Vendet e BE-së nënshkruajnë paktin fiskal
2 Mars 2012Shtetet e BE-së dërguan një mesazh të qartë për takimin e nivelit të lartë të pranverës. Mesazhi thotë se rehabilitimi i buxheteve ka prioritet. 25 kryetarët e shteteve dhe të qeverive nënshkruan një paketë kursimesh me rregulla të forta.
Motoja e BE-së për frenimin e krizës së borxheve është "më shumë disiplinë buxhetore". Me këtë synim 25 nga 27 vendet e BE-së nënshkruan ditën e dytë të takimit të nivelit të lartë të BE-së një paketë kursimesh. Marrëveshjes, e cila parashikon ndër të tjera kufizimin e borxheve sipas modelit gjerman, nuk iu bashkuan Britania e Madhe dhe Çekia. Irlanda ka bërë të ditur se do të zhvillojë një referendum.
"Unë mendoj se ky është një sinjal i fortë, se nga kriza ne kemi nxjerrë mësime," tha në Bruksel kancelarja Angela Merkel (CDU). Me këtë pakt vendet nënshkruese janë të detyruara që të mbajnë deficitin strukturor nën kufirin e 0,5 përqindshit të prodhimit bruto në vend, në vend të 1,0 përqindshit, siç e parashikojnë ligjet e BE-së.
Në rastin e shkeljeve të këtij rregulli të paktit fiskal do të hapen automatikisht proceset e dënimit. Vendet e prekura rrezikohen me gjoba të larta.
Mbrojtje më të shpejtë kur arrin paaftësia për të paguar
Vendimi nëse paketa për shpëtimin e euros EFSF dhe ESM do të plotësohet me më shumë para, u shty për t'u marrë më vonë nga vendet e zonës së euros. Kufirin maksimal mund ta përcaktojnë edhe ministrat e financave, tha presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy.
Megjithatë fondi i shpëtimit ESM, i cili do të zëvendësojë në fund të vitit EFSF, do të pajiset më parë se planifikimi me kapital në të holla. Ai duhet të ofrojë në të ardhmen më shumë mbrojtje, nëse vendet e BE-së arrijnë tek paaftësia për të paguar. Në vitin 2012 do të paguhen dy nga pesë këstet e planifikuara, tha Van Rompuy, i cili sapo u konfirmua për të ndenjur edhe dy vjet e gjysmë në post. Ish-kryeministri belg do të marrë në të ardhmen edhe kryesimin e takimit të ardhshëm të nivelit të lartë të grupit të euros.
Sanksione kundër dy shteteve
Në takimin e nivelit të lartë të BE-së u zhvilluan edhe këshillime për sanksione kundër Bjellorusisë. Qeveria e Minsk-ut ka kërcënuar se nëse kjo ndodh do të kundërpërgjigjet.
Edhe dhuna kundër popullsisë civile në Siri ka qenë në rend të ditës. Për të janë dhënë dënime të tjera. Kështu për shembull në një projekt për deklaratën përfundimtare, BE kërkon për të disatën herë dorëheqjen e presidentit sirian, Baschar al-Assad.
Serbisë i ofrohet aderimi në BE
Në ditën e parë të takimit të nivelit të lartë, pjesëmarrësit dhe të tjerët vendosën që Serbia të marrë zyrtarisht statusin e kandidatit për t'u pranuar në BE. Në këtë mënyrë qeveria në Beograd mund të fillojë bisedimet e pranimit. Datë për fillimin e bisedimeve nuk është dhënë ende.
Para të tjera do të jepen edhe për Greqinë e mbytur në borxhe. Ministrat e financave aprovuan direkt para fillimit të takimit paketën e dytë të ndihmës prej 130 miliardë euro. Përfundimisht kjo paketë do të vihet në lëvizje këtë javë.
Autor: dw-world/Aida Cama
Redaktoi: Auron Dodi