1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vargje të freskëta nga Shqipëria në Gjermani

Anila Shuka10 Tetor 2006

Katër poetë të rinj shqiptarë në një udhëtim letrar në Berlin, Bon dhe Frankfurt, tregojnë drejtimin e letrave të sotme shqipe

https://p.dw.com/p/AsE3
Tirana
TiranaFotografi: DW

“Ju patët rastit të njiheshit pak me shpirtin shqiptar,” i tha publikut në anglisht Luljeta Lleshanaku në orën letrare të së djelës në Frankfurt. Panairi i librit. Ishte stacioni i fundit i udhëtimit letrar të poetes 38 vjeçare nga Tirana. Së bashku me të ishin dhe Lindita Arapi, Arjan Leka dhe Parid Teferiçin.

Nën titullin “Vargje të freskëta” aktiviteti i organizuar nga manaxherja e fondacionit Robert Bosh, Neviana Dosti, do të prezantonte disa grimca nga letërsia bashkëkohore në Shqipëri. Ishin kryesisht lirika nga botimet e fundit të katër poetëve të moshave nga 32 deri në 40 që i dhanë mundësi publikut gjerman të krijonin një imazh të parë për rrugën e nisur nga letërsia e re shqipe.

Parid Teferiçi do të shpjegonte se detyra e këtij brezi të ri letrarësh, të paprekur nga periudha e realizmit socialist, ishte të gjetja e gjurmëve të traditës letrare të shkatërruar nga diktatura.

Në përpjekjet për të zvogëluar hendekun me letërsinë botërore, avangarda e ardhur me vonesë në Shqipëri kaloi edhe nëpër disa “sëmundje foshnjore”, siç do t’i quante Arjan Leka eksperimentimet me rryma të modernes klasike, si ekspresionizmin, simbolizmin dhe hermetizmin. “Për fat të mirë, ato po aq shpejt sa erdhën, edhe u larguan,” thotë drejtori i Poetekës, festivalit ndërkombëtar të letërsisë në Durrës.

Edhe Lindita Arapi ishte e mendimit se lidhja me letërsinë botërore nuk kishte qenë e nevojshme të bëhej përmes përqafimit të rrymave të tilla. Krahas traditës së nisur në vitet 30-të të shekullit të kaluar, letërsia e sotme i referohet edhe krijimtarisë popullore, vëren poetja 38 vjeçare Luljeta Lleshanaku.

E megjithatë të katër autorët prezantuan me lirikat e tyre katër zhvillime të ndryshme letrare. “Përmes personalitetit të secilit, ju mund të krijoni edhe një qasje me historinë tonë kombëtare”, - u sugjeroi Lleshanaku të pranishmëve.