1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të rinjtë migrantë tregojnë historinë e tyre

Susanne von Schenck / Esat Ahmeti25 Shtator 2012

Emigrantë të rinj të lindur apo të ardhur në Gjermani gjithnjë e më shumë flasin dhe tregojnë për përjashtimin dhe integrimin. Por ata i shohin përvojat e tyre edhe si mundësi për veten dhe shoqërinë.

https://p.dw.com/p/16DvW
Alice Bota, Khuê Pham, Özlem Topçu - kopertina e librit "Ne gjermanët e rinj"

"Ku përkas unë?", pyesin emigrantët e rinj në Gjermani. Disa tani kanë shkruar libra në të cilët tregojnë historitë e tyre. Ata zakonisht përshkruajnë një ndjenjë jetese pa e ditur qartë se ku përkasin. "Ti duhet të jesh më i mirë se gjermanët", kanë kërkuar prindërit prej tyre. Tani fëmijët e rritur tregojnë se me çfarë paragjykimesh iu është dashur të luftojnë në Gjermani dhe se si ata megjithatë kanë arritur të gjejnë një vend këtu.

Nga azilkërkues në emigrant model

"Jeta jonë nuk është përrallë" - thotë Mojtaba Sadinam
"Jeta jonë nuk është përrallë" - thotë Mojtaba SadinamFotografi: picture-alliance/dpa

Për shembull Mojtaba, Masoudi dhe Milad Sadinami. Në vitin 1996, ata ikën me nënën e tyre, kundërshtare të regjimit, nga Irani në Gjermani. Edhe pse me notat më të mira në gjimnaz ata me shumë vështirësi arritën të kapërcëjnë të gjitha pengesat dhe fituan bursa për universitete elitare. Pastaj tre djemtë papritmas ndoheshin si emigrantë model në qendër të politikës dhe medias.

Se mund t'ia dalësh mbanë vetëm nëse dëshiron - të tre iranianët deshën të largojnë këtë paragjykim dhe shkruan së bashku përvojat e tyre. "I padëshiruar - Tre vëllezër nga Irani tregojnë historinë e tyre gjermane", quhet libri i tyre. "Jeta jonë nuk është përrallë", thotë 28-vjeçari Mojtaba Sadinam. "Përkundrazi, ne përshkruajmë se sa vështirë na e kanë bërë që ne të integrohemi këtu." Dhe vëllai i tij binjak Masoud pyet: "Si mund të na integrojnë, kur na dërgojnë në qendra paraburgimi në periferi nga të cilat nuk guxon të largohesh? Si mund të bëhesh i pavarur financiarisht nëqoftëse nuk guxon të punosh?"

Kopertina e librit "I padëshiruar - Tre vëllezër nga Irani tregojnë historinë e tyre gjermane"
Kopertina e librit "I padëshiruar - Tre vëllezër nga Irani tregojnë historinë e tyre gjermane"

Jetë në pritje

Për vite me radhë, të rinjët e familjes Sadinam, sipas fjalëve të tyre janë përballur me arbitraritetin e autoriteteve. Askush nuk duket të jetë përgjegjës, vëllezërit flasin në librin e tyre "për një papërgjegjshmëri të organizuar". Kur organet gjermane kërcënuan me dëbim në Iran, nëna e dëshpëruar u përgjigj me një tentative vetëvrasjeje. Sadinam mbeten në Gjermani falë një ndryshimi në ligjin e migracionit. Ndërkohë Milad punon si programues ndërsa vëllezërit e tij studiojnë në Frankfurt mbi Majn. Që nga fillimi i vitit 2012 ata kanë nga një pasaportë gjermane

Tre karriera futbolli: Vëllezërit Boateng

Kevin Prince Boateng dhe Jerome Boateng
Kevin Prince Boateng dhe Jerome BoatengFotografi: picture alliance/dpa

Gati 16 milionë njerëz në Gjermani kanë një të ashtuquajtur sfond migrantësh, që do të thotë ata vetë apo të paktën njëri prej prindërve ka emigruar në Gjermani. Këtu bëjnë pjesë edhe tre vëllezërit George, Kevin dhe Jerome Boateng. Për ata ka shkruajtur gazetari i sportit Michael Horeni. "Vëllezërit Boateng - Tre karriera gjermane" është një libër që depërton thellë në debatin e integrimit gjerman. Të tre vëllezërit nga Berlini kanë dy nëna të ndryshme, babain e njëjtë nga Gana dhe mësuan së bashku të luajnë futboll në rrethin problematik të Berlinit, Wedding. Sot George merret me rritjen e qenëve, Kevin është futbollist i shquar tek AC Milan dhe ka luajtur në vitin 2010 në Kampionatin Botëror për kombëtaren e Ganës. Jerome ka veshur fanellën e Bayern-it të Mynihut dhe luan edhe në ekipin kombëtar gjerman. Edhe këta tre vëllezër mund të tregojnë histori: për integrimin dhe përjashtimin në Gjermani, kur janë trajtuar si gjermanë të mirë e pastaj sërish si emigrantë të këqinj.

Gjermanët e rinj?

Özlem Topcu, Alice Bota dhe Khue Pham, autore të librit "Ne gjermanët e rinj"
Özlem Topcu, Alice Bota dhe Khue Pham, autore të librit "Ne gjermanët e rinj"Fotografi: Jens Boldt

Edhe Özlem Topcu, Alice Bota dhe Khue Pham vijnë nga familjet emigrante nga Turqia, Polonia dhe Vietnami. Sot, ato punojnë si redaktore në gazetën javore prestigjioze "Die Zeit". Ato kanë shkruar po ashtu një libër. "Ne gjermanët e rinj. Kush jemi, çfarë duam." Në fakt, ato thonë se jetohet shumë mirë në këtë vend të cilin ata nuk e dinë si ta quajnë: Atdhe? Shtëpi? Vend të huaj? Özlem Topcu, Alice Bota Khue dhe Pham janë të etura t'i përkasin dhe ëndërrojnë për një Gjermani ku nuk do të përdorej fjala sfond migrantësh, por të gjithë do të quheshin gjermanë. "Ne jemi pjesë e kësaj tërësie edhe pse jemi të ndryshëm", thotë Alice Bota, e cila në moshën nëntëvjeçare erdhi me prindërit e saj nga Polonia në Gjermani.