Vonesa për reformën zgjedhore, mazhoranca dhe opozita fajësojnë njëra-tjetrën
25 Shtator 2008Optimizmi i përfaqësuesve të dy partive më të mëdha në vend, PD dhe PS, gjatë fillimit të shtatorit se do ta mbyllnin procesin e hartimit të projektkodit të ri elektoral, tashmë është zbehur. Kur kanë mbetur edhe 5 ditë nga përfundimi i mandatit të punës së komisionit të posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore, po amplifikohen gjithnjë e më shumë zërat se do të ketë dhe një shtyrje tjetër njëmujore, pasi mes palëve ka ende çështje ku nuk po arrihet konsensus. Vonesën e punës për përfundimin e reformës zgjedhore e kritikoi në fillim të javës dhe vetë shefi i përfaqësisë së Komsionit Europian në Tiranë, ambasadori Helmut Lohan. Ai i bëri thirrje politikës që të përshpejtojë punën për Kodin, si dhe për sigurimin e kartave të indetitetit para mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme. Por dhe këtë qëndrim të drejtpërdrejtë të diplomatit europian, demokratët e socialistët e komentuan në mënyra të ndryshme, duke fajësuar njëra-tjetrën.
Për kryetaren e grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj, kryeministri ka nisur që tani fushatën elektorale. Por sipas saj:
"përpara se të nisë fushatën, kryeministri duhet të garantojë procesin, përfundimin në kohë të tij, dhe e kam fjalën për reformën e Kodit dhe infrastrukturën gjithashtu. Kjo nuk bëhet duke u kërkuar shqiptarëve të votojnë me karta identiteti, po duke ua garantuar kartat e identitetit atyre".
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi i hedh poshte këto vlerësime. Ai shpreh:
"angazhimin maksimal të kryeministrit dhe të mazhoranës për ta finalizuar sa më parë reformën zgjedhore. Për ecurinë e këtij procesi përgjegjësia është si e pozitës ashtu dhe e opozitës", thotë Patozi.
Një nga anëtarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, deputeti republikan Arjan Madhi thotë se:
"duhet evituar zgjidhja e problemeve në minutat e fundit, ashtu sic ka ndodhur për fat të keq në raste të mëparshme nga politika".
Sipas Madhit, Komisionit do t'i duhet ta shtyjë kohën e mandatit dhe me një muaj tjetër, për të arritur hartimin e projektkodit që do t'i paraqitet për diskutim dhe votim parlamentit në seancë plenare.