Gacek: Vëmendje e madhe ndaj çdo ankimi e rinumërimi votash
30 Prill 2021DW: Znj. Ambasadore, çfarë ju ka bërë përshtypje deri tani në zhvillimin e procesit zgjedhor për Zgjedhjet Parlamentare, 2021, që u zhvilluan të dielën e kaluar, më 25 prill, në Shqipëri?
Urszula Gacek: Besimi në sistemin zgjedhor që ka filluar të rikthehet. Partitë politike dhe votuesit morrën pjesë. Ajo çfarë do të ndodhë pas ditës së votimit është shumë e rëndësishme. Ne po ndjekim numërimin e votave për të parë, nëse njerëzit mendojnë që shifrat janë një reflektim i ndershëm i realitetit në kutitë e votimit. Do të shikojmë me shumë vëmendje çdo ankim apo rinumërim në ditët në vijim.
DW: Cilat janë sfidat kryesore që misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të ODIHR-it ka përballuar deri tani në vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare, 2021?
Urszula Gacek: Kemi pasur dy sfida kryesore: të parën pandeminë Covid -19, që na u desh ta merrnim parasysh për numrin e vëzhguesve, që do sillnim në Shqipëri, vendin se ku do t'i vendosnim, mënyrën sesi do të lëviznim. Për fat të mirë, në Shqipëri, nuk ka kufizime për udhëtimet brenda vendit. Natyrisht, pandemia ndikoi në mënyrën e punës sonë. Kemi realizuar shumë intervista ballë për ballë sidomos në rajone, ku njerëzit nuk përdorin platformën ZOOM. Por ia kemi dalë mbanë duke respektuar masat kufizuese dhe distancimit social. Sfida e dytë lidhet me përmbajtjen e punës sonë dhe ka të bëjë me numrin e madh të amendimeve dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që u bënë shumë vonë, në tetorin e kaluar dhe prandaj ka pasur shumë mospërputhje dhe paqartësi në raportin mes ligjit zgjedhor dhe rregulloreve.
DW: A ka prekur shit-blerja e votës besueshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor?
Urszula Gacek: Ne kemi pasur një shqetësim më të madh sesa shit-blerja e votës: keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore, qëndrimin e turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit. Lidhur me shit-blerjen e votës, është një dukuri për të cilën në zgjedhjet e mëparshme janë bërë rekomandime sesi të trajtohet. Duhet vënë në dukje që shit-blerja e votës nuk i përket një partie të veçantë. Nëse i referohemi informacioneve të besueshme, kemi 33 hetime për shit-blerje votash, që janë hapur para ditës së votimit. Pra nuk ka vetëm një fajtor. Dëmi që sjell shit-blerja e votës në perceptimin dhe besueshmërinë tek sistemi zgjedhor është i dyfishtë. ODIHR ka bërë rekomandime në zgjedhjet e mëparshme lidhur me shit-blerjen e votës. Njëri prej tyre është edukimi i njerëzve që nuk duhet ta shesin votën e tyre. Kemi parë një përpjekje të madhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, (KQZ) në këtë drejtim, komuniteti ndërkombëtar i pranishëm në Shqipëri, Këshilli i Europës, Ambasadat, shoqëria civile. Rekomandmi tjetër, është trajtimi i shkelësve të ligjit, që po e ndjekim me shumë vëmendje. Nëse dikush kapet që shet dhe blen votën ka rëndësi mënyra sesi e trajtojnë autoritetet rastin. Çdo rast duhet trajtuar me drejtësi dhe paanshmëri, që në të ardhmen njerëzit mos ta bëjnë këtë. Nuk është një dukuri që mund të zhduket vetëm në një proces zgjedhor, pra ka dy elemente: edukimin e votuesve dhe ndjekjen penale.
DW: Ambasador Gacek, më lejoni të rikthehem tek shqetësimi për keqpërdorimin e burimeve të administratës publike nga forca politike qeverisëse. A mund të ketë ndikuar në besueshmërinë dhe integritetn e procesit?
Urszula Gacek: Kur një forcë politike është në pushtet, ka gjithmonë një sërë avantazhesh natyrore, pasi mund ta tregojë veten më shumë. Nga ndjekja e fushatës në 12 qarqet e Shqipërisë me vëzhguesit tanë ndërkombëtarë kemi konstatuar që të gjithë aktorët politikë mbanin fjalime. Nisur nga përmbajtja e tyre, askush nuk mund të hedhë poshtë që biznesi i qeverisë vazhdoi psh. kur dikush shkon hap spitale apo përuron shkolla. Ka patur vizitata inspektuese, të shpeshta nga ministra në objekte të caktuara dhe përdorur ato për fushatë elektorale. Media shqiptare, nga vëzhgimet tona, e ka parë këtë si pjesë të fushatës zgjedhore të partisë në pushtet. Por kur ke logon e partisë në maskën anti-Covid , nëse je duke mbajtur fjalim dhe thua "Më votoni” atëhere kjo nuk është e lejueshme, e kapërcen kufirin e së lejueshmes. Pra, është fakt që partia në pushtet ka disa avantazhe. Çështja është nëse mund ta përmbash, kufizosh veten që t'i përdorësh këto avantazhe brenda kufirit të lejueshëm. Misioni ynë po analizon pikërisht këtë, nëse ligji zgjedhor e ndalon këtë praktikë, pasi ligji është më strikt sesa rregulloret dhe udhëzimet. Ka paqartësi në ligjin e ri zgjedhor që do t'i shikojmë në detaje.
DW: Çfarë mund të thoni për pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim?
Urszula Gacek: Nuk kemi qenë kaq shumë të interesuar për përqindjen e pjesëmarrjes së zgjedhësve në votime. Për dy arsye: Së pari shifrat zyrtare të pjesëmarrësve në votim mund të jenë më të ulëta se 3.6 milionë zgjedhës që figurojnë në listat e zgjedhësve. Kemi të dhëna zyrtare që jashtë Shqipërisë jetojnë rreth 1.6 milionë shqiptarë. Nëse heqim nga kjo shifër fëmijët dhe njerëzit që për arsye të ndryshme nuk kanë të drejtën e votës, atëherë mbeten 1 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë me të drejtë vote që janë në listat e zgjedhësve. Për shkak të kufizimeve për udhëtim nga pandemia Covid-19, që janë kufizime ndërkombëtare, ata nuk vinin për të votuar. Ndërkohë nuk ka ende dispozita për votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të tyre, gjë që nuk përbën një standard ndërkombëtar. Në qendrat e votimit, ku isha të dielën e kaluar, njerëzit ishin të interesuar për të votuar, ndërkohë që mendoj se shqiptarët jashtë vendit nuk kanë të njëjtin interes.
Arsyeja e dytë është që fokusi ynë pas mbylljes së votimit është tek procesi i numërimit, që këtë vit është më i komplikuar pasi në fillim duhen numëruar sesa mandate ka marrë secila parti dhe pastaj duhet vendosur, se cili kandidat duhet të marrë mandatin duke patur parasysh opsionin e votës preferenciale që aplikohet për herë të parë në Shqipëri. Një tregues interesant janë votat e pavlefshme që mund të na dëshmojnë sesa të informuar kanë qenë zgjedhësit sesi do të votonin nga pikëpamja teknike. Ka pasur disa programe për edukimin e votuesve që u zbatuan me vonesë. Pyetja që ngrihet është nëse këto programe kanë qënë të mjaftueshme apo jo. Votat e pavlefshme janë tregues i problemeve që do të përfshihen në rekomandimet tona në raportin përfundimtar.
DW: Znj. Ambasadore, ju po flisni për rekomandime. Ju lutem a mund të ndalemi tek rekomandimet e misioneve vëzhguese të OSBE / ODIHR-it për zgjedhjet e mëparshme që nuk janë adresuar dhe që kanë ndikuar në procesin e tanishëm zgjedhor dhe sidomos tek votuesit?
Urszula Gacek: Kam parë rekomandimet e mëparshme të OSBE/ODIHR-it. Shumë prej tyre janë adresuar plotësisht apo pjesërisht. Por dy prej tyre nuk janë adresuar fare dhe sigurisht do të jepen përsëri. Rekomandim i parë, i paplotësuar, është ai për të patur një raport të ndërmjetëm para ditës së zgjedhjeve lidhur me burimet e financimit për fushatën dhe kandidatët. Votuesi mund të mësojë pas fushatës elektorale nga kush u financuan kandidatët për deputetë. Por do të ishte e preferueshme dhe dëshirueshme që këtë informacion votuesit ta kishin para ditës së votimit, që të merrnin vendimin e tyre se për kë do të votojnë. Votuesit duhet të dinë paraprakisht cili qëndron pas kandidatit para se të hedhin votën dhe jo pas hedhjes së saj.
Rekomandimi i dytë, shumë i rëndësishëm, që nuk është adresuar, është përdorimi i vazhdueshëm i materialeve të partive politike në garë në edicionet e lajmeve. Nuk është fjala për reklama, por edicion lajmesh. Kemi rekomanduar që kjo nuk duhet të ndodhë, por nuk është marrë parasysh. Në raportin tonë përfundimtar do të përfshijmë këto dy rekomandime dhe të tjera që nuk janë plotësuar nga zgjedhjet e kaluara si edhe rekomandime te reja, që dalin nga zbatimi i Kodit të reformuar elektoral, ku ka risi të tila si identifikimi elektronik i zgjedhësve apo votimi elektronik.
Rekomandimet do të përfshijnë edhe ꞔfarë ndryshimet duhen bërë në disa fusha të veçanta. Për këte lypset një diskutim publik përfshirës. Shqipëria si gjithë 57 vendet e tjera, anëtare të OSBE, ka marrë zotime për t'i zbatuar rekomandimet, por kjo në fund të fundit varet nga qeveria. Rekomandimet jepen për t'u zbatuar, kur kjo nuk ndodh ka sanksione. Në përgjithësi konstatojmë që Shqipëria ka zbatuar disa rekomandime në të shkuarën dhe ka parë përfitime prej zbatimit të tyre. Besojmë që rekomandimet tona do të pranohen nga administrata e re, që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
DW: A po shënon Shqipëria progres demokratik me zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare 2021, mbështetur në raportin tuaj paraprak dhe sesi po ecën deri tani procesi i numërimit të votave?
Urszula Gacek: Progres Demokratik? Zgjedhjet janë një pjesë shumë e rëndësishme e progresit demokratik, por jo i gjithë progresi demokratik. Mendoj që pjesë shumë e rëndësishme për progres demokratik, sidomos këtu në Shqipëri, është reforma gjyqësore. Nuk jemi këtu për të gjykuar, nëse refoma në gjyqësor është sipas, le të them, standarteve të Këshillit të Europës ose nëse ligji për mbrojten e të dhënave është konform me standartet e BE. Ne jemi të fokusuar tek zgjedhjet parlamentare 2021, por kjo nuk do të thotë që gjërat që po ndodhin, në periferi të misionit tonë nuk ndikojnë tek zgjedhjet.
DW: A ka gjasa që këto zgjedhje të vlerësohen të lira dhe të ndershme? Nga përvoja ime në pasqyrimin e zgjedhjeve të mëparshme parlamentare ka ndodhur që në raportin përfundimtar të misionit të OSBE/ODIHR-it vlerësimi ka qenë "këto zgjedhje janë më të mira se të kaluarat” vlerësim që nuk ka lidhje me përcaktimin”, të lira , të ndershme apo sipas standarteve ndërkombëtare”.
Urszula Gacek: Ne nuk krahasojmë një zgjedhje me një tjetër në analizat tona. Nuk përdorim të dhëna krahasuese. Ajo që marrim nga raportet e zgjedhjeve të mëparshme janë rekomandimet për të parë nëse janë adresuar ose jo. Jemi shume të kujdesshëm të mos bëjmë krahasime për të treguar një lloj trendi.
DW: Znj. Ambasadore, gjithsesi a mund t'i shihni këto zgjedhje si një ndikim pozitiv që Këshili Europian të vendosë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Ministrore, lidhur me hapjen e Negociatave të Anëtarësimit të Shqipërisë në BE?
Urszula Gacek: BE ditët e fundit doli me një deklaratë lidhur me këto zgjedhje parlamentare, ku përmend raportin tonë paraprak. Kjo është shumë e kënaqshme për misionin tonë pasi ajo që kemi bërë i jep komunitetit ndërkombëtar një informacion të besueshëm për të marrë vendime të mëdha strategjike. Ndërkohë që ne jemi në Shqipëri për të dhënë një vlerësim të bazuar në të dhëna dhe të paanshëm. Ne nuk mund të ndikohemi nga presioni prej asnjë pale, psh. që mund të thotë, se për Shqipërinë duhet të jepen këto apo ato konkluzione, se duhet të hapen negociatat e anëtarësimit. Puna jonë përfundon me raportin përfundimtar me rekomandime. Pastaj administrata e re, shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombëtar mund ta përdorë raportin tonë për qëllimet që u duhen atyre.
Ambasadorja Urszula Gacek është drejtuese e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it
Intervistoi Ani Ruci