1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Udhëzuesi për emigrantët në Greqi

22 Prill 2011

Cila është “harta” e imigracionit sot në Greqi? Një “hartografim” i parë, bëhet përmes botimit të udhëzuesit për Imigrantët, i sponsorizuar nga BE dhe qeveria greke.

https://p.dw.com/p/112N7
UdhëzuesiFotografi: DW

Nuk ka aspekt të jetës ku të mos jetë bërë diçka për imigrantët gjithë këto vite në Greqi, megjithë “defiçitet“ e pranuara nga të gjithë. Me përjashtim të një «hartografimi» të plotë të shoqatave të tyre, mungesa e të cilit i bënte shpesh akoma edhe përfaqësuesit apo aktivistët e tyre të ngrinin supet për mjaft gjëra para autoriteteve lokale dhe qendrore. Kjo deri para pak kohësh, konkretisht deri në muajin dhjetor kur Fakulteti i Gjeografisë së Universitetit Harokopio të Athinës hodhi në qarkullim "Udhëzuesin e Emigrantëve".

Fryt i punës 6-mujore të një grupi shkencor në bashkëpunim me organizata dhe shoqata të imigrantëve dhe i sponsorizuar në masën 75% nga Fondi Evropian i Integrimit të Nënshtetasve të Vendeve të Treta dhe 25% nga fonde kombëtare, Udhëzuesi prej 340 faqesh me 375 subjekte, Organizata Joqeveritare dhe shoqata, përbën edhe tablonë e parë të plotë në peisazhin e deritanishëm të turbullt dhe të panaviguar të emigracionit në Greqi.

«Pavarësisht se në të kaluarën ishin bërë përpjekje, asnjë nuk ishte aq e kompletuar dhe aq analitike, që të përfshijë një numër kaq të madh shoqatash dhe OJQ“, i thotë DW përgjegjësi shkencor i programit, profesori asistent i Universitetit Apostollos Papadhopullos, i cili e shpjegon interesimin që ngjall Udhëzuesi me «boshllëkun» që vjen për të mbuluar në fushën e imigracionit.

Ratgeber für Immigranten
Apostolos PapadopoulosFotografi: DW

Udhëzuesi mbetet i hapur...

Për profesorin grek numri i faqeve të Udhëzuesit «mbetet i hapur», për t'u plotësuar me emrat e shoqatave të tjera që do t'i shtohen mozaikut aktual. Siç është p.sh. ajo e shoqatës në formim e sipër të imigrantëve të ishullit të Lesbosit pas aksionit të tyre vullnetar në ndihmë të bashkisë që i bëri të njohur në gjithë Greqinë.

«Ne bëmë një përpjekje të sinqertë dhe i regjistruam të tërë, por Udhëzuesi do të mbetet i hapur për aktualizim të vazhdueshëm», thekson Papadhopullos. «Vlefshmëria e tij është e vetëkuptueshme. Dimë kush është kush», shton ai dhe e cilëson botimin një «instrument të vlefshëm» në duart e shtetit grek, studiuesve por edhe vetë imigrantëve në punën e tyre për imigracionin.

Shoqata "Nënë Tereza" në Selanik

Duke bërë një verifikim mbi të dhënat e faqes 246, ku figuron shoqata “Nënë Tereza” e imigrantëve të Selanikut, në anën tjetër të telefonit përgjigjet kryetarja e saj Valbona Hystuna: Jeni shoqata e Imigrantëve shqiptarë Nënë Tereza në Selanik? “Po”. Viti i krijimit është 2004-a? “Po, po”. Aktiviteti juaj ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të imigrantëve, luftën kundër racizmit, ndryshimin e politikës ndaj imigracionit etj.? “Pikërisht...” E dini që këto të dhëna janë përfshirë në një Udhëzues?. «Po po, të Universitetit Harokopio. Për mua është modeli i parë, mjeti i parë mjaft i vlefshëm për gjithë imigrantët. Puna është e shkëlqyer. Unë e kam përdorur shpesh herë për të gjetur kontakte, për të gjetur shoqata të tjera imigrantësh», thotë Valbona Hystuna për shoqatën në fjalë, nga më aktivët dhe me veçori, siç shënohet, «ofrimin e mësimit falas të shqipes për fëmijët e emigrantëve».

Shoqatat tjera shqitpare

Albanien Albanische Immigranten freiwillige Arbeiter am Strand von Lesbos Griechenland säubern den Strand
Imigrantët shqiptarëFotografi: Press Office Lesvos

Në faqet e tjera, nga faqja 67 deri në faqen 285, figurojnë rreth 32 shoqata të imigrantëve shqiptarë. Që nga Kreta e largët me emërtimin «Skëndërbeu», deri tek «Shqiponja» e Aspropirgut afër Athinës, apo «Iliria» e Magnezisë dhe «Arbëria» e Larisës në Greqinë kontinentale. Emërtime me një simbolikë të veçantë që përcjellin kështu edhe identitetin e shoqatave.

A mundet dikush që përmes të dhënave të Udhëzuesit të skicojë në një farë mënyre dhe vetë «profilin e imigracionit»? «Sigurisht që mund ta bëjë. Me intervistat tet a tet apo me telefon, mbi bazën e një pyetësori, përfituam të dhëna për opinionet e tyre, për imigracionin, aktivitetet, rrjetet e tyre», thotë Papadhopullos. Ai i cilëson këto të dhëna një «kapital të rëndësishëm informacioni»”, veçanërisht për komunitetin shqiptar që «është edhe më i madhi»”. Por numri i shoqatave, sipas tij, gjithsesi nuk është analog i numrit të madh të imigrantëve shqiptarë që, siç theksohet, në hyrje përbën komunitetin më të madh me 60%, të pasuar nga bullgarët me 8%.

Udhëzuesi pra është shumë më tepër se përgjigjet e një pyetësori, ose siç theksohet nga përpiluesit e tij «nuk është një procedurë teknike». Ndaj dhe hapet me një hyrje të zgjeruar me informacion për konributin e imigrantëve por edhe komente dhe vërejtje për politikën komunitare dhe greke për imigracionin.

«Mund të kishin një rol më të rëndësishëm, pra shteti mund t'i kishte më shpesh në tavolinë për problemet apo edhe konfliktet, që nuk janë të shumta, por ekzistojnë», thotë Papadhopullos, që e ka imigracionin temë të preferuar të punës së tij studimore.

Integrimi...

E lidhur me këtë rol është edhe vërejtja për «integrim në planin personal» dhe njëkohësisht për «margjinalizim ligjor edhe institucional në planin kolektiv». «Pikërisht ashtu është, ekziston një integrim imigrantësh si persona apo familje, në qoftë se janë dinamike, në qoftë se janë njerëz me strategji - e them në kuptimin e mirë fjalën strategji se imigrantët shqiptarë duan të integrohen në shoqërinë greke - por ekziston një defiçit në integrimin institucional për të cilin shoqatat mund të luajnë një rol të madh». Por çfarë mendimi ka për opinionin se imigrantët shqiptarë kanë shkallën më të lartë të integrimit spontan? “Jam plotësisht dakord me këtë opinion. Kam bërë studime në zonat rurale të vendit dhe po iu them se kjo ndodh në të gjithë vendin, ku janë të pranishëm imigrantët shqiptarë, dhe jo vetëm në zonat e mëdha urbane», përgjigjet ai.

Udhëzuesi, sado i plotë, sigurisht që nuk thotë gjithë të vërtetën. Ashtu si edhe shifrat. Në këtë kuptim, ai duhet parë thjesht si një busull. Për ata që duan ta përftojnë aktualisht mund ta gjejnë vetëm në Internet, në adresat.

Autor: Niko Anagnosti/Athinë

Redaktoi: Bahri Cani