1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vëllazëri kundër antisemitizmit

Max Hofmann7 Dhjetor 2014

Sulmet kundër hebrenjve në Francë janë dyfishuar këtë vit. Antisemitizmi nuk është fenomen i skajeve të shoqërisë dhe francezët mund ta mposhtin vetëm nëse përballen të bashkuar me të, mendon Max Hofmann.

https://p.dw.com/p/1E0IR
Fotografi: picture-alliance/dpa/C. Hartmann

Burri trupvogël 80-vjeçar nuk donte që në material të përdorej emri i tij i vërtetë. Ramë dakord për emrin e punës Sigismund Silberstein. Ai ende kishte frikë se dikush nga Gjermania mund ta gjente dhe ta sulmonte për shkak të fesë së tij hebreje. Silberstein ishte arratisur në Francë në vitet 30 për të shpëtuar nga nazistët. Vetëm në apartamentin e tij të vogël në një periferi të Parisit ndihej i sigurt.

Takimet e mia me Silberstein janë zhvilluar në vitet 1994 dhe 1995, ndërkohë ai ka vdekur. Por e sigurt është se Franca e sotme, 20 vjet më vonë, zor se do t'i kishte ofruar ende siguri. Antisemitizmi po përhapet si metastazat e një tumori dhe shoqëria është aq e përçarë sa për këtë problem nuk mund të ketë më një zgjidhje të thjeshtë.

Vënia nën kontroll e problemeve ekonomike

Shumë politikanë ndërkohë pranojnë se antisemitizmi francez nuk ushqehet vetëm nga pak njerëz të marrë, gjithçka tjetër do të ishte si të hidhje hi syve. Një studim i ri i institutit francez për studimin e opinionit IPO, tregon fare qartë: një 25% e frikshme e të anketuarve mendonin se "hebrenjtë kanë shumë pushtet në fushën e ekonomiksë dhe financave". Pikëpamje të tilla janë edhe më të forta tek myslimanët dhe përkrahësit e partive ekstreme, para së gjithash të Frontit Nacional.

Nëse kjo sëmundje e rrezikshme po thellohet në shoqëri, politika duhet të përdorë çdo levë që ka. Në strukturat e edukimit, në medie dhe me fonde të mbështesë p.sh. projekte për zhvillimin e tolerancës. Më e rëndësishme është megjithatë që Franca më në fund të vërë nën kontroll problemet e saj ekonomike. Vetëm kur pjesë të mëdha të shoqërisë nuk kanë më perspektiva ekonomike, ekziston terreni ushqyes për antisemitizmin në rritje.

Vëllazëri!

Ky terren i përshtatshëm i ofron kushtet më të mira të rritjes edhe devijimeve të tjera. Nuk është rastësi që matur në vlerë absolute pjesa më e madhe e xhihadistëve nga BE (foreign fighters) vijnë nga Franca. Në zanafillë të të gjitha këtyre problemeve shoqërore qendron një përzierje shpërthyese me përbërës të ndryshëm, e cila është gatuar për dekada me radhë. Plane të gabuara urbanistike me pasojë getoizimin e imigrantëve nga Afrika e Veriut, politikë e gabuar sociale me pasojë mungesën e shanseve për shtresat më të varfëra të shoqërisë, politikë e gabuar industriale me pasojë rrëshqitjen e ekonomisë franceze në një pozitë të parëndësishme.

Por megjithëse një analizë e dhimbshme e vetvetes është me siguri e nevojshme, francezët tani duhet të shohin përpara. E gjithë Franca duhet t'i japë kuptim të ri fjalës "vëllazëri" në moton "Liri, barazi, vëllazëri". Të gjitha partitë e moderuara, sindikatat, rrjeti gjigant i shoqatave në dobi të publikut, njerëz të shquar, përfaqësues të besimeve të ndryshme - edhe atij mysliman - duhet tani të pozicionohen në një front. Ndryshe sëmundja e rrezikshme e antisemitizmit do të vazhdojë të përhapet.