Kur gjermanët nuk blejnë dot dhuratat e Krishtlindjeve
25 Dhjetor 202414 milionë njerëz në Gjermani konsiderohen të varfër, kurse për një pjesë paratë nuk kanë rëndësi. Kontrasti bëhet i dukshëm sidomos tani në ditët e krishtlindjeve. Këtë e përjetoi këto ditë, Sandra Schlensog. Ajo ka dalë vetëm për të shëtitur nëpër tregun e Krishtlindjeve në Karlsruhe, sepse nuk mund të blinte asgjë, pasi nuk mund t'i përballojë çmimet. "Një palë çorape të thurura me dorë për 15 euro? Kjo është utopike," thotë 46-vjeçarja, duke e vënë palën që mban në dorë sërish në vend.
Sandra Schlensog merr ndihmën sociale të njohur si "paratë për qytetarin" dhe gjithashtu punon tetë orë në javë në një qendër për të sëmurët mendorë. Me kohë të plotë ajo nuk mund të punojë për shkak të problemeve shëndetësore. Paratë nuk i dalin asnjëherë - por sidomos në kohën e Krishtlindjes e ndjen shumë gjendjen e saj financiare. "Thjesht nuk ka dhurata të shtrenjta,” thotë ajo: "Dhe as në tregun e Krishtlindjeve nuk ka salçiçe skare”.
Çantë dore për 700 euro
Për blerjen e një salçiçeje, askush në "Dorotheen Quartier" të Shtutgartit nuk e vret mendjen. Rruga e njohur e blerjeve në kryeqytetin e landit, Baden-Vyrtemberg me dyqanet e saj elegante ka klientelë të fortë. Tek Louis Vuitton, çmimet për çantat kapin zakonisht katër shifra, megjithatë ende ka radhë para dyqanit gjatë periudhës para krishtlindjeve. Këtu, ndër shumë të tjerë, është edhe Thomas Gudd. Ai dëshiron të blejë një çantë për të dashurën e tij: "Duhet të jetë diçka e veçantë këtë vit”.
Kurse çanta që Manfred Holzknecht blen për gruan e tij është edhe më e lirë për standardet e këtushme: 700 euro. "Gratë thjesht i duan çantat”, thotë ai. "Nëse jeni i martuar për një kohë të gjatë, duhet ta bëni sërish të lumtur gruan tuaj”. Kjo vlen edhe jashtë sezonit të Krishtlindjeve, thotë gruaja e tij Katharina: "Thjesht blen diçka herë pas here për gëzim të vogël”.
Ta bësh vetë dhuratën jo ta blesh
Për Sandra Schlensog, blerjet jashtë radhe nuk janë të mundshme as në Krishtlindje. Prandaj ajo dhuron sende të bëra vetë si biskota apo kapele të thurura. Ajo bën vetëm një përjashtim për djalin e saj 16-vjeçar: gjithë vitin ajo ka kursyer për dhuratën e tij të Krishtlindjes. "Tani që kam punë me kohë të pjesshme, mund të lë mënjanë dhjetë apo 15 euro në muaj”, thotë ajo. Kjo do të thotë se ajo kursen rreth 150 euro në vit. Paratë që ajo i përdori edhe për të financuar dhuratën e Krishtlindjes për djalin e saj.
Mbi të gjitha, ai dëshiron veshje. Në dollapin e tij gjen vetëm gjërat "të domosdoshme", thotë nëna e tij: dy pulovra, disa bluza, një palë xhinse - "xhinset e tjera ia ka veshur", thotë nëna. Në apartamentin e saj me qira letra e murit bie nga muret. "Në fakt, kjo duhet të ribëhet dhe të lyhet", thotë Sandra Schlensog. Por ata nuk kanë para të mjaftueshme për këtë. Mobiljet tregojnë gjithashtu moshën e tyre: nga një kolltuk ka dalë sfungjeri nga një çarje edhe divani 17-vjeçar është i varur. "Ky ishte shtrati im për një kohë të gjatë," thotë Sandra Schlensog. Tani ajo ka sërish një shtrat të vërtetë, falë një donacioni.
Vizitat e atraksioneve kushtojnë
Sandra Schlensog dhe djali i saj nuk janë raste përjashtuese në Gjermani: Shoqata e Përgjithshme e Barazisë e Bamirësisë (Paritätische Wohlfahrtsverband) numëron 14 milionë njerëz si të varfër. Shumë njerëzve varfëria iu bëhet veçanërisht e qartë kur fillon sezoni i Krishtlindjeve. Megjithatë, Sandra Schlensog i pëlqen Krishtlindjet: "Unë përpiqem për sa më shumë komoditet", thotë ajo. Megjithatë do të donte të kishte para një ose dy "lukse" të vogla, siç thotë ajo, si për shembull një udhëtim me karusel në tregun e Krishtlindjeve. "Mendoj se është bukur, sidomos në mbrëmje”. Por një udhëtim kushton gjashtë euro për të rriturit. "Kjo është thjesht tepër e shtrenjtë," thotë Sandra Schlensog: "Nuk e paguaj dot."
Reportazh i Thomas Eberding, SWR, Hannah Vogel, SWR, Tim Kukral, SWR, DW