1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zbatimi i marrëveshjes CEFTA në fokus të organizatave dhe të subjekteve të biznesit në Shqipëri

24 Dhjetor 2010

Sipas ekspertëve rajoni ka potencial të madh në sektorët e industrisë, tregtisë, turizmit, energjetikës, produkteve bujqësore, dhe krijimin e një territori dinamik për investitorë e partnerë nga BE dhe vende të tjera.

https://p.dw.com/p/zpEH
CEFTA: një instrument nxitës për gjallërimin e tregtisë së lirë

Eksperti gjerman Oliver Rohrbach, prej rreth dy vitesh është këshilltar në Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Si një njohës i mirë i ekonomisë së rajonit, por dhe në rolin e ekspertit në disa vende të botës ai mendon se CEFTA është një instrument nxitës për gjallërimin e tregtisë së lirë mes vendeve të rajonit. Një faktor për rritjen e volumit të import-eksporteve mes 8 shteteve anëtare, duke dhënë siguri për stadin e mëtejshëm në marrëdhëniet mes tyre dhe BE-së. Rohrbach e përshkruan rajonin me një potencial të madh në sektorët e industrisë, tregtisë, turizmit, energjetikës, produkteve bujqësore etj. Si fusha ku vendet ballkanike mund të japin dhe të marrin nga njeri-tjetri, të sillen si në një treg të vetëm. Kjo krijon një territor më dinamik dhe atraktiv për të afruar investitorë dhe partnerë nga BE-ja apo vende të tjera, thotë Oliver Rohrbach për DW-në.

Oliver Rohrbach
Oliver RohrbachFotografi: DW

“Le të qëndrojmë tek sektori i koncesioneve. Janë shumë të tilla në Shqipëri. Kompanitë shqiptare, në pjesën më të madhe nuk është se kanë nevojë për burime financiare, por u duhet ekspertizë menaxhimi, apo pajisje e makineri të specializuara për të konkretizuar aktivitetin koncesionar. Këtu roli i Bashkimit të Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë është konkret: për ti bërë bashkë këto veprimtari koncesionare me partnerë nga vendet e rajonit, të cilat aderojnë dhe në CEFTA, por dhe me subjekte të interesuara nga BE-ja. Takimet që zhvillohen në mënyrë sistematike nga njeri vend i rajonit në një tjetër janë tryeza më e mirë për të gjallëruar kooperimin, për të adresuar tek qeveritë dhe institucionet vendimarrëse propozime dhe ide që lirojnë dhe lehtësojnë gjithnjë e më shumë në mënyrë të ndërsjellta produktet, kapitalet e shërbimet”.

CEFTA partner i fuqishëm për komunitetin vendas të biznesit

Pranvera Domi është kordinatore e CEFTA-s në Bashkimin e Dhomave të Tregëtisë e Industrisë së Shqipërisë. Ajo shprehet se bashkimi është një partner i fuqishëm për komunitetin vendas të biznesit dhe për nxitjen e kooperimit me vendet e rajonit. Ne jemi të fokusuar në veprimtari informuese dhe kualifikuese që lidhen me eleminimin e barrierave tarifore, njohjen nga subjektet e biznesit tëprocedurave doganore dhe rregullat e origjinës së mallrave, thotë Domi për DW-në. Ajo i referohet dhe një takimi rajonal që u mbajt kohët e fundit në Beograd: “Bashkimi i Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë kishte presidencën e radhës për grupin e punës për barrierat doganore në rajon. U konstatua se fatmirësisht nuk ishin shfaqur probleme të reja, përkundrazi u vlerësua se problemet janë ulur. Sepse këto vende kanë nisur tashmë të mendojnë në një mënyrë globale kur vjen puna për zbatimin e marrëveshjeve të tregëtisë së lirë mes tyre”.

Pranvera Domi
Pranvera DomiFotografi: DW

Liberalizmi i vizave element pozitiv

Ende në mënyrë dypalëshe apo shumëpalëshe punohet për zgjidhjen e problemeve që kanë vendet fqinjë, shton Pranvera Domi: “Siç mund të përmenden ato që kanë të bëjnë me eksportin e verës nga Mali i Zi në Shqipëri, që janë në procedura zgjidhje mes ministrive përkatëse të të dy shteteve. Probleme të analizave fito-sanitare mes Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi, për të cilat janë bërë letrat e zgjidhjes për të eliminuar barrierat. Ka dalë gjithashtu problem së fundi dhe Republika e Moldavisë që aplikon regjim vizash me të gjitha vendet e rajonit”.

Oliver Rohrbach mendon se edhe procesi i liberalizmit të vizave shikohet si një element pozitiv në rritjen e fluksit të kontakteve mes sipërmarrësve dhe zgjerimin e tregut të produkteve, mallrave dhe shërbimeve mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të BE-së.

“Le të kthehemi pas, kur për kompanitë shqiptare kishte vështirësi në realizmin e kontakteve me partnerët nga vende të tjera. Problemet teknike dhe konsullore bëheshin pengesë ose vonesë në organizimin e veprimtarive dhe në lëvizjen e pjesmarrëve në tryeza pune, seminare, panaire, konferenca etj. Tani kjo konsiderohet e kapërcyer ndaj dhe pritet të shoqërohet me shtim të kontakteve me jashtë. Por pa harruar tri fazat e nevojshme të procesit zhvillimor: së pari, forcim të biznesit vendor, më pas bashkëpunim dhe kooperim rajonal, për të krijuar bazën e një marrëdhënie të qëndrueshme të kontakteve dhe mes Shqipërisë dhe shteteve të BE-së”.

CEFTA, Central European Free Trade Agreement, si një marrëveshje e tregtisë së lirë përfshiu në fillim të viteve '90 Poloninë, Hungarinë, Çekinë dhe Sllovakinë. Më pas aty aderuan dhe vende të tjera evropiane. Nga viti 2007 pjestarë të CEFTA-s që ishin anëtarësuar në BE u larguan prej saj dhe ajo përfshin aktualisht tetë vende jo anëtare të BE-së: Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova dhe Moldavia.

Autor: Arben Muka
Redaktor: Pandeli Pani