1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130910 Albuquerque Menschenrechtsrat lang

17 Shtator 2010

Uji i pastër dhe pajisjet hidrosanitare bëjnë pjesë tek të drejtat njerëzore. Por për miliarda njerëz kjo e drejtë mbetet ende një ëndërr. Për këtë arsye Kombet e Bashkuara kanë ngarkuar një eksperte të pavarur.

https://p.dw.com/p/PEwx
Pompë uji në fshatin Dunduwa,Sierra Leone, Afrikë
Pompë uji në fshatin Dunduwa, Sierra Leone, AfrikëFotografi: DW

"Ne duhet të sigurojmë që të gjithë njerëzit në botë të kenë mundësinë e ujti të pijshëm. Ata duhet të kenë ujë të pastër për të pirë dhe sasi të tjera uji për nevojat kryesore higjienike. Gjithashtu duhet të garantojmë që të gjithë njerëzit në botë të kenë mundësinë e WC-ve. Jo vetëm në shtëpi, por edhe në punë, në shkollë. Në përditshmërinë e tyre njerëzit duhet të kenë akses tek uji, por edhe tek pajisjet hidrosanitare."

Kështu shprehet Catarina de Albuquerque, ekspertja e OKB-së për të drejtën njerëzore të ujit. Ajo nuk lodhet së kujtuari përgjegjësit në vende të ndryshme, që ata janë të detyruar me të drejtë ndërkombëtare t'u garantojnë qytetarëve të tyre ujë të pastër.

Uji i papastër shkakton sëmundje kur pihet

884 milionë njerëz në botë nuk kanë ujë të pijshëm të pastër. Tre herë më shumë nuk kanë mundësinë e tualeteve dhe pajisjeve të thjeshta sanitare, thuhet në një statistikë të programit të OKB-së për mjedisin.

Një gjë e tillë ka pasoja dramatike theksoi para pak kohësh ambasadori i Bolivisë në OKB, Pablo Solon:

"Mungesa e ujit të pijshëm dhe pajisjeve të tjera sanitare janë burim sëmundjesh, që shkaktojnë më shumë vdekje se luftërat. Diareja është shkaktari numër dy i vdekjes së fëmijëve nën pesë vjeç. Mungesa e ujit të pastër bën që të vdesin më shumë fëmijë se sa nga Sida, malarja, dhe sëmundja e fruthit."

Edhe në rastet kur nuk vdesin, sëmundjet e shkaktuara nga uji i papastër kanë efekte afatgjata. Kush nuk ka mundësinë e ujit të pastër, e kalon jetën më së shumti në varfëri. Shanset për zhvillim ulen, thotë Catarina de Albuquerque.

"Kush është i sëmurë nuk ka mundësi të shkojë në shkollë apo në punë."

Ekspertja e OKB-së angazhohet në vizitat e saj në vende të ndryshme për ngritjen e impiantëve të pastrimit të ujit. Ajo lëvdon një iniciativë të re në Baglandesh. Megjithë problemet dhe varfërinë e madhe, atje është shpikur një pajisje sanitare për 5 dollarë.

"Kanë ngritur tualete të vërtetë. Deri para disa vitesh 33% e popullsisë nuk i kanë patur, tani vetëm 7% nuk kanë tualete. Ky është një përparim i madh, dhe kjo u bë pasi shteti e vuri këtë si prioritet. Kryeministrja e Bangladeshit më priti dhe foli me buzëqeshje për përmirësimet në drejtimin hidrosanitar."

Prioritet ngritja e pajisjeve hidrosanitare

Ujë i pijshëm në Ghora Chara, Bangladesh
Ujë i pijshëm në Ghora Chara, BangladeshFotografi: EU pressefoto

E rëndësishme është që qeveritë të kenë një vizion dhe ta kategorizojnë ujin dhe ngritjen e pajisjeve hidrosanitare si prioritare, thotë Catarina de Albuquerque. Madje edhe në rajonet me thatësirë nuk është aq i vështirë realizimi i së drejtës njerëzore për ujë të pastër. Për shembull në Egjipt.

"Aty nuk ka ujë, është një shkretëtirë e madhe. Megjithatë ata kanë ujë të mjaftueshëm për të gjithë. Kjo nuk do të thotë që të gjithë kanë ujë të pastër, por ujë ka për të gjithë. Sasia e ujit në dispozicion përdoret 70% për bujqësinë, 20% për industrinë dhe 10% për përdorim personal. Nga ky 10% mjaftojnë vetëm 3% me qëllim që t'i garantohet gjithsecilit mundësia për të pasur ujë. Pjesa tjetër mund të përdoret për ujë pishinash për shembull."

Koncernet u orientuan nga fitimi dhe nuk sollën ujë

Pra në thelb kjo është një çështje vullneti politik dhe prioriteti të qartë, mendon Catarina de Albuquerque. Në raportin e saj të paraqitur para Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut, Catarina de Albuquerque ka folur edhe për rolin e sektorit privat në këtë fushë. Në Amerikën Latine ka pasur vitet e fundit konflikte të ashpra për ujin. Furnizimin me ujë e morën përsipër koncerne të mëdha, që u orientuan nga fitimi. Kjo është arsyeja që shumë njerëz në këtë rajon nuk kanë mundësi të kenë ujë të pastër. Disa organizata jofitimpruruëse duan të përcaktojnë zyrtarisht se privatizimi i ujit dhe përkujdesi sanitar është shkelje e të drejtave njerëzore. Raportuesja e OKB-së, Catarina de Albuquerque mendon ndryshe:

"Ajo që sqaroj në rapotin tim është se të drejtat njerëzore janë neutrale. Për të drejtat njerëzore nuk ka rëndësi nëse është shteti apo privati ai që sjell ujin. E rëndësishme është të mos diskriminohet njeri, e rëndësishme është që uji të jetë më cilësi, e rëndësishme është që uji për të gjithë shtetasit e një vendi të jetë i mundshëm për t'u paguar,"

Megjithatë një detyrë i është lënë shtetit: ai ka nënshkruar marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Prandaj është shteti ai që duhet të sigurojë që këto të drejta respektohen, edhe nga firmat private.

Autor: Catarina de Albuquerque /Lindita Arapi

Redaktoi: Auron Dodi