1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Uria dhe kolera po godasin ashpër Jemenin

15 Tetor 2017

Ndërsa bashkësia ndërkombëtare është përqendruar në zgjidhjen e krizave në Siri dhe në Irak, numri i të sëmurëve me kolerë në Jemen po arrin nivelin një milion.

https://p.dw.com/p/2lqEj
Jemen Cholera-Ausbruch
Fotografi: Reuters/K. Abdullah

Nobelisti i Paqes nga Jemeni Tavakol Karman akuzoi së fundi bashkësinë ndërkombëtare se po e injoruan vuajtjen e popullsisë së Jemenit prej urisë dhe sëmundjeve.

Jemeni është i përfshirë prej disa vitesh në luftë civile dhe prej marsit 2015 janë vrarë mbi 10.000 vetë dhe janë shpërngur më tepër se tre milionë të tjerë. Sipas OKB-së rreth 80% e popullsisë së Jemenit ka nevojë urgjente për ndihma humanitare dhe miliona njerëz kanë probleme me furnizimin me ujë. 

Jemen Cholera-Ausbruch
Fotografi: Reuters/K. Abdullah

Por ndërsa bashkësia ndërkombëtare është e përqendruar në zgjidhjen e krizave në Siri dhe në Irak, Jemenit nuk po i kushtohet shumë vëmendje. Ndërkohë në këtë vend ka shpërthyer kolera dhe sipas organizatës Save the Children, numri i të infektuarve ka arritur në më tepër se një milion përfshi edhe 600.000 fëmijë.

"Kolera është e pranishme prej shumë kohësh në Jemen, por ne kurrë nuk kemi parë një përhapje të tillë. Fëmijët po vdesin nga uria dhe njerëzit nuk kanë mundësi të marrin ndihmë mjekësore." tha drejtori për Jemenin i organizatës Save the Children, Tamer Kirolos.