1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdojnë bisedimet konstruktive për formimin e qeverisë së re në Maqedoni

Fatos Musliu11 Korrik 2006

Sipas nënkryetares së BDI-së, Teuta Arifi, partia politike shqiptare, e cila ka fituar më shumë mandate të deputetëve ka të drejtën legjitime që të marrë pjesë në bisedimet për formimin e qeverisë së re

https://p.dw.com/p/AreS
Parlamenti maqedonas
Parlamenti maqedonasFotografi: dpa

Në takimin e radhës midis përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për formimin e Qeverisë së re, është arritur pajtueshmëri për shumë pikëpamje që kanë të bëjnë me stabilitetin e qeverisë, programin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, bisedimet i ka vlerësuar si tejet konstruktive dhe gjithnjë sipas saj formimi i Qeverisë është një punë serioze, për të cilën nuk duhet të vendosin individë por kryesitë qëndrore të partive.

"Duke patur parasysh seriozitetin e përgjithshëm të gjendjes, kemi biseduar për tema serioze politike. Kemi çmuar bashkarisht se është me rëndësi të formohet një qeveri stabël, se është në interes të përbashkët që të ketë një stabilitet qeveritar në të ardhmen. Jemi të interesuar dhe është interes i përbashkët që të ketë stabilitet në vend, gjithsesi kemi ardhur në mendime të përbashkëta sa u përket programeve ekonomike dhe kemi debatuar për kapacitetet reformuese që duhet ti kenë partitë politike, të cilat do ta formojnë Qeverinë e re", ka deklaruar Teuta Arifi, nënkryetarja e BDI-së.

Sipas saj, partia politike shqiptare, e cila ka fituar më shumë mandate të deputetëve ka të drejtën legjitime që të marrë pjesë në bisedimet për formimin e Qeverisë së re. Se kush do të hyjë në Qeveri nuk vendos BDI-ja, por kuptohet VMRO-DPMNE-ja, e cila ka shumicën e mandateve të deputetëve, thotë Teuta Arifi.

Përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, thotë se pas dy raundeve të bisedimeve me BDI-në është gjetur një emërues i përbashkët për programet politike në përgjithësi e në veçanti për ato ekonomike. Ai ka paralajmëruar se bisedimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen meqë për një punë aq serioze siç është formimi i qeverisë duhen konsultime të gjithanëshme.

Vlerësimet e përfaqësuesit të BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere, për përfshirjen e dy pative shqiptare, PDSH dhe BDI në qeveri, Milloshoski i karakterizon si një përkrahje të ndërkombëtarëve për proceset në vend e jo si një trysni politike ndaj mandatarit Nikolla Gruevski.

"Idetë e Fueresë mund të shpjegohen si përkrahje për përfshirjen e dy partive politike shqiptare në Qeveri me çka do të krijohej një koalicion qeveritar stabël në periudhën kur Maqedonia do të ballafaqohet me zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës", ka deklaruar përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.

Në selinë e VMRO-DPMNE-së ka qenë i pranishëm edhe zëvendëskryetari i PDSH-së, Munduh Thaçi, të cilit i është ofruar mundësia që të dyja partitë shqiptare të hyjnë në Qeverinë e re. Pas takimit, zoti Thaçi nuk është prononcuar për mediat. Jozyrtarisht mësojmë se për këtë propozim të ri duhet të vendosë kryesia qëndrore e PDSH-së.