1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Valë ekstreme të ftohti në disa pjesë të SHBA

21 Janar 2025

Ndërsa banorët e Kalifornisë jugore vazhdojnë të luftojnë kundër zjarreve, temperatura që kërcënojnë jetën janë regjistruar në shumë zona të SHBA.

https://p.dw.com/p/4pOFL
"Central Park" në Nju Jork me pemët të mbuluara nga dëbora, në sfond dy kulla të Manhatanit
Pamje nga Nju JorkuFotografi: Thomas Hengge/Anadolu/picture alliance

Shumë zona të SHBA kanë ngrirë nën një të ftohtë ekstrem në fillim të kësaj jave. Temperatura deri në 40 gradë nën zero dhe reshje të forta bore e bëjnë situatën të rrezikshme për jetën, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit. Meteorologët bënë gjithashtu paralajmërime për stuhi dimërore të hënën (20.01.), e cila mund të prekë deri në 70 milionë njerëz.

Banorët e shteteve të Atlantikut të Mesëm, në veçanti, duhet të vishen mirë, veçanërisht në Nju Jork, Nju Xhersi dhe Pensilvani. Në New England, më në veri, duke përfshirë shtetet e Connecticutit, New Hampshire-t, Maine-t, Massachusetts-it, Rhode Island-it dhe Vermontit, alarmet janë në fuqi që dje pasdite. Deri të mërkurën priten reshje të forta bore në perëndim të Nju Jorkut, me reshje deri në 90 centimetra në disa zona.

Stuhi bore ne Washington, D.C. rruge me bore prane nje shtepie
Stuhi bore - Washington, D.CFotografi: Lena Klimkeit/dpa/picture alliance

Rekomandohen pajisje emergjente e celularë të ngarkuar

Ka ditë që i ftohti ka prekur një pjesë të madhe të SHBA, por të hënën (21.01.) pritej që temperaturat të zbrisnin nga 34 në 48 gradë nën zero. Popullatës në Minnesota i rekomandojnë veshje të përshtatshme dimri dhe në rast udhëtimi, të mbajë me vete pajisje emergjente.

Shërbimet e urgjencës i kujtojnë drejtuesit e automjeteve të udhëtojnë me serbator të mbushur plotësisht dhe me celularë plotësisht të karikuar, për të kontaktuar familjet e tyre në rast nevoje.

Gjithashtu priten temperatura të ulëta rekord në kryeqytetin Uashington D.C, ku termometri ka gjasa të bjerë në shtatë gradë nën zero, sipas meteorologëve. Fryn gjithashtu edhe erë e akullt. Parashikimi bëri që presidenti i ardhshëm i SHBA, Donald Trump, ta kalonte ceremoninë e marrjes së detyrës në brendësi të Kapitolit.

New York - Njerëz shijojnë borën në Central Park - disa vetë me patinazh
New York - Njerëz shijojnë borën në Central ParkFotografi: Agencia EFE/Imago Images

Vala e ftohtë lidhet me të ashtuquajturin "Arktic Outbreak". Kjo i referohet ardhjes së papritur të ajrit jashtëzakonisht të ftohtë nga rajonet polare, në zona më të ulëta. Sipas ekspertëve, kjo masë ajrore rrjedh shpesh nga Arktiku përmes Kanadasë dhe SHBA, e nxitur nga sisteme të forta me presion të lartë në veri dhe zona me presion të ulët më në jug. Si rezultat, temperatura arrijnë pika në 35 gradë nën zero, dhe në tokë mund të zbresin nën 40 gradë nën zero. Në kombinim me erërat e forta, stuhitë e borës, të njohura si "Blizzards"("erëra të befta"), mund të shkaktojnë kushte kaotike në ambient.

Moti ekstrem - më i shpeshtë prej ndryshimeve klimatike

Në një kohë që të shtunën, në bregun perëndimor zjarre shkatërruese pyjesh përfshinë metropolin e Los Anxhelosit, disa zona patën më shumë borë javën e fundit se në çdo kohë tjetër të vitit. Meteorologët besojnë se fenomenet e ndryshme ekstreme të motit, si ato që ndodhin këtë javë në SHBA, janë shpeshtuar për shkak të ndryshimeve klimatike.

 

 

 

aud (tgsch)