1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Umeå - Kryeqytet i kulturës evropiane

Ralf Bosen 1 Janar 2014

Pas 16 vjetësh përsëri një qytet suedez bëhet kryeqytet i kulturës evropiane. Pas Stokolmit vjen tani Umeå, që është deri tani kryeqyteti më verior i kulturës evropiane.

https://p.dw.com/p/1AiZu
Nordschweden Schlittenhundetour
Fotografi: Aurora Borealis

Umeå ka plane ambicioze. Për këtë nuk lë asnjë dyshim Anna Olofsson. "Synimi kryesor i kryeqytetit kulturor është rritja e tij“, thotë shefja e marketingut të qytetit në Suedinë e Veriut. Në dhomën e pritjes së bashkisë ajo tregon në mënyrë energjike një plan të qytetit në mur dhe shpjegon, se qëllimi është joshja e investitorëve. "Ne duhet të shtohemi, për të ofruar shumëllojshmëri ofertash, gjë që pritet nga një qytet modern", thekson ajo. Që tani Umeå është një nga qytetet me rritjen më të shpejtë në Suedi. Në 50 vitet e fundit popullsia është trefishuar. Ndërkohë në qytet jetojnë 80.000 njerëz, së bashku me rrethinat janë 116.000. Olofsson shpreson që popullsia të dyfishohet dhe të arrijë në 200.000.

Atdheu i autorit të romaneve policorë Stieg Larsson

Umeå përfiton nga një industri në zhvillim dhe nga vendet e studimit të subvencionara nga shteti. Shumë qytetarë kanë një arsimim të shkëlqyer, thuajse nuk ka fare probleme sociale dhe mesatarja e kriminalitetit është e papërfillshme. Përveç kësaj atdheu i autorit të romaneve policorë, Stieg Larsson, që nuk jeton më, konsiderohet si dinamo kulturore për qytetin në bregdetin verior të Suedisë. I vogël, por me fuqi të madhe. Qyteti i dymbëdhjetë për nga madhësia i Suedisë në provincën Västerbotten kombinon një natyrë të paprekur, shpesh të pashfrytëzuar, me modernitetin urban. Nga njëra anë në rrugë kalojnë drerë, slita me qen. Nga ana tjetër Umeå ka lidhjet më të shpejta të internetit të botës perëndimore, qyteti ka një skenë të gjallë kulturore dhe universtieti i tij është me famë ndërkombëtare. Por në këto dafina nuk duhet të prehemi, porosit shefja e marketingut Olofsson.

Nordschweden Schlittenhundetour
Fotografi: Aurora Borealis

Në katin e parë të bashkisë po punohet për të bërë realitet vizionet e shtimit të numrit të banorëve të Umeås. Këtu ka zënë vend ekipi organizues i vitit të kryeqytetit evropian. 37 burra dhe gra duan të përpiqen me një buxhet të përgjithshëm prej rreth 40 milionësh, që opionioni ta perceptojë Umeå-n si një qytet të hapur, me orientim nga e ardhmja. Gati kudo në muret e zyrave varen postet me një zemër të kuqe, që qesh, simboli i kryeqytetit të kulturës evropiane. Në parket ndodhen shpërndara dhjetëra kuti kartoni me broshura. Eshte një kaos krijues, krejtësisht në kontraditë me qetësinë e përqëndrimin, me të cilën punohet prapa kompjuterave.

Barra që i bie një kryeqyteti të kulturës evropiane

Veçanërisht mbresëlënëse është një derë e bardhë prej druri, që është e mbuluar gati e tëra me nënshkrime me ngjyra. "Në derë janë përjetësuar të gjithë artistët, që debutojnë tek ne", thotë Fredrik Lindegren. Me tonin e tij të çlirët dhe me trikon me viza dhe pantallonat blue jeans Lindegren duket më shumë si një student i moshuar se sa si drejtor artistik i vitit të kryeqytetit të kulturës. Ai është përgjegjës për rreth treqind aktivitete: festivale, opera, ekspozita, lexime letrare, si dhe koncerte pop dhe rock. Në 2010 Këshilli i Bashkimit Evropian zgjodhi Umeå-n si kryeqytet të Kulturës Evropiane 2014 krahas kryeqytetit të Letonisë, Riga. Umeå ndodhet rreth 650 kilometra në veri të Stokholmit dhe vetëm 150 kilometra nga poli i veriut. Ai është kryeqyteti më verior i kulturës evropiane.

Karte Schweden Umea (Umeå) Kulturhauptstadt 2014

Me moton e saj "Kuriozitet dhe Pasion", me rëndësinë e saj si motor i zhvillimit rajonal dhe duke vënë në fokus kulturën e banorëve indigjenë sami, popullit të vetëm indigjen të BE, Umeå e bindi jurinë. Atje priten të vijnë deri në 200.000 vizitorë. "Por me titullin e kryeqytetit të kulturës evropiane lidhen shumë sfida”, thekson menaxheri i kulturës Lindegren. Fundja titulli është një mbështetje për ne nga BE dhe ne duhet të tregohemi të denjë për të. Nuk është një detyrë e lehtë, sepse siç njoftoi shtypi suedez nuk ka aq shumë sponsorë, siç pritej, kështu që financimi i disa projekteve është i diskutueshëm. Për më tepër, disa përfaqësues të popullit sami kanë shprehur dyshime në lidhje me vitin e kryeqytetit kulturor. Ata duan të presim e të shohin, nëse kultura e tyre do të vihet në pah si duhet. Ka edhe kritika, se Umeå është më e interesuar për vetëinskenimin e saj, se sa për aktivitetet inovative kulturore.

Kësaj kritike Fredrik Lindegren i vë përballë pikat kulmore të programit. "Gjatë kohës të pikut të verës, kur në Suedi është pothuajse 24 orë ditë, ka një serë aktivitetesh në qiell të hapur." Në asnjë mënyrë nuk duhet lënë pa parë Elektra e Richard Strauss. Qendra e eventeve Norrlands Operan vë në skenë operan në bashkëpunim me grupin katalan La Fura dels Baus si spektakël në qiell të hapur. "Do të jetë një shfaqje me zjarr dhe ujë, gjak dhe dramë", thotë Lindegren.

Në qendër të programit janë tetë sezonet e kalendarit të popullit sami: koha e zgjimit në pranverë, koha e kthimit në fillim të verës, koha e rritjes në verë, koha e reflektimit në fund të verës, koha e korrjes në vjeshtë, koha e energjisë në fund të vjeshtës, koha e lëvizjes në dimër si dhe koha e kurimit në fund të dimrit. Ekspozita me punime të artistëve sami jep gjatë gjithë vitit një pasqyrë të jetës së sami. Përveç kësaj suedezët duan të tregojnë anën rinore të qytetit me një turne futbolli të të rinjve, si dhe me koncerte heavy-metall dhe punk. Sepse në Umeå jetojnë 34.000 studentë nga të gjitha rajonet e Suedisë dhe nga jashtë.

Schweden Umea Kulturhauptstadt 2014 Umeå Kaiufer
Fotografi: Touristic Bureau of Umea

Tolerancë dhe dëshirë për inovacion

"Mosha mesatare është 37 vjeç", thotë drejtorja e marketingut Anna Olofsson me krenari të dukshme. Luhatje kryesisht nga ardhja dhe ikja e studentëve ështe aq e madhe, sa që popullsia e komunës statistikisht ndërrohet krejtësisht çdo shtatë vjet. Nga kjo dinamikë Umeå është kthyer në një qytet kozmopolit", i cili është i hapur për ide të reja si dhe për forma të ndryshme të jetesës"

Rrënjët e kësaj tolerance shkojnë thellë në të kaluarën. Në Suedinë veriore, fshatarët nuk kanë qenë kurrë bujkrobër, thotë Olofsson, kështu që prej shekullit të 18 është krijuar një kulturë e zhvilluar e diskutimit të barabartë, nga e cila njerëzit kanë thithur arsimimin dhe vetëdijen për veten. Pastaj shefja e marketingut kthehet përsëri te shqetësimi i saj kryesor: shtimin e banorëve të vendlindjes së saj. Edhe një herë i bie daulles së reklamës. Suedia është një vend i zhvilluar, “por në qoftë se ju doni të gjeni thelbin e këtij mentaliteti në ndonjë qytet, atëherë ejani në Umeå." Ndoshta kryeqyteti kulturor do të arrijë me të vertetë pas disa vjetësh të ketë 200.000-banorë.