1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190511 Investitionen D Ausland

20 Maj 2011

Në vitin 2009, firmat gjermane kanë investuar jashtë vendit 900 miliardë. Vetëm një pjesë e vogël e kësaj shumë ka shkuar në vendet e Evropës Juglindore. Pas krizës ekonomike tregjet e atjeshme nuk janë më tërheqëse.

https://p.dw.com/p/11Jxr
Fotografi: Fotolia/sk_design

Me kalimin e kohës unë kam kuptuar se ky është një vend i mrekullueshëm, që ofron shumë. Brenda tre orësh mund të shkosh nga Mesdheu në Detin e Zi. Këtu ka male të mrekullueshme. Mua më pëlqen skija. Kështu që mua më pëlqen këtu." Kur dëgjon këto fjalë mendon se Gabor Takacs-i, që i thotë këto fjalë punon për ndonjë zyrë udhëtimesh dhe është duke bërë reklamë për Bullgarinë. Por, nuk është kështu. Gjermani është sipërmarrës. Dhjetë vjet më parë ai ka krijuar firmën e tij në Sofje. Ai importon software nga Gjermania në Bullgari dhe prodhon vetë programe IT. Dhjetë vjet më parë, këtu sundonte një atmosferë ndryshimesh, thotë ai: "Ishin kohë të tjera nga sot. Bullgaria nuk ishte ende anëtare e BE-së dhe kushtet ishin shumë të favorshme. Niveli i rrogave ishte shumë i ulët. Tregu i punës kishte specialistë shumë të mirë dhe unë kisha qenë edhe më parë në Bullgari. Ndaj mora vendimin të krijoja këtu një firmë."

Gabor Takacs, furnizon tani tregun bullgar. Nga qendra e tij në Sofie ai eksporton në Turqi, Greqi dhe Rumani. Po aty, ku dikur kushtet premtonin sukses për krijuesit e firmave, dhe shpresa ishte e madhe, gjërat kanë ndryshuar. "Suksesi i madh ka shkuar. Ndaj edhe tregu nuk është më interesant".

Njësoj si Gabor Takacs, mendojnë edhe investitorët e tjerë gjermanë. Interesi i investitorëve të huaj në Evvropën Juglindore ka rënë shumë gjatë kohës së krizës. Këtë e tregon një studim i Dhomës gjermane të Industrisë dhe Dhomave të tregtisë.

Kjo influencon në humorin e firmave në Evropën Juglindore. Në sondazhin e fundit për koniukturën, vendet e rajonit marrin për vitin 2010 nota të këqija. Kështu për shembull situata e përgjithshme në Serbi shihet me sy më kritik se një vit më parë. Gati të gjithë të pyeturit, japin vlerësimin "keq", ose "mjaftueshëm". Vetëm 3 përqind japin vlerësime pozitive. Njëjtë është rezultati edhe për Kroacinë. Vlerësimet negative për gjendjen ekonomike shpjegojnë edhe rënien e investimeve direkte gjatë krizës. Në Bullgari investimet direkte gjermane ranë me një të tretën në krahasim me vitin 2008. "Kriza ka lënë gjurmë. Firmat janë skeptike sa i përket investimeve të reja. Ato e dinë se ambienti makroekonomik mund të ndryshojë shumë, në varësi të krizës ekonomike. Ndaj firmat kanë mëdyshje sa i përket investimeve të reja," thotë Andreas Breinbauer, zëvendësrektor i Shkollës së Lartë BFI në Vjenë. Moto "Go East" vazhdon të jetë aktuale, por ajo nuk nënkuptom më vendet e Evropës juglindore, por Kinën dhe tregjet aziatike në përgjithësi.

Për firmat gjermane vazhdojnë të mbeten interesante vendet e vjetra anëtarë të BE-së. Këto rajone ofrojnë tregje shitjeje. Ndryshe është me Evropën Juglindore, mendon Jens Bastian, specialist ekonomie në fondacionin grek për politikën e jashtme dhe evropiane në Athinë: "Nuk duhet harruar që rajoni është i vogël. Kontributi ekonomik është i vogël dhe nga numri i popullsisë nuk është më interesant. Prandaj firmat nuk duhet të përqëndrohen në vende si Shqipëria, ose Mali i Zi, por duhet të përhapen në një rrjet."

Inverstimet 2010
Investimet Gjermani 2010Fotografi: Picture-alliance / dpa/DW

Por investitorët nuk hezitojnë vetëm për shkak të madhësisë së tregjeve në Evropën Juglindore. Ky rajon duhet të luftojë ende me mbetjet e tranzicionit, si administratë publike ineficiente, sistem juridik me mangësi, infrastrukturë e keqe, mungesë transparence në dhënien e tenderave dhe fuqia e vogël blerëse.

Megjithatë në fund të tunelit duket drita. Zëra pozitivë dëgjohen nga rajoni. Kriza duket se ka kaluar. Dhe investitorët gjermanë e kanë ndier këtë, thotë Karl Schick nga Dhoma e Industrisë në Ulm."Ne kemi kërkesa nga firmat gjermane, që duan të angazhohen në Evropën Juglindore. Për shembull nga industria e automobilëve, si dhe nga sektori i energjive të rinovueshme. Në këto sektorë do të ketë vitin e ardhshëm zhvillime interesante."

Një e treta e firmave të pyetura ka bërë plane të investojë në Bullgari më shumë këtë vit. Perspektiva të mira për tregun bullgar të punës, sepse 40 përqind e firmave duan të rrisin numrin e punonjësve. Edhe në Kroac investitorët shohin me optimizëm në të ardhmen. Numri i firmave, që mendon të rrisë investimet në vitin 2011, është dyfishuar në krahasim me një vit më parë.

Projekt për prodhimin e energjisë elektrike me forcën e erës
Projekt për prodhimin e energjisë elektrike me forcën e erësFotografi: DEG

Në vendet e Evropës Juglindore ekziston potencial i madh zhvillimi. Në mënjanimin e mbeturinave firmat gjermane kanë shanse të mira. Bullgaria dhe Rumania do të arrijnë vitin e ardhshëm standartet e BE-së në sektorin e ambientit. Këtu kërkohet shumë know-how gjerman. Rajoni është interesant edhe për prodhim, sepse kostot e prodhimit vazhdojnë të jenë më të ulta se në Gjermani. Një firmë nga Schwarzwald hapi pak kohë më parë një fabrikë prodhimi të motorëve në Suboticë, Serbi. Prodhimet e gatshme riimportohen në Gjermani. Shenja të mira këto për Evropën Juglindore.

Autor: Rayna Breuer/ Aida Cama

Redaktoi: Angjelina Verbica