1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ujë të pastër për Beratin dhe Kuçovën - Qeveria gjermane financon projektin e ujësjellësit

26 Korrik 2010

Përmirësimi i jetës së përditshme të njerëzve në qytetet e vogla e zonat rurale përbën një nga objektivat e realizimit të projekteve të Gjermanisë në Shqipëri. Filloi ristrukturimi i ujësjellësit të zonës Kuçovë- Berat.

https://p.dw.com/p/OUmy
Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: DW

Me një investim prej 11,2 milionë eurosh banorët e Beratit dhe të Kuçovës do të kenë një ujësjellës të ri që do të çojë në rubinetat e çezmave të tyre ujë të kontrolluar nga pikëpamja higjenike. Ute Rodrian, Drejtore Rajonale e Bankës gjermane KfW, tregon se çfarë synohet të arrihet me këtë projekt. “Me këtë projekt në Berat dhe në Kuçovë po mbështesim kompaninë rajonale të ujësjellësit. Qëllimi i projektit është t'u sigurojë klientëve në të dyja qytetet ujë të mirë, që do të thotë ujë me cilësi dhe në kushte të pranueshme higjenike. Kjo do të reflektohet më pas në zhvillimin e qëndrueshëm të kompanisë së ujësjellësit, në rritjen e numrit të klientëve të saj që do të kenë furnizim të mjaftueshem me ujë. Dhe kjo për të gjithë banorët e zonës Berat – Kuçovë.”

Ute Rodrian, drejtore Rajonale e Bankës gjermane KfW
Ute Rodrian, drejtore Rajonale e Bankës gjermane KfWFotografi: Ani Ruci / DW

Bogova burim uji për Beratin dhe Kuçovën

Partnerja më e rëndësishme e bankës gjermane KfW në realizimin e këtij projekti është kompania rajonale e ujësjellësit Berat-Kuçovë. Drejtori i saj, Fatmir Shehu, thotë se do të kryhen punime me nivel dhe material bashkëkohor. “Punëtorët e saj do të shtyrojnë 12,5 km linjë transmetimi të ujit me tuba gize, me diametër 300 mm, që uji të shkojë nga burimi i Bogovës, në rrëzë të malit Tomorr, në Berat, dhe që atje në Kuçovë. Bogova është një burim i mrekullueshëm natyror me ujë të ftohtë dhe të pastër që me përfundimin e projektit do të furnizojë me ujë të dyja qytetet” thotë Fatmir Shehu.

Berat
BeratFotografi: DW / Aida Cama

Projekti i ristrukturimit të linjës së ujësjellësit Berat- Kuçovë pritet të përfundojë pas një viti.

Përmirësim i jetës së përditshme - zhvillim i qëndrueshëm ekonomik

Projekti është pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar mes qeverisë gjermane dhe asaj shqiptare, ku qeveria gjermane ka dhënë, përmes bankës KfW një fond prej 174 milionë eurosh vetëm në sektorin e furnizimit me ujë. Nga projektet gjermane në këtë sektor banorët e Krujës, Kavajës, Korçës dhe Pogradecit tani kanë rrjet modern ujësjellësash dhe furnizim 24 orë me ujë.

Pamje simbolike e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Gjermani
Pamje simbolike e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-GjermaniFotografi: AP/dpa/DW

Për Ute Rodrian qëllimi i investimeve në sektorin e ujit drejtohet nga një filozofi sociale që përmbledh edhe synime të tjera afatgjata, me objektiv kryesor përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të ruajtjes së shëndetit. Rodrian: "Në të njëjtën kohë me këtë projekt ne mbrojmë mjedisin, ndihmojmë që Shqipëri të arrijë standarde ndërkombëtare dhe që kompanitë e ujësjellësve të kenë zhvillim të qëndrueshëm. Pra fokusi ynë kryesor është që njerëzit të përfitojnë nga këto projekte, por njëkohësisht të ndihmojmë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë. Kjo është shumë e rëndësishme.”

Në sajë të këtij objektivi qeveria gjermane ka mbështetur financiarisht në Shqipëri projekte jo vetëm në sektorin e furnizimit me ujë të popullsisë por edhe në atë me energji elektrike ku ka financuar deri tani projekte me një vlerë prej rreth 240 milion euro. Kjo pasi sektori i energjisë nuk është i rëndësishëm vetëm për jetën e përditshme të njerëzve por edhe për rritjen ekonomike të vendit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së tij.

Qeveria gjermane jep fonde shtesë për Shqipërinë

Arritja e këtij synimi madhor ka sjellë edhe zotimin e qeverisë gjermane për fonde shtesë. Pritet që Gjermania t'i akordojë qeverisë shqiptare fonde shtesë lidhur me projektet e ardhshme. Njëri nga ato në sektorin e ujit është ai i infrastrukturës bashkiake ku përfshihet Fieri, Gjirokastra, Lezha dhe Saranda. Ute Rodrian shpreson që KfW të nënshkruajë shumë shpejt marrveshjen e huasë me qeverinë e Shqipërisë, në mënyrë që projekti të fillojë shumë shpejt nga puna, ashtu siç pritet. KfW mendon që të finnacojë atë që njihet si “master plani për ujin”, që ndihmon qeverinë të identifikojë dhe të japë prioritet nevojave të investimeve në këtë sektor, dhe mbi këtë bazë të hartojë programe që mund të finnacohen jo vetëm nga KfW por edhe nga donatorë të tjerë, thotë Rodrian.

Logoja e KfW, bankës që krahas Shqipërisë, mbështet projekte zhvillimi në shumë vende të botës
Logoja e KfW, bankës që krahas Shqipërisë, mbështet projekte zhvillimi në shumë vende të botësFotografi: picture-alliance/ ZB

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi