1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdojnë përpjekjet për arritjen e rezolutës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit

19 Qershor 2007

Pesë minuta kishte planifikuar Gjermania për çështjen e Kosovës. Debati zgjati 45 minuta dhe si përfundim u shty për t’u vazhduar në kuadër të samitit të BE-së, të enjten dhe të premten në Bruksel

https://p.dw.com/p/AyMG
Frank-Walter Steinmeier në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së në LuksemburgFotografi: AP

Për një gjë ministrat e Bashkimit Evropian ranë dakord, siç del në pah nga konkluzionet e takimit të Luksemburgut, dhe siç do ta formulonte edhe ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank-Walter Steinmeier, në konferencën përmbyllëse: „Sot e përforcuam edhe njëherë që duhet të miratohet një rezolutë nga Këshilli i Sigurimit. Që ne, me mundësitë tona, duam të sigurojmë që ajo të miratohet. Sepse një rezolutë e Këshillit të Sigurimit sipas nesh do të jetë baza për një prani ndërkombëtare, kryesisht evropiane, në Kosovë.“

Në konkluzionet përfunditmare ministrat mbështesin të dërguarin e posaçëm i OKB/së, Martti Ahtisaari dhe kërkojnë që rezoluta të miratohet në afatin e duhur. Por se ç’do të thotë afati i duhur, kjo nuk është ende e qartë. Siç bëri të ditur ministri francez i punëve të jashtme, Bernard Kouchner, krahas propozimit të presidentit Nikolas Sarkozy për ta shtyrë paraqitjen e rezolutës me një afat prej gjashtë muajsh, ekziston edhe një propozim tjetër që vjen nga amerikanët për katër muaj. Siç shpjegoi ministri gjerman i punëve të jashtme Steinmeier, çështja nuk është se a duhet pranuar propozimi i presidentit francez a jo, por se si do të vazhdohet më tej, kur afati i caktuar do të ketë marrë fund, që do të thotë: „Në do të ketë një lloj automatizmi apo jo, se a do t’i kthehemi sërish një instance ndërkombëtare vendimmarëse siç është Këshilli i Sigurimit, se a duhet të ketë një proces tjetër jashtë Këshillit të Sigurimit.“

Bashkimi Evropian hë për hë ngul këmbë në miratimin e rezolutës. Kjo, jo vetëm për të garantuar ligjshmërinë e misionit të ri të BE-së, por edhe, siç i tha ministrja greke e punëve të jashtme, Dora Bakojanis, Deutsche Welles në shqip, për të unifikuar qendrimin evropian: „Ne kemi nevojë për një kornizë të re ligjore për të përparuar në Kosovë. Ne besojmë, se në se ka nevojë për më shumë kohë, atëherë duhet ta vëmë atë në dispozicion. Por na duhet një rezolutë e Këshillit të Sigurimit edhe për të unifikuar pozicionin evropian.“

Divergjenca kanë pasur ministrat edhe sa i përket mënyrës se si do të shfrytëzohet periudha deri në vendimmarjen e Këshillit të Sigurimit. Franca dhe Spanja janë për vazhdimin e bisedimeve të drejtpërdrejta mes serbëve dhe shqiptarëve, edhe për ta bindur Rusinë për mungesën e alternativës ndaj planit të Ahtisaarit. Ndërsa Britania e Madhe dhe Danimarka janë të mendimit, se bisedimet e drejtpërdrejta do të jenë të pafrytshme.

Ministrat gjithashtu kanë përshëndetur rifilimin e bisedimeve për marrëveshjen e stabilizim asociimit me Serbinë. Zëvendëskryeministri i serbisë, Bozhidar Gjeliç, kishte ardhur të hënën në Luksemburg për të zhvilluar takime bilaterale me disa ministra të BE-së. Serbia shpreson që në kryesinë e radhës së Francës në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm të fitojë statusin e kandidatit.
Në axhendën e punëve të jashtme të ministrave, krahas Ballkanit Perëndimor zuri një vend të rëndësishëm edhe situata në Rripin e Gazës. Bashkimi Evropian dhe Israeli, i cili ishte përfaqësuar nga ministrja e punëve të jashtme, Zipi Livni, vendosën që ta mbështesin financiarisht qeverinë e re të presidentit Mahmud Abbas. Bashkimi Evropian është i gatshëm të rifillojë ndihmat e drejtpërdrejta finaciare ndaj qeverisë palestineze, ndërsa Israeli u shpreh i gatshëm t’ia kthejë qeverisë palestineze paratë e mbajtura nga tatimet.

Por tema kryesore e takimit dyditor të ministrave të jashtëm të BE-së ishte kërkimi i një kompromisi për kushtetutën e re evroipiane. Por ata nuk arritën ta ndryshonin qendrimin e Polonisë, e cila ka propozuar që të rishikohet sistemi i shpërndarjes së votave në BE. Polonia po lufton që pesha e shteteve të veçanta të llogaritet me rrënjën katrore të numrit të popullsisë së secilit vend. Në këtë mënyrë ajo kërkon të dobësojë ndikimin e shteteve të mëdha. Shenjat për një kompromis në samitin e fundit të kryesisë gjermane të BE/së nuk janë të pakta. Megjithatë lufta diplomatike do të vazhdojë deri në çastin e fundit.