1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdojnë përplasjet për ligjin e mbetjeve në Shqipëri

12 Nëntor 2011

Ligji „Për menaxhmin e integruar të mbetjeve“, i miratuar së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë vazhdon të jetë në qendër të debateve. Debati është përqëndruar tek neni që lejon importimin e mbetjeve nga vende të tjera.

https://p.dw.com/p/139ZX
Rrugë në Tiranë
Rrugë në TiranëFotografi: DW / Aida Cama

Opozita dhe organizata të shoqërisë civile kanë frikë se do të hyjnë mbetje të rrezikshme dhe Shqipëria do të kthehet në një vend depozitimi mbetjesh, por kjo gjë kundërshtohet nga hartuesit e ligjit, të cilët thonë se nuk ka për të ndodhur asgjë e tillë. Zëvëndësministri i Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Taulant Bino, në një intervistë për Deutsche Welle thotë se ligji është hartuar nga ekspertë të ministrisë të ndihmuar nga ekspertë të Bashkimit Europian. Sipas tij, ligji është i përputhur plotësisht me direktivën kuadër për mbetjet dhe me rregulloret e veçanta të saj dhe është i përputhur plotësisht me legjislacionin pararendës shqiptar. Por cili është qëllimi parësor i tij?

„Qëllimi parësor i ligjit është menaxhmi si duhet i mbetjeve në Shqipëri. Deri më sot kishim një ligj për mbetjet dhe për menaxhimin e tyre, por kishte mangësi. Nuk ishte i përputhur me kuadrin modern të menaxhimit të mbetjeve sot në Europë. Nuk përcakonte mirë hallkat e menaxhimit të mbetjeve, përgjegjësitë e pushteve të ndryshme në menaxhimin e mbetjeve, sidomos njësitë vendore. Ligji gjithashtu nuk hapte rrugën për menaxhmin e rrymave të ndryshme të mbetjeve si bateritë, mbetjet elektronike, vajrat e përdorur etj. Nuk rregullonte mirë as çështjen e penaliteteve, duke e lënë zabtimin e tij në terren në vëshitrësi. Ligji i ri i jep zgjidhje të gjitha këtyre çështjeve, jo vetëm nëpërmjet kuadrit që ai krijon, por edhe në aktet nënligjore që do të dalin në vijim," tha zëvëndësministri Bino.

Lavdosh Ferruni,
Lavdosh FerruniFotografi: DW

Edhe për Sekretarin e Çështjeve Mjedisore në Partinë Socialiste, ky është ligji më i plotë se ligjet kuadër të miratuara deri me sot sepse plotëson një pjesë të boshllëkut në legjislacionin shqiptar, por ka disa arsye që ligji është kundërshtuar. “Së pari ligji për shkak të situatës mjaft kritike të plehrave në Shqipëri, nuk duhet të ishte ekuivok. Edhe import mbetjesh edhe menaxhim të mbetjeve në vend. Pasi të marrë rrugë menaxhimi i mbetjeve në vend, le të fillojmë të mendojmë edhe për ato të Italise etj. Së dyti, unë dyshoj shumë se bashkë me mbetjet do të vijnë edhe mbetje të rrezikshme sepse tek ne kontrolli doganor, për nga siguria, është në vend të fundit në Evropë. Së treti, nëse në Evropë korrupsioni është i pranishem, në Shqipëri është shumfish, madje ky faktor u bë pengesë edhe për marrjen e statusit të vendit kandidat. Së katërti, si mund të quhet ky ligj i integruar i menaxhimit të mbetjeve, kur nuk konsideron mijra tonelata të mbetjeve të rrezikshme të shpërndara në të gjithë ish fabrikat e pasurimit të industrive të ndryshme, të minierave, një pjesë e të cilave ndodhet pranë lumenjeve e detit, duke krijuar dhe implikime rajonale. Së pesti, kapacitetet e industrive ricikluese nëse menaxhohen mbetjet e vendit janë të mjaftueshme, madje duhet edhe të rriten. Por nuk ka arsye të rrisim këto kapacitete pa filluar riciklimi i mbetjeve në vend, përndryshe ne do kemi vazhdimisht këtë peisazh me plehra, pasi këto industri do të mbështeten kryesisht tek importi i mbetjeve. Së fundi, ligji nuk ka një faturë financiare, qoftë dhe të përafërt e për pasojë do të ketë fatin e shumicës së ligjeve të cilat ekzistojnë në letër, por nuk zbatohen. Pra ne thjesht duam një ligj pa nenin 49, me qëllim që të fokusohemi vetëm tek mbetjet e vendit si një nevojë për ndërhyrje emergjente.“ tha Baraj për Deutsche Welle/n.

Ambjentalisti Lavdosh Ferruni mendon se në përgjithësi ky është një ligj i mirë, që kontribuon në menaxhimin e mbetjve në Shqipëri, por kundërshton nenin i cili lejon importimin e mbetjeve nga vendet e tjera. „Negativiteti qendron tek këto nene që leojnë importin nga vende të tjera, për faktin se Shipëria është në një situatë të vështirë me një përhapje masive të mbetjeve në vende të hapura dhe të akumuluara prej 20 vjetësh dhe një import tjetër do të agravonte më tepër situatën dhe do të dekurajonte menaxhimin e mbetjeve të vendit. Por ekziston edhe rreziku që të hyjnë edhe mbetje të rrezikshme ,për të cilat Shqipëria nuk ka kapacitetet e duhra për të kontrolluar penetrimin e tyre. Doganat e Shqiperisë nuk janë të përgatitura për të kontrolluar këtë lloj importimi, infrastrukura fizike është tepër e mangët, jo e kompletuar në gjithë pikat doganore të vendit. Të gjithë kemi thënë se duhet riciklimi, por me parë duhet parandilimi dhe ripërdorimi i mbetjeve, gjë që ne jemi shumë mbrapa dhe të gjithë jemi shumë koshientë që riciklimi është i domosdoshëm dhe kjo në ligj është përcaktuar mirë. Por një riciklim i mbështetur në importin e mbetjeve është katastrofik per vendin.“

Parlament in Albanien, Innenansicht
ParlamentiFotografi: AP Photo

Importimi i mbetjeve nga vende të tjera ishte shqetësimi që ngriti përfaqësuesi i opozitës Baraj dhe ambjentalisti Ferruni, por zëvëndës, ministri i Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Taulant Bino, thotë se ligji nuk i hap rrugën importit. „Legjislacioni shqiptar për mbetjet ka lejuar importin që në vitin 1994. Qeveria shqiptare miratoi vitin e kaluar një vendim të Këshillit të Ministrave për listën e lëndëve që lejohet të importohet, duke reduktuar këtë listë nga 434 elementë në 55 elementë, por vetëm për ata elementë që kanë patur një industri riciklimi, pra kanë kapacitete ricikluese të zhvilluara në Shqipëri. Ligji nuk i hap rrugën importit ashtu si është thënë. Ligji e lejon importin siskurse çdo legjislacion tjetër europian dhe pararendës shqiptar, por duke forcuar rregullat dhe procedurat dhe duke forcuar kërkesat e zbatimit të tij, në mënyrë që importi të kontrollohet sa më mirë dhe të mos kthehet në qëllim në vetvete, por t'i shërbejë industrisë së riciklimit, ruajtjes së kapacatiteve ricikluese, në mënyrë që të jetë kjo industri ricikluese që do të bëjë riciklimin e gjithë mbetjeve shqiptare në të ardhmen.“

Përveç frikës së hyrjes së mbetjeve të rrezikshme tek opozita dhe ambientalistët ekziston frika e kthimit të Shqipërisë në një vend depozitimi mbetjesh. Sipas yotit Baraj, strukturat e monitorimit dhe kontrollit janë shumë të dobëta. „Ato janë lehtësisht të korruptueshme. Përgjithësisht njerëzit nuk kanë sensibilitetin e duhur dhe mungon informacioni apo propaganda e nevojshme për rrezikshmërinë e mbetjeve, për pasojë, pa shumë problem, pronarë trojesh mund të ofrojnë tokat e tyre për vend-depozitim mbetjesh të rrezikshme kundrejt një shpërblimi. Pikerisht një fakt të tillë me tregonte një gazetar këto ditë, duke më sjellë etiketa kimikatesh të depozituara në një tokë private. Ato ishin kryesisht komponime organike aromatike që përgjithësisht janë toksike. Ai po investigonte për orgjinën e tyre. Nga ana tjetër, përherë e më shumë po flitet në shtypin Italian për mundësinë e sjelljes së plehrave në Shqipëri. Po të shtojme këtu dhe faktin se mafia është mjaft e përfshirë dhe posedon burime të mëdha financiare, them se ekzistojne të gjithë ingredientet për ta gatuar këtë “gjellë”, të sjelljes së mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri.“

Por sipas zotit Bino ky rrezik nuk ekziston, sepse ligji nuk e lejon këtë. Ai thotë për Deutsche Welle se ligji në nenin 48 të tij thotë se në Shqipëri ndalohet importi i mbetjeve me qëllim ruajtje dhe asgjësimi, pra ruajtja e shikuar si depozitim është e ndaluar në Shqipëri.

Autor: Amarildo Topi

Redaktoi: Aida Cama