1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Universitetet maqedonase duan të tërheqin më shumë studentët e huaj

18 Shkurt 2011

Në universitetet e Maqedonisë numri i studentëve të huaj është simbolik. Njohësit e arsimit të lartë thonë, se universitetet nuk janë tërheqës për të huajt, pasi ligjëratat mbahen kryesisht në maqedonisht dhe shqip.

https://p.dw.com/p/10JVG
Universiteti i Tetovës.Fotografi: Petar Stojanovski

Në Maqedoni ekzistojnë pesë universitete shtetërore dhe 18 institucione të larta arsimore private. Numri i studentëve vendas është gjithnjë në rritje, por sipas të dhënave zyrtare të ministrisë së arsimit, numri i studentëve të huaj në universitetet e Maqedonisë është tejet simbolik.

Në universitetin shtetëror të Shkupit, çdo vit akademik krahas 6000 studentëve vendas regjistrohen edhe 150 studentë të huaj.

"Kryesisht bëhet fjalë për studentë, që vijnë nga vendet fqinje dhe të rajonit si Bullgaria, Serbia, Shqipëria, Kosova dhe Turqia", - thotë Elena Dumova, prorektore në universitetin e Shkupit.

Sipas ekspertëve, numri i vogël i studentëve të huaj në universitetet e Maqedonisë, ka të bëjë me faktin se universitetet nuk janë tërheqës dhe nuk ofrojnë programe studimore në anglisht, ndërkohë që njohja e gjuhës maqedonase paraqitet si vështirësi reale. Por sipas prorektores Elena Dumova, në universitetin e Shkupit ka filluar të japë rezultate pozitive aplikimi i një programi, i cili mundëson ardhjen e studentëve të huaj në universitetin e Shkupit.

Universität in Skopje, Mazedonien
Universiteti i Shkupit.Fotografi: picture-alliance/ dpa

"Në të ashtuquajturin 'joint programe', ligjëratat në mënyrë paralele mbahen në gjuhën maqedonase dhe angleze. Këto ligjërata i mbajnë edhe profesorë nga universitetet evropiane", shprehet prorektorja Dumova.

Në universitetin shtetëror të Tetovës numri i studentëve të huaj arrin në 10%. Meqë në këtë universitet mësimi mbahet në gjuhën shqipe, studentët e huaj kryesisht janë nga Shqipëria, Kosova, dhe Lugina e Preshevës, thotë Selam Sulejmani nga universiteti i Tetovës:

"Pjesa dërmuese e studentëve të huaj që studiojnë janë të regjistruar në programet studimore në gjuhën angleze, gjermane, frënge dhe italiane."

Universiteti i Tetovës krahas programeve studimore, synon të jetë tërheqës për studentët e huaj edhe me pagesat e ulëta për studimet.

"Ajo çka e dallon universitetin tonë nga universitetet private është participimi shumë më i volitshëm, se sa shuma që paguhet në universitetet private të Maqedonisë", thotë Selam Sulejmani.

Në universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, numri i studentëve të huaj është disi më i madh në krahasim me universitet tjera.

"Shikuar për nga përfshirja gjeografike, 89% janë studentë nga Maqedonia kurse 11% janë nga rajoni e më gjerë, pra studentë jashtë Maqedonisë”, thotë Demush Bajrami, këshilltar i rektorit të universitetit të Evropës Juglindore.

Ky universitet është tërheqës për studentët e huaj pasi ofron programe studimore në gjuhen angleze.

"Janë duke u realizuar edhe programe të reja studimore si diploma e dyfishtë në universitetin prestigjioz të Londrës “London school of economics”dhe universitetin e Jonçepingut në Suedi", thotë Demush Bajrami.

Ministria maqedonase e Arsimit, për herë të parë në këtë vit akademik, do të bëjë klasifikimin e universiteteve më të mira në vend, që do të jetë edhe një përfitim për tërheqjen e studentëve jashtë Maqedonisë.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Eliana Xhani