia po i shkel parimet e marrëveshjes”. "Kjo çështja e pozicionit të Kosovës po ndërlikohet pa nevojë. E para marrëveshja përbëhet prej parimeve dhe çështjeve konkrete. Parimet e përbëjnë frymën e marrëveshjes. Parimet nuk kanë afat, nuk mund të thotë Serbia me Kosovën mund të sillet agresore dhe në një moment mund të bëhet fqinjë e mirë. Çështjet konkrete mund të kenë afate. Problemi është se Serbia po i shkel parimet e marrëveshjes”, tha Konjufca. Sipas tij, nuk mund të kesh barazi sovrane mes shteteve kur Ana Bernabiq dërgon letrën për të zhvlerësuar marrëveshjen.

Glauk Konjufca
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauck KonjufcaFotografi: DW

Dallimet e mëdha mes palëve pengojnë procesin

Ndërkohë analistët politikë nuk kanë shumë pritshmëri se mund të shënohet përparim në dialogun Kosovë-Serbi brenda një periudhe të shkurtër. Sidomos në këtë fazë dallimet ndërmjet palëve janë të mëdha. Këto dallime u vunë re edhe në përpjekjen  e fundit të BE-së që të ulë në një tavolinë Kurtin dhe Vuçiqin, por ata nuk pranuan të takohen kokë më kokë. Arton Demhasaj, analist politik i tha DW-së se "për aq kohë sa BE nuk vendos obligime dhe afate të qarta për palët për zbatim të marrëveshjeve të dakorduara, nuk pritet që të ketë zbatim të marrëveshjeve”.

"Nëse mbetet në vullnetin e palëve (Serbi dhe Kosovë) marrëveshjet nuk do të zbatohen asnjëherë siç edhe nuk janë zbatuar deri me tani. Do të ketë manovra politike  vetëm për ta fajësuar njëra tjetrën në sy të perëndimit dhe kaq. Prandaj, BE duhet të marrë rolin e ndërmjetësuesit duke vendos obligime të caktuara për secilën palë, dhe afate për secilin obligim e madje edhe ndëshkim për secilën palë që nuk zbaton obligimet në kohën e paracaktuar”, thekson Demhasaj. Sipas tij, "vetëm kështu mund të jetë i suksesshëm dialogu dhe mund të ketë zbatim të marrëveshjeve. Përndryshe edhe me datën 18 korrik thjesht mund të ketë komente nga palët që do të jenë krejtësisht të kundërta me njëra tjetrën dhe nuk do të mund të gjendet modalitet i zbatimit”. 

Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak duke ecur - Krerët e BE duke shkuar në takimin në Ohër, i cili u finalizua me Marrëveshjen e Ohrit, 19 mars 2023
Krerët e BE duke shkuar në takimin në Ohër, i cili u finalizua me Marrëveshjen e Ohrit, 19 mars 2023Fotografi: Idro Seferi/DW

"Marrëveshja e Ohrit nuk i jep palëve atë që kërkojnë, por iu jep detyra pa kushte"

Një analist tjetër, Blerim Burjani, i tha DW-së se udhëzuesi i BE-së ka qenë i qartë sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, pa dallim dhe pa ndonjë përparësi ndaj pikave të marrëveshjes. Ato duhet të zbatohen nga palët.  "Pra e tërë politika ndërkombëtare është koncentruar se si të fillojë zbatimi dhe të ndalen obstruksionet, të cilat vlerësohen si të pa papranueshme. Paraqitja e komenteve  unë e kuptoj më shumë si presion se sa si qëllim për të përmbushur palët obligimin ndaj  marrëveshjes. Kurti nuk do Asociacionin e Komunave serbe, kjo është qartë dhe ka pas shumë interpretime  dëshirore apo, edhe të gabuara rreth kësaj teme në Kosovë dhe jashtë saj”, thotë Burjani. Sipas tij, në Kosovë nuk ka konsensus nacional për ta themeluar siç e quan ai, këtë "Asociacion kontravers në kuptimin juridik dhe kushtetues”.

Marrëveshjen e Ohrit palët tentojnë ta minimizojnë dhe të bëjnë të pamundshme për t'u zbatuar, thekson Burjani. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit nuk i jep palëve atë që kërkojnë, por iu jep detyra pa kushte. Serbisë nuk i duhet një Asociacion pa kompetenca ekzekutive, ndërsa, Kosova e quan rrezik kushtetues  dhe të sigurisë nëse themelohet një entitet i ri juridik në veri e në 10 komuna serbe. Pra qasja e deritashme e ndërmjetësuesve e ka përmbysë këtë zbatim, dhe është e kotë te i lihet palëve faji, e më së paku Kosovës”, thotë Burjani. Sipas tij, BE gjendet para ristrukturimit pas zgjedhjeve atje dhe fati i dialogut do të varet nga strukturat e reja që do të formohen, sikundër që çfarë  qasje e re do te riformulohet.  

Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, ndonëse nuk është nënshkruar nga palët, Bashkimi Evropian e konsideron si marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe ka theksuar qartë se përparimi në zbatimin e saj është i lidhur ngushtë me përparimin e të dyja palëve në proceset integruese.