1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pritje e gjatë për urën e dytë

Keno Verseck / Eliana Xhani29 Nëntor 2012

Rreth dy dekada janë zënë rumunët dhe bullgarët për ndërtimin e një ure mbi Danub në kufirin e përbashkët. Ura tani ka përfunduar, por përurimi u shty, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi të ardhurat.

https://p.dw.com/p/16sBQ
Fotografi: DPA

Lokaliteti rumun Calafat është për shumë udhëtarë një vrimë e frikshme gjilpëre në rrugën nga qendra drejt jugut të Evropës. Rumania dhe Bullgaria kanë një kufi të përbashkët rreth 450 kilometra përgjatë Danubit por një urë të vetme. Ura gjendet shumë larg në lindje, në afërsi të kryeqytetit rumun Bukuresht. Për disa itinerare kjo do të thotë disa qindra kilometra devijim. Për këtë arsye shumë udhëtarë janë të detyruar të presin në Calafatin rumun ose në Vidin, në anën bullgare.

Zhgënjim pas shpresave për një "projekt model"

Dy tragete janë çdo ditë në punë, gjashtë deri pesëmbëdhjetë kamionë mund të bartin ata në një udhëtim. Vargu i kamonëve në disa raste arrin deri në qytezën rumune me 15.000 banorë, Calafat. Më keq e ka punën kush arrin në perëndim: me rënien e errësirës tragetet e ndërpresin punën deri të nesërmen në mëngjes.

Ura në të vërtetë duhej të ishte ndërtuar prej kohësh. Që në vitin 1994 në Brukselin e largët u vendos ndërtimi i të ashtuquajturit "Korridori IV panevropian i transportit". Itinerari i tij lidh shumë metropole evropianolindore dhe kalon nga Dresdeni në Pragë, Budapest e Bratislavë dhe nga Sofia deri në Stamboll. Që atëherë Rumania dhe Bullgaria u zunë për vendin ku duhej të ndërtohej ura. Rumunët donin një vend më të përshtatshëm për ta. Por nën trysninë e BE-së ura filloi më në fund të ndërtohet në 2004 pranë Calafatit dhe Vidinit.

Në Bruksel asokohe u shpresua se projekti i ndërtimit të urës do të bëhej model i bashkëpunimit bilateral në Evropën Juglindore, në një rajon ku tradicionalisht ka zënka mes vendeve. Por kjo nuk u realizua. Bullgaria e organizoi ndërtimin e urës në pjesën më të madhe vetë dhe ngarkoi kompaninë spanjolle FCC me projektin prej 270 milionë eurosh. Kompania punëson krahas specialistëve spanjollë para së gjithash punonjës dhe firma bullgare. Vetëm pak firma rumune u përshinë në projektin e ndërtimit.

Radhë të gjata në pikën kufitare mes Bullgarisë dhe Rumanisë Cafalat - Vidin
Radhë të gjata në pikën kufitare mes Bullgarisë dhe Rumanisë Cafalat - VidinFotografi: DW

Shtyhet sërish data e përurimit

Fillimisht ishte planifikuar që ura të përfundonte para vitit 2010 por për shkak të veçorive gjeologjike statika e urës duhej të llogaritej nga e para. Edhe afati i caktuar muaj më parë, 29 nëntori, nuk mund të arrihet më. Vërtet punimet për urën kanë përfunduar në pjesën më të madhe: pak javë më parë u plotësua segmenti i fundit 18 metra i gjatë para bregut rumun. Këmbësorët mund të kalojnë që tani në veprën impozante, më shumë se dy kilometra të gjatë.

Por vetëm teorikisht, pasi rrugët deri te ura nuk janë ende gati dhe pikat e kontrollit kufitar nuk janë ngritur. Julio Ruís, nga kompania spanjolle e ngarkuar me realizimin e projektit, thotë se nevojitet të paktën edhe një vit për provat e qendrueshmërisë.

Në rajonin me ekonomi të prapambetur, përgjegjësit ëndërrojnë ndërkohë për impuslet ekonomike që sipas tyre do të burojnë pasi ura të jetë gati: "Ura do të lehtësojë marrëdhëniet ekonomike mes vendeve tona", beson Gergo Gergov, kryetari i bashkisë së qytetit bullgar Vidin me rreth 50.000 banorë.

Deri tani e vetmja mbi Danub - Ura "Giurgiu Ruse" mes Bullgarisë dhe Rumanisë
Deri tani e vetmja mbi Danub - Ura "Giurgiu Ruse" mes Bullgarisë dhe RumanisëFotografi: luksoft

Edhe në anën tjetër të lumit, në Calafat, ura shihet si një premtim për një të ardhme më të mirë: "Ne shpresojmë me gjithë zemër që në saje të urës qyteti ynë të zhvillohet në aspektin ekonomik dhe të turizmit dhe të krijohen vende të reja pune", thotë Constanza Vărzaru, kryearkitekte në bashkinë e qytetit.

Por ndoshta për këtë do të duhet të kalojë edhe ca kohë pasi zënkat politike mes dy vendeve vazhdojnë: Rumania dhe Bullgaria duan të ngrenë padi kundër njëra-tjetrës pasi nuk po arrijnë të bien në ujdi për ndarjen e të ardhurave që do të mblidhen nga taksat për kalimin e urës.