1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizitë te Ludvigu - Shtëpia e Beethovenit në Bon

Peter Kolakowski9 Shtator 2008

Muzikën e Beethovenit e njohin shumë vetë. Por janë më pak ata që njohin shtëpinë ku ka lindur Beethoveni në Bon. Kjo shtëpi muze ka koleksionin më të madh në botë të objekteve të Beethovenit dhe për Beethovenin.

https://p.dw.com/p/FE5V
Shtëpia e Beethovenit në Bon
Shtëpia e Beethovenit në BonFotografi: DW/Max Marenbach

Për tifozët e Beethovenit nga e gjithë bota, por jo vetëm për ta, shtëpia në Bonngasse është një qendër përkujtimore e rangut të lartë.

Në vështrim të parë shtëpia ku ka lindur Ludvig Van Beethoveni nuk bie në sy. Po të mos ishte gjithmonë grumbulli i njerëzve para saj. Kjo është një nga shtëpitë e pakta që janë ruajtur në Bonn, të shekullit të 18-të. Fasada e saj barok, prej guri, u ngrit mbi një bodrum të shekullit të 12-të ose të 13-të. Në njërën prej dhomave të vogla në papafingo, pa në dhjetor 1770 dritën e diellit Ludvig Van Beethoveni- tregon drejtori i muzeut, Mihael Ladenburger:

Një bust i Beethovenit në oborrin e Shtëpisë së Beethovenit në Bon
Një bust i Beethovenit në oborrin e Shtëpisë së Beethovenit në BonFotografi: PA/dpa

"Ne tani jemi para pianos së fundit që ka qenë pronë e Beethovenit. Kjo është një e ashtuquajtur Piano çekiç. Këtë piano Beethovenit ia dhënë një vit e gjysmë para se të vdiste. Pianon e ka ndërtuar ndërtuesi më i mirë i atëhershëm i pianove në Vjenë, Konrad Graf. Ky është një instrument që ruhet që prej vitit 1889 në shtëpinë e Beethovenit."

Pianoja çekiç e Beethovenit
Pianoja çekiç e BeethovenitFotografi: picture-alliance/akg-images

Meqenëse qyteti i Bonit nuk kishte interes për ta blerë shtëpinë, në vitin 1889 u themelua Shoqata Shtëpia e Beethovenit, me synimin për ta blerë shtëpinë dhe për ta ruajtur atë si qendër përkujtimore. Sot këtu vijnë njerëz nga e gjithë bota për të admiruar eksponatët e shumtë.

"Unë kam vizitorë nga Gjeorgjia dhe ata natyrisht të gjithë duan të shohin shtëpinë e Beethovenit. Ky është vendi i parë ku ata erdhën në Bonn."

Pyetjes se çfarë dinte ai vetë për Beethovenin, vizitori i përgjigjet:

"Babai i tij ka qenë gjithashtu muzikant, dhe kur ishte i ri, ai duhej ta nxirrte nganjëherë natën nga pijetoret."

Pjesë të tëra të shtëpisë ndodheshin në gjendjen e gjysmës së dytë të shekullit të 18-të. Për të fituar dhoma të gjera për muze, u ndryshua organizimi bazë i shtëpisë në pjesën e parë të shtëpisë. Më 10 maj 1893 shtëpia u inaugurua solemnisht për vizitorët, në kuadër të festës së dytë muzikore të muzikës së dhomës. Pa u ndryshuar ka mbetur edhe dyshemeja e vjetër prej druri, që kërcet kur ecën në të dhe trarët shumë të bukur të tavanëve.

"Një tavan i thurur me ornamente. Nuk e di nëse janë lule këto," thotë një vizitore. Pyetjes se çfarë dinte ajo për Beethovenin, para se të vinte për vizitë në shtëpinë ku ka lindur ai, vizitorja i përgjigjet: "Dija të paktën që ka qenë kompozitor. Simfonia e 9-të e Beethovenit është e njohur. Mamaja ime ka një pllakë gramafoni në shtëpi, me muzikën e tij."

Dorëshkrimet, fotografitë, instrumentat muzikorë dhe objektet memoriale që tregohen në ekspozitat e muzeut, përbëjnë bërthamën e koleksioneve të shtëpisë së Beethovenit. Që në vitet e para pas themelimit në vitin 1889 të Shoqatës Shtëpia e Beethovenit u arrit të blihen objekte të famshme si pianoja e fundit e Beethovenit ose dorëshkrimet origjinale të "Sonatës së hënës" dhe të "Simfonisë Pastorale". Sot, koleksioni më i madh në botë për Beethovenin përmban dorëshkrime muzikore, mobilje dhe objekte të jetës së përditshme të Beethovenit. Drejtori i muzeut, Mihael Ladenburger:

Faksimile e autogramit të Sinfonisë së 9-të të Beethovenit
Faksimile e autogramit të Sinfonisë së 9-të të BeethovenitFotografi: AP

"Në fakt ne jemi të vetmit që mbledhim në mënyrë shumë sistematike objekte që kanë të bëjnë me Beethovenin. Kjo lidhet edhe me faktin, se puna e mbledhjes ka kuptim vetëm atëherë, kur je në gjendje t'i ruash si duhet gjërat, pastaj të bësh një vlerësim të tyre, dhe t'i ekspozosh. Në mënyrë të ndërgjegjshme ne nuk duam të mbledhim siç bëjnë koleksionistët privatë, që i mbyllin gjërat në kasafortat e bankave, por duam t'ia tregojmë ato publikut. Aktualisht ne po përpiqemi, e për këtë kemi bërë thirrje edhe për aksion të madh donacionesh, që të blejmë dorëshkrimin e fundit të madh të Beethovenit në pronësi private, autografin e variacioneve të famshme Diabeli."

Nuk duhen harruar as vizitat në dyqanin e Muzeut të Beethovenit, të vizituar dendur. Këtu, vizitori dhe tifozi i Beethovenit mund të blejë shumëçka për Beethovenin:

Portrete të Beethovenit në dyqanin e Shtëpisë së Beethovenit në Bon
Portrete të Beethovenit në dyqanin e Shtëpisë së Beethovenit në BonFotografi: DW/Mouchtar

"Lapsa, kartolina, postera, bluza dhe natyrisht CD-të tona të mrekullueshme. Edicionet e Shtëpisë së Beethovenit, por edhe shumë të tjera", thotë shitësja në dyqanin e Shtëpisë Muze të Beethovenit.