1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lamtumira e Merkelit në Paris: Lidere e qetë apo dominuese?

Julia Borutta
3 Nëntor 2021

Një epokë po përfundon edhe për Francën kur Presidenti Macron pret sot kancelaren Merkel në vizitën e saj të lamtumirës. Si vlerësohet puna e Merkelit në Francë? Çfarë do të kujtojnë francezët?

https://p.dw.com/p/42WVg
Slloveni, 05.10.2021
Slloveni, 05.10.2021Fotografi: Ludovic Marin/AFP/Getty Images

Një kështjellë e vjetër, një verë e mirë, një peizazh magjepsës: Chateau du Clos de Vougeot, në Burgundi, ofron gjithçka që i nevojitet presidentit francez për një lamtumirë të ngrohtë, dinjitoze dhe shumë franceze ndaj kancelares gjermane.

Merkeli do ta vlerësojë mjedisin, edhe nëse i është dashur të mësohet me kënaqësinë franceze për inskenime, thotë Hélène Miard-Delacroix, një historiane në Universitetin e Sorbonës. "Këtë ajo e ka përvetësuar".

Drejtim me buzëqeshje dhe me dorë të fortë

Angela Merkel e ka pasur gjithmonë të vështirë ta lexojë këtë matës, këtë shkallë të afërisë dhe ta përdorë mirë. Patosi dhe pompoziteti që adhurojnë presidentët francezë ishin të huaj për të, ndaj ajo nuk ndërtoi një marrëdhënie të natyrshme me partnerët e saj të ndryshëm në Elysee, por ndërtoi një marrëdhënie serioze dhe të qëndrueshme.

Zhak Shiraku i modës së vjetër, mashkulli prijës i papërmbajtur Sarkozy, François Hollande shumë normal dhe Emmanuel Macroni inteligjent dhe i vrullshëm - Merkeli formonte një kontrast të fortë me secilin prej tyre, por megjithatë kishte të njëjtën recetë për secilin, thotë Miard de la Croix: "Ajo ishte gjithmonë e njëjta, e buzëqeshur", por ajo ishte gjithashtu një person që drejtonte me dorë të fortë. Dora e fortë - disa do të thoshin edhe kapja e hekurt.

Frenim i vazhdueshëm

Në Francë, Merkel nuk shihet vetëm si mishërim i stabilitetit dhe qëndrueshmërisë. Sidomos në krizën e borxheve, qëndrimi refuzues i Merkelit i shqetësoi francezët për një kohë të gjatë.

Irrituese ishte edhe heshtja gjermane pas fjalimit në Sorbonë të presidentit të sapozgjedhur Emmanuel Macron, i cili u paraqit si një evropianist i zjarrtë dhe i bëri thirrje Gjermanisë të reformonte BE me të. Vizionet e tij pragmatikja e Berlinit nuk i përqafoi, duke e lënë Macronin në dukje të dalë huq.

Paris Kanzlerin Merkel und Präsident Macron
Fotografi: Jonathan Rebboah/PanoramiC/imago images

Francezët e shohin në mënyra të ndryshme trashëgiminë e Merkelit

Kryetare e qetë e qeverisë një apo gjermane dominuese? Është e natyrshme që mendimet e francezëve janë të ndryshme:

"Të gjithë jemi të trishtuar që ajo po largohet". "Ajo iu përkushtua tërësisht Gjermanisë, i dërgoj nderimet e mia". "Po do të kisha qenë gjerman, nuk do të kisha dashur që Merkeli të ishte kancelare. Ajo solli një milion refugjatë në Gjermani, dhe ata nuk përshtaten mirë me një demokraci". "Ajo bashkëpunoi shumë mirë me Francën. Thjesht ajo më pëlqen, është simpatike."

Në metrat e fundit, Franca e rriti peshën në marrëdhënien gjermano-franceze, kështu perceptohet në Paris. Fakti që Merkeli u pajtuar së bashku me Macronin për fondin evropian të rindërtimit prej miliarda eurosh, përfshirë borxhet e përbashkëta, i atribuohet këmbënguljes së presidentit francez. Hélene Miard-Delacroix beson se "tandemi Merkel Macron është ai që funksionon më mirë".

Kështu, Gjermania dhe Franca varen më shumë se kurrë nga njëra-tjetra. Me një verë shumë të zgjedhur Burgundi, kjo do të rikonfirmohet sonte. Dhe pas viteve të ngurta, por përfundimisht të suksesshme me Merkelin, Macroni mund të gëzohet që së shpejti do të kalojë mirë me hamburgasin e rezervuar. Ai do ta presë atë si duhet.