1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debat për vizitën e Trumpit në El Paso dhe Dayton

8 Gusht 2019

Pak ditë pas dhunës së përgjakshme në Dayton dhe El Paso, presidenti amerikan, Donald Trump vizitoi qytetet amerikane në zi. Ai kërkon të ngushëllojë, por siç ishte parashikuar, vizita e Trumpit shkaktoi debat.

https://p.dw.com/p/3NXUb
USA Schießerei in Dayton, Ohio | Demo
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/J. Minchillo

Pas sulmeve vdekjeprurëse me armë në El Paso dhe Dayton në SHBA është rritur presioni ndaj presidentit, Donald Trump për të hapur rrugën e ashpërsimit të ligjeve për armëmbajtjen në SHBA. Në kohën që Trump vizitonte qytetet e goditura nga dhuna, politikanë të ndryshëm kërkuan kontrolle të gjerësishme për blerësit e armëve dhe ndalimin e automatikëve. Trump u tregua i hapur për verifikime të tilla, por e la të hapur, se në çfarë mase duhet të bëhen kontrollet. Kurse thirrjet për ndalimin e automatikëve ai i kundërshtoi, për shkak të mosarritjes së mazhorancës për një vendim të tillë.

Donald Trump in El PesoMelania Trump
Trump në El PasoFotografi: picture-alliance/AP Images/AP Photo/E. Vucci

Dy qytete - dy akte të përgjakshme

Në El Paso, në kufirin me Meksikën një person qëlloi me armë të shtunën në një qendër tregtare, duke vrarë 22 vetë, mes tyre shumë meksikanë dhe një gjerman. Hetuesit dyshojnë në një atentat me sfond racist. Autori i vrasjeve, një 22 vjeçar i bardhë u dorëzua para policisë. Në Dayton, në natën e së dielës një tjetër person vrau nëntë persona, motivi i tij është ende i paqartë. Ky person u godit për vdekje nga policia.

Në Dayton, Trump së bashku me bashkëshorten, Melania vizitoi të plagosurit në një spital dhe u takua me të afërm të viktimave, me forcat e policisë dhe ato të shpëtimit. Trump nuk shkoi në vendin e ngjarjes. Nga Shtëpia e Bardhë u tha, se në radhë të parë duhet të qëndrojnë viktimat.

Biden kritikon Trump

Kryetarja e bashkisë së Daytonit, demokratja, Nan Whaley u shpreh, se ishte një vendim i mirë i Trumpit të mos vizitonte vendin e tragjedisë. Në komunitet ka shumë zemërim për këtë akt. Whaley tha, se të afërmit e viktimave dhe forcat e shpëtimit e kanë mirëpritur vizitën e Trumpit, por ajo theksoi se "mënyra e tij e të folurit është edhe shumë përçarëse. E për këtë nuk kemi nevojë."

USA Schießerei in Dayton, Ohio | Demo
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/J. Minchillo

Në El Paso, Trump dhe bashkëshortja vizituan po ashtu një spital dhe folën me dyer të mbyllura pa praninë e medias, si në Dayton, me të afërm dhe viktimat. Ashtu si në Dayton edhe në El Paso pati protesta për vizitën e Trumpit. Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden akuzoi Trumpin, se ai ndez ekstremizmin e djathtë të të bardhëve në vend me fjalorin e tij. Trumpit i mungon autoriteti moral për të drejtuar këtë vend, tha Biden gjatë një takimi në Iowa.

 

 

la/haz/ust/(dpa, afp)