1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putini denoncon sanksionet e flet për një rend të ri botëror

7 Shtator 2022

Në një fjalim në Vladivostok, Vladimir Putini e akuzoi Perëndimin se po përpiqet të "nënshtrojë" Rusinë përmes sanksioneve. Ai gjithashtu njoftoi marrëveshje të reja të gazit dhe naftës me Kinën dhe Mianmarin.

https://p.dw.com/p/4GWY3
Russland | Wladimir Putin beim Eastern Economic Forum (EEF) in Wladiwostok
Fotografi: Sergey Bobylev/TASS Host Photo Agency/REUTERS

Presidenti rus Vladimir Putin pranoi se disa sektorë të ekonomisë ruse po vuajnë nga sanksionet dhe presioni politik, të cilat ai i cilësoi si "agresion ekonomik, financiar dhe teknologjik nga Perëndimi", por ai u shpreh optimist për krijimin e lidhjeve të reja me Azinë.

Putini i bëri komentet gjatë një fjalimi të rëndësishëm në Forumin Ekonomik Lindor, në qytetin lindor të largët Vladivostok të mërkurën.

"Sfida të tjera të një natyre globale që kërcënojnë të gjithë botën e kanë zëvendësuar pandeminë”, tha presidenti rus.

"E kam fjalën për ethet e sanksioneve të Perëndimit, me përpjekjen e tij të pacipë dhe agresive për të imponuar modele sjelljeje ndaj vendeve të tjera, për t'u hequr atyre sovranitetin dhe për t'ua nënshtruar vullnetit të tyre".

Megjithatë, shtoi Putimi: "Pavarësisht se sa do të dëshironte dikush të izolonte Rusinë, kjo është e pamundur”.

Putini dhe kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan në Vladivostok
Putini dhe kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan në VladivostokFotografi: Aleksey Smirnov/Sputnik/REUTERS

Furnizimet me drithëra janë në rrezik

Gjatë fjalimit të tij, Putin akuzoi importuesit perëndimorë të drithërave për "mashtrim skandaloz" dhe pretendoi se vetëm dy nga 87 anije ishin të destinuara për vendet e varfra.

Komentet pasojnë një marrëveshje të arritur me Ukrainën në korrik, të ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB, që synon të mbrojë më të rrezikuarit në botë nga një krizë ushqimore e afërt.

Putini tha se do të shqyrtonte kufizimin e destinacioneve të eksportit të grurit sipas marrëveshjes.

Të mërkurën, Ministri i Bujqësisë i Ukrainës, Mykola Solsky i tha agjencisë së lajmeve Reuters: "Unë i pashë gjithashtu [komentet], por nuk shohim asgjë në nivelin tonë."

Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak ndërkohë e quajti propozimin e Putinit "të papritur" dhe "të pabazë".

Putini skicon një rend të ri gjeopolitik

Putini e përdori gjithashtu fjalimin e tij për të përshkruar një vizion të ri për bashkëpunimin global pas pushtimit të Ukrainës në shkurt - një vizion në të cilin Irani dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme mund të luajnë një rol udhëheqës.

"Vendet perëndimore përpiqen të ruajnë një rend të mëparshëm botëror që u sjell dobi vetëm atyre, t'i detyrojnë të gjithë të jetojnë sipas rregullave famëkeqe që i kanë shpikur ata vetë dhe që i shkelin rregullisht, rregulla që ata po i modifikojnë vazhdimisht për veten e tyre sipas rrethanave aktuale”, tha presidenti rus. tha.

Ky qëndrim u reflektua edhe tek pjesëmarrësit në samitin e Vladivostok, ku përfshiheshin kryeministri armen Nikol Pashinyan dhe ligjvënësi i lartë kinez Li Zhanshu.

Kina blen gaz me rubla e juanë nga Rusia

Putini njoftoi se Kina do të blinte gaz nga kompania kombëtare e energjisë Gazprom me një ndarje 50/50 midis rublës ruse dhe juanit kinez. Sipas zyrtarëve rusë, Putini pritet të takohet me Xi Jinping-un në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, që do të mbahet në Uzbekistan javën e ardhshme.

Putini takon Min Aung Hlaing në Vladivostok. Lideri i Mianmarit Min Aung Hlaing e ka vizituar Rusinë dy herë në dy muaj.
Vladimir Putini takon Min Aung Hlaing-un në VladivostokFotografi: TASS News Agency Host/AP Photo/picture alliance

Në një fjalim virtual në Forumin Ekonomik Lindor, edhe kryeministri indian Narendra Modi e përshëndeti rritjen e bashkëpunimit me Rusinë në sektorin e energjisë.

Mianmari nënshkroi marrëveshje për blerjen e naftës ruse

Putini u takua gjithashtu me kreun e juntës ushtarake të Mianmarit, gjeneralin Min Aung Hlaing, gjatë samitit.

Mianmari ka rënë dakord të blejë produkte të naftës ruse dhe të paguajë në rubla, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA.

"Jam shumë krenar për ju, sepse kur erdhët në pushtet në vend, Rusia, si të thuash, u bë numri një në botë," i tha Min Aung Hlaing Putinit, sipas një deklarate të Kremlinit që i përktheu fjalët e tij në rusisht.

Takimi shënon udhëtimin e dytë të Min Aung Hlaing-ut në Rusi në dy muaj, ndërsa regjimi ushtarak i vendit të Azisë Juglindore bëhet gjithnjë e më i izoluar në skenën botërore.

zc/wd (Reuters, AFP, dpa)