1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Von der Leyen për tanke luftarake në Ukrainë

10 Janar 2023

Liderët e BE i kanë mbështetur si parim kërkesat për dërgimin e tankeve "Leopard 2" në Ukrainë. Në këtë drejtim u pozicionua edhe presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen.

https://p.dw.com/p/4Lyb2
Belgien Europäische Kommission | Ursula von der Leyen
Fotografi: Virginia Mayo/AP Photo/picture alliance

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen është shprehur në mbështetje të dërgimit të tankeve "Leopard 2" në Ukrainë. "Unë mendoj se Ukraina duhet t'i marrë pajisjet ushtarake që i nevojiten dhe mund të përdorë për të mbrojtur atdheun e saj," tha ajo. Këto përfshijnë sisteme moderne të mbrojtjes ajrore, por edhe pajisje të tjera moderne ushtarake.

Në një konferencë shtypi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Presidentin e Këshillit të BE, Charles Michel, von der Leyen u pozicionua për rrethanën nëse ajo mbështet shtetet që po mendojnë ta furnizojnë Ukrainën me tanke perëndimore beteje, si "Leopard 2". Përveç vendeve si Polonia dhe Spanja, një prej këtyre vendeve është Britania e Madhe.

Ukrainasit nuk po mbrojnë vetëm vendin e tyre, por edhe parimet themelore të Kartës së OKB-së, të drejtat themelore dhe të drejtën ndërkombëtare, shtoi Presidentja e Komisionit Evropian. Kjo është arsyeja pse ajo e ka mbrojtur këtë pozicion që nga fillimi i luftës së agresionit rus.

Charles Michel, Jens Stoltenberg dhe Ursula von der Leyen
Fotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Dërgesat e tankeve varen nga Gjermania

Çështja e dërgesave të tankeve është veçanërisht shpërthyese sepse vende si Spanja dhe Polonia nuk mund t'i dërgojnë tanket e tyre "Leopard 2" në Ukrainë pa autorizimin e vendit prodhues, Gjermanisë. Deri tani, qeveria gjermane nuk dëshiron të dorëzojë tanke "Leopard 2". Në Britaninë e Madhe flitet për furnizim me tanke luftarake të tipit "Challenger 2”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg bëri të ditur se javën e ardhshme, gjatë bisedimeve në bazën ushtarake amerikane në Ramstein, do të flitet për dërgesa të reja armësh në Ukrainë. Diskutimet me ministrin ukrainas të mbrojtjes do të përqendrohen në llojet e armëve të nevojshme dhe mënyrën se si mund t'i ofrojnë ato aleatët. Stoltenberg-u theksoi se nuk bëhej fjalë vetëm për sisteme të reja të armëve, por edhe për municione dhe pjesë këmbimi për sistemet e dorëzuara tashmë. Presidenti i Këshillit të BE-së Michel shtoi se ai ndante pozicionin e von der Leyen për dërgesat e tankeve.

aud (tgsch, rtr)