1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Muzikë me mision

Corina Kolbe/Vilma Filaj-Ballvora22 Nëntor 2012

Dirigjenti e pianisti argjentino-izraelit Daniel Barenboim me anë të forcës së muzikës lufton për tolerancën në konfliktin e Lindjes së Mesme. Artisti i pazakontë më 15 nëntor të këtij viti mbushi 70 vjeç.

https://p.dw.com/p/16nvs
Daniel Barenboim
Daniel BarenboimFotografi: picture-alliance/dpa

Vazhdimisht dhe shprehimisht, Daniel Barenboim ka treguar se si muzika mund t´i bashkojë njerëzit. I talentuar në fushën e muzikës, ai braktisi Argjentinën për Izraelin dhe Evropën në një moshë të re. Në dekadat e mëvonshme, ai ka shijuar famën si pianist dhe dirigjent. Qytetari shumë-gjuhësh i botës ka demonstruar kurajon e bindjeve të tij, duke krijuar projekte që njerëzit të luanin muzikë sëbashku, duke hequr në këtë mënyrë paragjykimet dhe pengesat mes grupeve të ndryshme. Gjithsesi ai nuk ka ambicie për t´u bërë një burrë shteti, pasi preferon të mbetet artisti që është. Ajo çka më intereson është aspekti njerëzor dhe jo politika, thotë ai.

Ai lindi në Buenos Aires në vitin 1942. Gjyshërit e Barenboim të cilët ishin hebrenj rusë, fluturuan drejt Amerikës së Veriut në fillim të shekullit të njëzetë, për t´i shpëtuar masakrës së Perandorisë Ruse. Në Argjentinë, Barenboim mësoi të luante në piano në moshën 5-vjeçare, dhe dy vite më vonë, kur ishte vetëm 7 vjeç, dha shfaqjen e tij të parë.

Barenboim njihet për angazhimin e tij për paqen
Barenboim njihet për angazhimin e tij për paqenFotografi: Monika Rittershaus/Staatsoper Berlin

Në rrugëtimin drejt Izraelit, ku familja e tij emigroi në vitin 1952, ata ndaluan në Salzburg, ku Barenboim performoi një recital të Bahut, si pianist i ri. Dy vite më vonë, dirigjenti legjendar Wilhelm Furtwängler e quajti atë "fenomeni". Shumë shpejt, jeta tipike prej artisti nomad nisi me performancat e tij të para në Vjenë, Romë, Paris, Londër dhe Nju Jork. Njëkohësisht ai nisi të regjistronte albume.

Karrierë e larmishme

Pas debutimit si dirigjent me Orkestrën Filarmonike të Londrës në vitin 1967, shumë shpejt ai nisi të dirigjojë orkestrat më të famshme të botës. Barenboim u bë dirigjenti kryesor i Orkestrës së Parisit, drejtoi Festivalin e Bayreuthit në fillim të vitit 1981, mori një post si Drejtori Muzikor në Orkestrën Simfonike të Çikagos dhe u bë Drejtori i Përgjithshëm Muzikor i Operës Shtetërore Berlineze në vitin 1992. Përveç këtyre, ai u bë drejtori muzikor i La Scala-s në Milano në vitin 2011, pas një bashkëpunimi të ngushtë prej shumë vitesh me shtëpinë e operas.

Barenboim nuk u përqendrua vetëm në veprat e Vagnerit, Beethovenit dhe Shumanit, por ai punoi edhe me muzikën bashkëkohore. Në Operën Shtetërore Berlineze ai dirigjoi veprat e Pierre Boulez, Wolfgang Rihm, Isabelle Mundry, York Höller si dhe operan e amerikanit Elliot Carter.

Provokimi i miqve izraelitë

Duke mbajtur nënshtetësitë argjentinase, izraelite dhe palestineze, Barenboim e përjetoi personalisht konfliktin në Lindjen e Mesme, duke mos pasur këndvështrim të njëanshëm. Muzikanti bëri një skandal gjatë marrjes së çmimit Israel´s Wolf Prize. Gjatë fjalimit të marrjes së çmimit, ai kritikoi ashpër kursin izraelit kundër palestinezëve, dhe citoi Deklaratën e Pavarësisë Izraelite të vitit 1948. Presidenti i Izraelit, Moshe Katsav, akuzoi Barenboim për fyerje të të mbijetuarve të Holokaustit, për shkak të dirigjimeve të veprave të anti-semitikut Richard Wagner.

Barenboim është ende i bindur se muzika mund të thyejë barrierat e urrejtjes. Së bashku me intelektualin palestinez tashmë të vdekur Edward Said, ata sollën për herë të parë për një seminar pune në Weimar të Gjermanisë muzikantë të rinj nga Izraeli dhe Arabia Saudite. Duke marrë emrin nga koleksioni me poezi i Gëtes lindi orkestra "West-Eastern Divan", e cila u shndërrua në një orkestër shumë-kombëshe nga Lindja e Mesme dhe që atëherë organizon ture të përvitshme. Pjesëtarët e Orkestrës "West-Eastern Divan" vijnë nga Izraeli, territoret palestineze, Jordania, Siria, Libani dhe Egjipti.

Daniel Barenboim në konzert, korrik 2012
Daniel Barenboim në konzert, korrik 2012Fotografi: picture-alliance/dpa

Tejkalim kufijsh

Një nga kulmet e ekzistencës së orkestrës "West-Eastern Divan" ishte koncerti i dhënë në Ramallah, në Bregun perëndimor, në vitin 2005. Nën masa madhore sigurie, orkestra mundi të hynte në këtë territor me pasaporta diplomatike spanjolle. Muzikantët izraelitë hynin në territorin palestinez për herë të parë, dhe kolegët e tyre arabë nuk kishin udhëtuar kurrë më parë në Izrael. Gjatë atij udhëtimi aventuresk u bë tepër e dukshme se si kufijtë, në dukje të pakapërcyeshëm, kishin bërë që njerëzit të mos mësonin shumë gjera "rreth anës tjetër." Siç shpjegon Barenboim, orkestra "West-Eastern Divan" do të merrte përmasat e saj të vërteta vetëm pasi ajo të performonte në të gjitha shtetet e muzikantëve të saj.

Kur një gazetar izraelit pyeti dikur Barenboim nëse muzika mund të ndalonte një fëmijë palestinez që të gjuante me gurë një bashkëmoshatar izraelit, ai iu përgjigj: "Jo, por nëse një fëmijë do të merrte leksione pianoje ose violinçeli tre ose katër herë në javë, ai nuk do të kishte kohë të mësohej me ide radikale."