1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220611 Unabhängigkeitserklärung Kroatien Slowenien

25 Qershor 2011

Vendimi për shpalljen e pavarësisë nga Kroacia dhe Sllovenia më 25 qershor 1991 nuk erdhi papritur. Muaj më parë patën dështuar të gjitha përpjekjet për ta reformuar Jugosllavinë e atëhershme në një vend demokratik.

https://p.dw.com/p/11jMh
Tanke në Zagreb. Një kroat hedh një gur, pak para se trupat e ushtrisë të hapin zjarr kundër civilëve në Zagreb, 2. Korrik 1991Fotografi: AP

Ishte një hap i paralajmëruar: katër javë para shpalljes zyrtare të pavarësisë së Kroacisë dhe Sllovenisë më 25 qershor 1991, kroatët votuan me një shumicë prej 94 përqind për shkëputjen nga ish-Federata Jugosllave. Edhe sllovenët vendosën qartë për të ndjekur rrugën e tyre. Këtë dëshirë ata e shprehën në një referendum në dhjetor 1990. Në përputhje me këtë, atmosfera në të dyja vendet ishte euforike.

Pasoja të pamenduara

Që lufta do të niste vërtet pikërisht në këtë kohë, këtë shumë vetë si në Kroaci, aq më pak edhe në Bosnjë-Hercegovinë nuk e menduan. As politologu dhe gazetari zagrebas Srgjan Dvornik: "Në atë moment unë mendova që shpallja e pavarësisë është vetëm një element i lojës taktike të presidentit të Jugosllavisë së atëhershme. Në atë kohë, unë nuk e kisha fare të qartë se çfarë pasojash të rënda do të sillte kjo periudhë me vete."

Kroatische Soldaten 1991
Ushtarët kroatë kërkojnë mbrojtje pas një tanku, 11. Korrik 1991. Megjithë armëpushimin tremujor, trupat serbe e kroate vazhdojnë luftimetFotografi: picture-alliance/Bildarchiv

Njerëzit nuk i shikonin ato që nuk donin t'i shikonin- ky ishte qëndrimi psikologjikisht i kuptueshëm, por politikisht me pasoja i shumë njerëzve në ish-Jugosllavi. Kjo në një kohë kur kishte kohë që shpërbërja e vendit qe përvijuar, siç mendon Marie-Janine Calic, profesoreshë e universitetit të Mynihut: "Jugosllavia në këtë kohë qe shpërbërë. Nuk ekzistonin më institucione funksionuese dhe në këtë mënyrë ishte logjike që republikat ta shpallnin veten të pavarur."

Këmbana e fundit kishte kohë që binte...

Sot dihet: Vdekja e presidentit Josip Broz Tito në vitin 1980 tregoi fillimin e fundit të Jugosllavisë. Pa fuqinë e tij integruese, forcat nacionaliste të shtypura deri atëherë në Jugosllavi u forcuan, gjashtë republikat e shtetit federativ u larguan edhe më tepër nga njëra-tjetra. Në qershor 1991 shkëputja u bë e qartë - përmes shpalljeve të pavarësisë, Kroacia dhe Sllovenia donin t'i shpëtonin përfundimisht pretendimeve serbomëdha të presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Miloshevic.

Ngjashëm u pa e gjitha në botën e jashtme, shpjegon ministri i atëhershëm i Jashtëm i Gjermanisë dhe mbështetësi i madh i përpjekjeve kroate dhe sllovene për pavarësi, Hans Dietrich Genscher: "U bë e qartë gjithnjë e më shumë se Milosheviçi po ngrinte një pretendim për pushtet. Ne pamë shenja të qarta të përpjekjeve serbomëdha. Kjo na e bëri të qartë që përpjekjet për pavarësi në Kroaci dhe Slloveni kishin arsyet e tyre."

Jugoslawien Kroatien Geschichte Deutsche Presseschau 21. Mai 1991
Shtypi gjerman për ngjarjet në rajon pak para shpalljes së pavarësisë 21. Mai 1991Fotografi: DW

Veproi Gjermania kokë më vete?

Gensheri u përpoq që t'i bindte anëtarët e tjerë të Komunitetit Evropian të atëhershëm që t'i njihnin shpejt deklarimet e pavarësisë të të dyja vendeve. Për shkak të këtyre përpjekjeve, edhe sot Gjermaninë e akuzojnë për një inkursion vetjak. Për Genscherin kjo tezë megjithatë mbetet një absurditet i pastër: "Më 17 dhjetor ne patëm një mbledhje në Komunitetin Evropian. Atje u vendos, që duke filluar nga 15 janari 1992, Kroacia dhe Sllovenia të njihen si shtete të pavarura. Vendimin për njohjen ne e morëm më 23 dhjetor, por ai hyri në fuqi vetëm më 15 janar. Në këtë kohë, edhe të gjitha shtetet e tjera anëtare të Komunitetit Evropian i njohën të dyja shtetet. Gjermania tha që në krye që ne nuk do të ndërmarrim iniciativa vetjake. Dhe vendimi ishte, siç e thashë, njëzëri."

EU Kroatien EU-Gipfel hat den Weg für einen Kroatien Beitritt 2013 frei gemacht
Kroacisë i është hapur rruga për në BEFotografi: dapd

Mund të pengohej lufta?

Edhe sot vazhdojnë debatet për faktin nëse mund të qe penguar lufta me njohjen e menjëhershme të të dyja shteteve. Në një kohë që Dvorniku është i bindur për këtë, Marie Janine Calic beson se koha e njohjes në fund të fundit nuk luante asnjë rol: "Mendoj se një njohje më e hershme nuk do të kishte ndryshuar asgjë përsa i përket situatës bazë. Të pranishme ishin diferenca të pakapërcyeshme, disa donin të bëheshin të pavarur, të tjerë shihnin të rrezikuara me këtë interesat e tyre vitale. Pra koha e njohjes nuk luante ndonjë rol."

Njëzet vjet kanë kaluar nga dy deklaratat e pavarësisë. Sllovenia është bërë tashmë anëtare e BE, Kroacia do të anëtarësohet për dy vjet. Gjurmët e luftërave duket se ngadalë po zbehen. Ndërkohë në dyert e BE po trokasin edhe vendet e tjera të ish-Jugosllavisë: Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi. Shpejt ato pra mund të jenë sërish së bashku në BE.

Autor: Zoran Arbutina/Rayna Breuer/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Mimoza Kelmendi