1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vullnetarë për virologët në luftë kundër virusit

8 Prill 2020

Instituti gjerman për Virologjinë Robert Koch po kërkon vullnetarë që përdorin smartwatch dhe janë të gatshëm t’i vënë në dispozicion të dhënat e tyre për të ndihmuar në mospërhapjen e virusit.

https://p.dw.com/p/3acJN
IFA Smartwatch Gear 3
Fotografi: picture-alliance/dpa/G.Fischer

Sigrun Späte nga Dortmund e mban pothuajse gjithmonë me vete orën e saj Smartwatch. Por tani të dhënat që mat dhe regjistron ora si pulsi, rrahjet e zemrës, hapat apo fazat e gjumit Sigrun Späte nuk i mban më vetëm për vete por ia vë në dispozicion Institutit gjerman për Virologjinë Robert Koch (RKI).

"Unë dua t'u ndihmoj shkencëtarëve që të mbledhin sa më shumë të dhëna që të jetë e mundur në mënyrë që të luftojnë virusin Corona", thotë ajo për DW. "Kjo është arsyeja pse po marr pjesë në këtë projekt." Që nga dita e sotme, personat që kanë Smartwatch mund t'ua vënë në mënyrë anonime në dispozicion të dhënat e tyre virologëve të RKI-së.

Ndryshimet në ritmin e gjumit, të aktivitetit fizik apo një rritje e rrahjeve të zemrës kur dikush nuk po kryen ndonjë aktivitet - janë për studiuesit sinjale, se dikush mund të jetë infektuar me virusin Corona. Me këtë RKI do të krijojë një hartë që tregon përhapjen e virusit.

Deutschland Coronavirus RKI PK in Berlin
Drejtori i RKi, Prof. Lothar WielerFotografi: Reuters/M. Tantussi

Të dhëna sa më të sakta për përhapjen e virusit Corona

Shpresojmë që në këtë projekt të marrin pjesë shumë vetë, thotë Presidenti i RKI-së Lothar H. Wieler, sepse "sa më shumë njerëz të na vënë të dhënat e tyre në dispozicion, aq më të sakta bëhen gjetjet tona për përhapjen e virusit Corona." Wieler shpreson së këto të dhëna do të ndihmojnë për të identifikuar vatrat e infeksionit dhe kjo mund të ndihmojë për të gjykuar më me saktësi për efektivitetin e masave kundër Coronës dhe përhapjen e saj.

Në Gjermani dhe disa vende të tjera të Evropës po diskutohet dhe punohet aktualisht për një aplikacion për të regjistruar se kush mund të ketë pasur kontakt apo të ketë qenë pranë personave të infektuar dhe kush mund të jetë infektuar. Për këtë mund të përdoren të dhëna të përfituara me Bluetooth ose GPS. Sidoqoftë, ende nuk është e qartë saktësisht se si do krijohet aplikacioni i ri në luftë me virusin Corona.

 

Peter Hille, shikon miqësisht në objektiv, veshur me një xhaketë të errët dhe një bluzë bojëqielli në gri, në hollin e DW Bonn.
Peter Hille redaktor, reporter dhe gazetar i specializuar në politikat e zhvillimit@peterhille