1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Verder Bremen fiton bindshëm 6:1 në prag të ndeshjes me Barcelonën

Elert Ajazaj21 Nëntor 2005

Australia pas 32 vjetësh sërish pjesëmarrëse në një kampionat botëror

https://p.dw.com/p/AsKD
Dyluftim me kokë midis Nando Rafael të Berlinit dhe Dede të Dortmundit
Dyluftim me kokë midis Nando Rafael të Berlinit dhe Dede të DortmunditFotografi: AP

Në javën që lamë pas u përcaktuan edhe ekipet e fundit pjesëmarrëse në kampionatin botëror Gjermania 2006. Për herë të parë pas 32 vjetësh Australia e drejtuar nga trajneri hollandez Guus Hiddink siguroi kualifikimin. Ndeshjen e kthimit në Sidnej kundër Uruguajit australianët e fituan 4:2 pas gjuajtjes së penalltive. Edhe Trinidad Tobago u kualifikua pas fitores 0:1 në Bahrejn. Në Evropë tri ekipet e fundit finaliste janë Çekia, Spanja dhe Zvicra.

Ndeshja më e tensionuar dhe e shoqëruar edhe me rrahje ishte ajo e zhvilluar në Stamboll, ku Zvicra megjithëse humbi 4:2 kundër Turqisë u kualifikua për në botëror si pasojë e golave të shënuar jashtë fushës së vet. Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit Sepp Blatter i dënoi incidentet e Stambollit:

"Kjo që ndodhi nuk i ka hije futbollit; sepse futbolli duhet të kontribuojë që jo vetëm skuadrat por edhe popujt të kuptohen. Ajo që pashë nuk është as njëra as tjetra."

Ndeshja në fjalë është bërë objekt i hetimeve të FIFA-s dhe po shqyrtohet edhe mundësia e dënimit të Turqisë për botërorin 2010.

Kalojmë tek kampionati gjerman i futbollit:

Pa kapitenin e vet të dëmtuar Michael Ballack Bajerni i Mynihut fitoi me shumë fat këtë javë kundër Arminiës në Bilefeld. Ballack e shtyu për në janar vendimin se për kë do të luajë në të ardhmen, ndërkohë që Bajerni e ka tërhequr ofertën për organizatorin. Vetëm në përfundim të takimit në Bilefeld Bajerni arriti të barazojë dhe të kalojë edhe në epërsi. Krejt e ndryshme ishte paraqitja e të dytit në renditje, Verder Bremenit. Ky mundi 6:1 Volfsburgun dhe me 5 pikë më pak është ndjekësi i parë i Bajernit kryesues. Forma e mirë e Bremenit mbetet të dëshmohet nesër në ndeshjen e Champions League-ës në Barcelonë, e cila nga ana e vet mundi 0:3 këtë javë Realin e Madridit.

Hamburgu mundi dje 2:0 Duisburgun. Shalke korri vetëm një barazim 2:2 në Këln dhe Herta e Berlinit u mund 2:0 nga Borusia e Dortmundit. Barazim u mbyllën takimet Borusia Mënhengladbah / Bajer Leverkuzen (1:1), Mainc / Frankfurt (2:2) dhe Shtutgart / Hanover (po 2:2). Jo pa pasoja mbeti humbja 1:3 e Kaizerslauternit, tashmë i fundit në renditje, kundër Nyrembergut. Për trajnerin Michael Henke, i angazhuar nga ekipi në fillim të sezonit, kjo ishte dita e fundit në stol. Ja se si shprehet vetë Henke:

"Ishte e qartë që kjo e sotmja ishte një ndeshje vendimtare dhe që me një rezultat negativ do të ndodhte pushimi nga puna."

Në përfundim edhe një njoftim: Gjendja shëndetsore e ish-lojtarit të Manchester United në vitet gjashtëdhjetë George Best vazhdon të jetë kritike. Ai është dërguar sërish në një spital të Londrës dhe frymëmarrja po i sugurohet nga aparatet. Sipas mjekëve gjendja e 59 vjeçarit është e qëndrueshme, por kritike.