1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Xhaferi: Nisma për referendum jo kushtetuese

14 Shtator 2022

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e hodhi poshtë nismën e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE për organizimin e një referendumi për anulimin e Marrëveshjes me Bullgarinë.

https://p.dw.com/p/4Gpe2
Nordmazedonien | Parlament | Talat Xhaferi | Parlamentspräsident
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Përmes një komunikate Xhaferi njoftoi se nisma për referendum nuk është në përputhje me Kushtetutën, në të cilën thuhet se marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar janë pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe nuk mund të ndryshohen me ligj.

VMRO-DPMNE: Kushtetuta mund të interpretohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska, tha se iniciativa për referendum nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se organi i vetëm që mund ta interpretojë Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese, e jo kryetari i Kuvendit. Sipas saj LSDM-ja dhe Qeveria kishin frikë të ballafaqohen me popullin ndërsa kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi është kampion për shkeljen e Kushtetutës.

EU eröffnet Beitrittsverfahren mit Nordmazedonien - feierlicher Empfang in Skopje (20.07.2022)
Fotografi: Government of North Macedonia

"Xhaferi mori rolin e gjyqtarit gjë që nuk i takon. LSDM-ja u largua nga populli maqedonas, duke ikur nga zgjedhjet, referendumi, por nuk do të mund të ikin në zgjedhjet e ardhshme”, tha Dafinsa Stojanovka.

LSDM mbështet qëndrimin e Xhaferit

LSDM mbështet vendimin e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi për ta refuzuar nismën e VMRO-DPMNE-së për shpalljen e referendumit. Marrëveshjen mund ta prishë vetëm ai që e ka nënshkruar, në këtë rast qeveria dhe për këtë duhet të njoftohet pala tjetër. Nëse VMRO-DPMNE fiton zgjedhjet dhe formon qeveri, atëherë mund ta ndërpresë marrëveshjen. Është e qartë se Mickoski qëllimisht e ka ideuar dhe paraqitur këtë iniciativë në mënyrë juridikisht të paqëndrueshme, në kundërshtim me Kushtetutën, vetëm për të krijuar tensione, për të manipuluar popullin, të vetëdijshëm se nuk do të ketë sukses.

Nordmazedonien | Proteste EU Beitrittsverhandlungen
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

"Kjo iniciativë është vetëm një tentativë e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, dhe kryesisë së ngushtë partiake për t'u fshehur pas popullit dhe për të shpëtuar ulëset e tyre në parti”, thekson koordinatori i LSDM-së Jovan Mitreski.

BDI: Nuk lejojmë të rrezikohet rruga euro-integruese

Kordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Arbër Ademi i ka bërë thirrje opozitës maqedonase të pranojë marrëveshjen me Bullgarinë. Iniciativa e VMRO-DPMNE-së për referendum ka për qëllim pengimin e rrugës integruese të vendit. Bëjmë thirrje për krijimin e frontit të gjerë evropian të partive politike, mediave dhe organizatave joqeveritare.

VMRO-DPMNE më 9 shtator kishte dorëzuar nismën për referendum me arsyetimin se Marrëveshja me Bullgarinë është antikombëtare dhe antishtetërore, pasi rrezikon identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut