1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vetëm të premteve pushim - Të miturit në Egjipt punojnë pa pushim

Rainer Sollich9 Nëntor 2006

Sipas një statistike shtetërore në Egjipt 2.7 milionë fëmijë në moshën 6 deri 14 vjeç ndodhet në marrëdhënie pune. Kjo do të thotë se 20 përqind e të gjithë fëmijëve egjiptianë janë të detyruar të punojnë

https://p.dw.com/p/AsDo
Lagje e varfër në Kairo
Lagje e varfër në KairoFotografi: AP

Organizata e OKB-së UNICEF, po përpiqet në bashkëpunim me partnerë lokalë, që të paktën t´i lehtësojë kushtet e punës për këta fëmijë dhe t´u ofrojë atyre mundësinë e arsimimit fillestar. Zhdukja e punës së fëmijëve në Egjipt është diçka e parealizueshme, të paktën për një periudhë të caktuar kohore, ndonëse qeveria i ka shpallur zyrtarisht luftën këtij fenomeni.

Rreth 20 vajza po bëjnë sport në një oborr të qendrës sociale të Gjysmëhënës së Kuqe në Kairo. Ato ndjekin udhëzimet e mësueses së fiskulturës dhe vrapojnë nëpër oborr. Këto skena duken për vizitorin pothuajse të frikshme, por vajzat po kënaqen. Të gjitha janë minorene në moshë dhe vijnë nga lagje të varfëra. Të gjitha mbajnë shami në kokë apo ferexhe.

Kështu qenka pra kur në një qytet të madh egjiptian si Kairo luftohet puna e të miturve. Ose për të qënë më të qartë, kur zyrat përkatëse përpiqen t´i lehtësojnë sa më pak kushtet e punës për fëmijët. Më shumë nuk mund të pritet njëherë për njëherë në një vend të tillë. Shumë familje janë të varfëra dhe janë të varura nga fëmijët, të cilët duhet të sjellin gjithashtu rrogë në shtëpi, për të mbijetuar.

Nadia Kamel Garas, drejtoreshë e projektit të Gjysmëhënës së Kuqe në Kairo shpjegon: "Ka arsyje të veçanta përse punojë këtu këto vajza. Në rradhë të parë për shkaqe financiare. Kjo është edhe arsyeja përse duam ta përmirësojmë standartin e jetesës së vajzave, ky është qëllimi ynë. Familjet jetojnë në rrethana shumë të vështira ekonomike dhe janë të detyruara që t´i dërgojnë vajzat në punë. Ato duhet të ndihmojnë në përmirësimin e nivelit të jetesës së familjeve të tyre. Përveç kësaj, në përgjithësi familjet nuk janë shumë të interesuara në arsimimin e vajzave të tyre. Ne kemi statistika të mjaftueshme që e konfirmojnë këtë gjë. Vajzat duhet të punojnë e më vonë ndoshta të martohen, por jo më tepër."

Bashkëpunëtorët e Gjysmëhënës së Kuqe përpiqen t´i mbrojnë sa më shumë të drejtat e vajzave. Ata mbajnë kontakte të rregullta me punëdhënësit e tyre dhe angazhohen për kushte më të mira pune, për sigurimet sociale dhe pagimin e orëve shtesë të punës. Kjo punë nuk ështe e lehtë dhë kërkon shumë durim. Përveç kësaj ata mbajnë kontakte të rregullta edhe me prindërit e këtyre vajzave. Dhe ata kujdesen që vajzat që kanë vite që e kanë lënë shkollën, të arsimohen sërish.

Sipas statistikave shtetërore 20 përqind e të gjithë fëmijëve në Egjipt mes moshën 6 deri 14 vjeçare janë në marrëdhënie të rregullta pune. Kjo është edhe arsyeja përse UNCEF-i angazhohet në mënyrë intensive që në Egjipt të ndalohet puna e të miturve - dhe financon ndër të tjera edhe projektin e vajzave që krijoi Gjysmëhëna e Kuqe në lagjen Vest-Helvan në Kairo.

Nivine El-Kabbag, e cila punon në zyrën e UNICEF-it në Kairo, e di se puna e UNICEF-it, Gjysmëhënës së Kuqe dhe partnerëve të tjerë nuk mund ta ndryshojë shumë situatën në përgjithësi, por sidoqoftë kjo punë është e rëndësishme, thotë ajo: "Fëmijët punojnë ndërsa janë ende të mitur, punojnë në kushte të vështira, nuk kanë asnjë siguri në vendin e punës dhe nuk gëzojnë asnjë sigurim shëndetësor. Ata vuajnë shpesh edhe nga abuzimet seksuale në vendin e punës. Eshtë më të vërtetë për të ardhur keq nga konsekuencat që ka puna e të miturve, e sidomos për vajzat."