1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Varfëria në Shqipëri dhe pasojat sociale

29 Korrik 2009

Në Shqipëri një ndër dy vetë është i varfër, kurse një ndër 20 është ekstremisht i varfër. Sociologu Kosta Barjaba e gjen shkakun kryesor në nivelin e lartë të papunësisë dhe mungesën e një politike vizionare sociale.

https://p.dw.com/p/IzlS
Varfëria në Shqipëri ka pasoja sociale. Në foto: një lypëse në një rrugë të Tiranës
Varfëria në Shqipëri ka pasoja socialeFotografi: DW / Cama

Para zyrave të përkrahjes sociale të minibashkisë Nr.1 në Tiranë çdo të mërkurë ka një radhë të gjatë njerëzish që presin të marrin para. Një pjesë janë invalidë, të tjerë të papunë, kryetarë familjesh të varfëra që plotësojnë kushtet për asistencë sociale nga shteti. Njëri prej tyre është Shpend Lejla, një burrë rreth të 40-ve. Kur e pyes pse merr ndihmë sociale nga shteti, prej sa vitesh dhe si ia del mbanë të jetojë ai më thotë:

" Kam rreth 10 vite që jam i papunë, edhe unë edhe bashkëshortja ime. Nuk ka punë për zanatin tim. Jam tornitor, kam punuar në uzinën e Autotraktorëve, që sot nuk ekziston më. Janë mbyllur uzinat. Kam tre fëmijë. Ndihma sociale është vetëm 4 mijë lekë. Jetojmë kështu me copa, shesim banane, më ndihmon herë motra, herë vëllai që janë në punë. Çfarë të bëjmë?!

Sa të shumta janë në Shqipëri rastet si ky i Shpendit? Kosta Barjaba, ekspert në fushën e sociologjisë thotë për DW:

"Shqipëria është një vend i varfër. Treguesit e varfërisë janë të lartë, pasi varfëria reale është më e lartë se sa niveli i varfërisë, i pranuar zyrtarisht. Një në dy shqiptarë është i varfër dhe një në njëzet shqiptarë jeton me më pak se një dollar në ditë, pra është ekstremisht i varfër. Nëse niveli i varfërisë në Shqipëri është i krahasueshëm me atë në nivel global, niveli i varfërisë këtu është 4 herë më i lartë sesa ai në nivel global. Ashpërsia e varfërisë në Shqipëri është më e madhe se ajo në vendet e rajonit. Me këtë kuptojmë distancën e njerëzve të varfër nga vija e varfërisë dhe dallimet mes vetë njerëzve të varfër nga njëri - tjetri."

Ndërkohë radha e gjatë e njerëzve, që marrin asistencë varfërie tregon qartë fare se ka një mbulim të tyre nga shteti.

"Nëse një familje quhet ekstremisht e varfër, kur ka të ardhura ditore më pak se një dollar, burime të alokuara për luftën kundër varfërisë u sigurojnë këtyre familjeve vetëm 0,8 dollarë. Pra nuk u sigurojnë familjeve ekstremisht të varfëra burime finnaciare për të qenë në vijën e varfërisë, jo më për të dalë prej saj", thotë Kosta Barjaba.

Kjo situatë, sipas tij, është pasojë e mungesës së një politike aktive, vizionare, në themel të së cilës më tepër se përkrahja sociale për të varfërit duhet të ishte punësimi tyre, pasi varfëria është pasojë. Shkaku themelor është papunësia.

"Këto politika ka stimuluar asistencializmin dhe parazitizmin. Në Shqipëri njerëzit janë mësuar të presin, më mirë t' i nxjerrë shteti nga varfëria, sesa të përpiqen të dalin vetë. Këto janë përgjëgjësitë e qeverive në Shqipëri, që nuk kanë arritur dot të ndërtojnë politika vizionare, të alokojnë fonde, të ngrejnë shërbime që të ndihmojë njerëzit të dalin nga varfëria," thotë zoti Barjaba.

Situata e përshkruar prej tij paraqitet disi paradoksale, po të kihen parasysh ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë në 15 vitet e fundit.

" Po, kjo është disi paradoksale, por është një fakt i pranuar edhe në zhvillimin botëror që rritja ekonomike prodhon papunësi. Në Shqipëri nuk janë bërë përpjekje dhe nuk është orientuar zhvillimi ekonomik i vendit drejt atyre sektorëve që do të krijonin vende të reja pune. Politika më e mirë sociale është që çdo njeriut t'i gjendet një vend pune," shton ai.

Për cilindo është e ditur që as varfëria dhe as papunësia nuk janë dukuri vetëm shqiptare. Shifrat zyrtare të Kombeve të Bashkuara flasin për 1 miliard të varfër në nivel global.

Si paraqitet futja në tregun e punës e të papunëve në vendet e BE, ku Shqipëria shpreson që këtë vjeshtë të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim?

"Sipas standardeve të BE-së një ri i papunë nuk duhet të rrijë jashtë tregut të punës më shumë se 6 muaj dhe një person i papunë nga 25 – 60 vjeç nuk mund të rrijë më shumë se një vit jashtë tregut të punës. Në Shqipëri njerëzit rrinë për shumë vite jashtë këtij tregu, për të mos thënë edhe për dekada të tëra," thotë Kosta Barjaba.

Qeveria e re Berisha- Meta, që pritet të formohet në Tiranë në fillim të shtatorit, e ka shpallur reduktimin e varfërisë një prioritet të saj. Që ky prioritet të mos mbetet në letër si rezulton deri më tani, qeverisë së re i del përpara plotësimi i një detyre:

"Të verifikojë pse rritja e burimeve për luftën kundër varfërisë nuk sjell zbutjen e varfërisë", thotë Kosta Barjaba. Ai vetë e gjen përgjigjen e kësaj pyetjeje tek korrupsioni dhe klientelizmi.

Autor: Ani Ruci/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi