Përplasje verbale mes Trumpit dhe Zelenskit
19 Shkurt 2025Në përgjigje të komenteve të pasakta të Presidentit amerikan se vlerësimi i tij i pëlqimit ishte vetëm 4%, Presidenti Zelenski tha se "për fat të keq, Presidenti Trump, për të cilin kemi respekt të madh si udhëheqës i popullit amerikan... jeton në këtë hapësirë dezinformimi".
Pretendimi i tij vjen drejtpërdrejt nga propaganda ruse, shtoi Zelenski. Vlerësimi i miratimit të liderit ukrainas nuk ka rënë kurrë nën 50% dhe ndonjëherë ka qenë deri në 70%.
Një sondazh telefonik i 1000 ukrainasve i kryer nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev, i publikuar të mërkurën, zbuloi se 57% e të pyeturve miratuan mënyrën se si e kryen Zelenski detyrën.
Presidenti ukrainas shtoi se ai nuk do t'ia "shiste" Ukrainën SHBA, duke iu referuar një marrëveshjeje të propozuar nga Trumpi që ndihmën e Uashingtonit e paguan me mineralet e rralla të tokës.
"Unë po mbroj Ukrainën, nuk mund ta shes vendin tonë. Kjo është e gjitha," tha ai, duke shtuar se administrata e Trumpit nuk po vepronte në mënyrë"serioze"me marrëveshjen.
Më vonë sot Trumpi e quajti Zelenskin "diktator pa zgjedhje."
Putini i kënaqur me bisedimet SHBA-Rusi
Agjencitë shtetërore ruse të lajmeve raportuan se Presidenti Vladimir Putin ishte i kënaqur pas bisedimeve të nivelit të lartë midis zyrtarëve të Kremlinit dhe përfaqësuesve të administratës së Presidentit amerikan Donald Trump.
"Po, jam informuar. Unë i vlerësoj shumë, ka rezultate," citohet të ketë thënë ai nga Interfax për bisedimet e zhvilluara në Arabinë Saudite.
Putini tha më vonë se nuk e dinte se kur do të takohej personalisht me Trumpin, pavarësisht se ky i fundit la të kuptohej se një datë ishte caktuar për në fund të shkurtit. Putini tha se të dy palët së pari duhej të ndërtonin "besimin".
"Është e pamundur të zgjidhen shumë çështje, përfshirë krizën ukrainase, pa rritur nivelin e besimit midis Rusisë dhe SHBA”, tha ai në një konferencë shtypi në televizion.
Eksperti: Trumpi me përpjekje për të strukturuar negociatat
DW foli me Dr. Peter Trubowitz, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në London School of Economics, për qëndrimin e Donald Trumpit ndaj Rusisë dhe Ukrainës.
"Nuk është gjë tjetër veçse një lëvizje strategjike”, tha Trubowitz në lidhje me pohimin e Trumpit se Ukraina është përgjegjëse për luftën. "Duhet parë si është, një përpjekje për të strukturuar negociatat mbi luftën në një mënyrë që ka të bëjë më pak me garantimin e sigurisë së Ukrainës sesa, mendoj, me riorganizimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi."
Ai i përshkroi lëshimet e Trumpit ndaj Rusisë kështu: "Është e guximshme, është dramatike. Është një surprizë".
Trubowitz tha se kjo ishte e gjitha një pjesë e teatrit politik për të bërë presion mbi Evropën dhe për të "përfituar nga varësia e Evropës nga SHBA".
"SHBA e ka anashkaluar Evropënnë mënyrë efektive", duke i bërë thirrje drejtpërdrejt Rusisë, duke e ditur se Evropa nuk ka qenë kurrë unanime në qasjen e saj ndaj pushtimit dhe duke e përdorur atë në avantazhin e saj.
"Nëse do të isha [presidenti ukrainas Volodymyr] Zelenski, nuk do të ndihesha i sigurt në aftësinë e Evropës për të udhëhequr tani."
BE mbështet raundin e 16-të të sanksioneve ndaj Rusisë
BE ka rënë dakord në Bruksel për një raund të 16-të sanksionesh kundër Moskës.
Në vigjilje të përvjetorit të sulmit rus, 24 shkurtit, BE synon të godasë "flotën fantazmë" ruse të anijeve cisternë, e cila përdoret për të shmangur sanksionet kundër sektorit energjetik të Rusisë.
Sanksionet prekin edhe sektorin e aluminit të Rusisë. "Kjo është e domosdoshme" tha ministri i Financave të Polonisë, Andrzej Domanski, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës të BE.
Paketa e masave pritet të miratohet formalisht nga ministrat e jashtëm të BE, por konsiderohet punë e përfunduar.