Vizitë fitimprurëse e Trumpit në Kinë
9 Nëntor 2017Pa u lodhur presidenti amerikan, Donald Trump ka kritikuar deficitin tregtar amerikan mes SHBA-së dhe Kinës. Tani tonet e tij mund të zbuten: Koncernet amerikane kanë nënshkruar këto ditë marrëveshje ekonomike me sipërmarrjet kineze në vlerë prej 250 miliardë dollarësh. Vetëm të mërkurën kur Trump filloi vizitën në Kinë u përmbyllën marrëveshje në vlerën e 9 miliardë dollarëve.
Trump ka bërë shprehimisht Kinën fajtore për deficitin aktual tregtar. Por gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve, Trump është shprehur "kush mund të kritikojë një vend, që përpiqet të bëjë më të mirën për qytetarët e tij." Trump ka kritikuar qeveritë pararendëse në Uashington.
Trump: Bashkëpunim më të ngushtë me Kinën
Në kontratat e reja bëhet fjalë për marrëveshjen me koncernin e avionëve, Boeing në vlerën e 37 miliardë dollarëve, raportoi televizioni shtetëror kinez. Rivali i Siemensit, General Electric arriti të nënshkrujë marrëveshje në vlerë 3,5 miliardë dollarë.
Pas takimit me presidentin kinez, Trump u shpreh për një bashkëpunim më të ngushtë mes dy vendeve. Të dy vendet janë në gjendje të zgjidhin problemet në botë, tha Trump. Trump dhe presidenti kinez besojnë se edhe për Korenë e Veriut ka një zgjidhje. SHBA kërkon që Kina të përdorë influencën e saj ndaj Koresë së Veriut. Presidenti kinez u shpreh, se ai i mbetet qëllimit të tij për një gadishull korean pa armë atomike. Këtë Kina do ta arrijë me rrugën e dialogut.
la/(afp, rtr, AP, dpa)