1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Varfëri e madhe, ujë i infektuar dhe frikë nga ndonjë katastrofë e re në provincën Aceh

Majke Sholc3 Janar 2005

Popullsia e provincës Aceh në veri të Sumatrës edhe para katastrofës nuk kishte një sistem të mirë furnizimi. Por pas përmbytjes së madhe situata është përkeqësuar.

https://p.dw.com/p/ArRA
Banda Aceh
Banda AcehFotografi: AP

Ushqimi është i racionuar. Një kilogram oriz për çdo person në javë. Fau Sima Um, kryeplaku i fshatit Lavrë ankohet se kjo sasi nuk mjafton të ushqehen njerëzit. Ata kanë uri. "Të gjithë artikujt ushqimorë janë konsumuar. Vetëm dje ne arritëm të marrim një furnizim të ri." Ndërkohë ka filluar shpërndarja e ndihmave ushqimore. Në mes të një sheshi rrënojash janë grumbulluar një shumicë njerëzish për të marrë ndihmat. Shtëpi të shkatërruara, palma të rrëzuara- në Lavrë, një fshat vetëm pak kilometra larg Aceh dallgët apokaliptike nuk kanë lënë gjë tjetër veçse halle dhe varfëri. Dikush që shpërndan thasët me oriz, thërret fqinjët e tij në tavolinë dhe shpërndan pastaj racionin me gotë.


Dr. Gideon Hartonon e sheh gjithë skenë dhe tund kokën. Varfëria është e madhe, tund kokën ai. Por pas katastrofës ajo ka marrë përmasa të mëdha. "Problemi kryesor është uji. Ky rajon këtu është fare pranë detit dhe dallga mbuloi çdo gjë. Më tej është edhe një rafineri nafte dhe ka shumë mundësi që uji të jetë i infektuar. Furnizimi me ujë në këtë provincë është një nga problemet kryesore. Ne besojmë se do të ketë shumë më tepër sëmundje diarreje por edhe mjaft raste të sëmundjeve të mushkërive."

Ndërsa Sima Um sheh probleme të reja për këtë zonë: "Këtu përreth ka shumë granata. Të gjitha nga kazermat e ushtrisë atje përballë. Edhe ato janë të shkatërruara nga përmbytja. Këtu ne as nuk guxojmë të pastrojmë. Kemi frikë se mos shpërthejmë në ajër.Për këtë arsye shumë banorë janë ngjitur të jetojnë malin pranë Lavrës në kapanone të ngritura provizorisht. Dikur do të ndërtojnë të gjithë shtëpitë e tyre, thotë Sima Um. Por besoj, jo më pranë detit. Kemi dëgjuar se do të ketë një përmbytje të re. Kjo na tremb. Për këtë arsye ju kemi thënë njerëzve këtu që të qëndrojnë për disa kohë në mal.