1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të mësosh "softskills" duke luajtur

Sarah Wiertz / Eliana Xhani31 Korrik 2013

Të ashtuquajturat "softskills" shpesh nuk trajtohen sa duhet në shkolla. Në klube sportive përkundrazi ato kanë rëndësi të veçantë. Ata përcjellin tek të rinjtë më shumë se aftësitë në një lloj sporti.

https://p.dw.com/p/19HO8
Projekti "Körbe für Köln"
Projekti "Körbe für Köln"Fotografi: Gero Müller-Laschet

Të mësosh nuk do të thotë vetëm të zgjidhësh ushtrime matematike apo të shkruash tekste. Është e nevojshme të mësohet edhe si të sillesh me të tjerët, si të ulësh zemërimin apo si të zhvillosh personalitetin. Të ashtuquajturat "softskills" shpesh nuk trajtohen sa duhet në shkolla. Në klube sportive përkundrazi ato kanë rëndësi të veçantë. Ata përcjellin tek të rinjtë më shumë se aftësitë në një lloj sporti, siç tregon shembulli i projektit "Kosha për Kölnin" (Körbe für Köln).

Lagjia Mülheim në Köln është një zonë sociale problematike e qytetit. Pikërisht atje, në një shesh loje në rrugë, fëmijë dhe të rinj nga 12 deri 25 vjeç luajnë basketboll, ndërkohë që përreth ka trafik të dendur makinash. Dy herë në javë klubi ofron në lagje të ndryshme të qytetit lojë basketbolli për fëmijë dhe të rinj, me një drejtues ekipi të quajtur shkurt "teamer". Pa para, pa anëtarësi në klub, shpjegon drejtuesja e projektit Dr. Sascha Luetkens: "Socializimi në sport është në Gjermani një çështje e shtresës së mesme. Të rinjtë pa arsim apo fëmijët me sfond migracioni kanë kultura dhe kushte të tjera. Për ata ngurrimi për të të shkuar në një klub sportiv është shumë i lartë. Ata nuk guxojnë ose nuk përballojnë dot shpenzimet e lidhura me anëtarësinë."

Loja në rrugë - e çlirët dhe me respekt
Loja në rrugë - e çlirët dhe me respektFotografi: DW/ S.Wiertz

Në fokus të rinjtë dhe fëmijët me sfond mogracioni dhe probleme sociale

Në lojën e basketbollit në rrugë mund të marrë pjesë kush dëshëron, atmosfera është e çlirët dhe e rëndësishme është të zbavitesh. Pjesa më e madhe e fëmijëve dhe të rinjve vijnë nga hapësira banimi shumë të vogla dhe janë të gëzuar që mund të luajnë një herë pa kufizime. „Synimi është që t'u drejtoheni në radhë të parë të rinjve me arsim të dobët. Punonjësit socialë thotë shpesh se nuk arrijnë të depërtojnë deri tek këto grupe. Përmes sportit qasja është shpesh shumë e shpejtë dhe krijohet lehtë një marrëdhënie besimi reciprok. Fëmijët dhe të rinjtë flasin shpesh hapur me drejtuesit tanë të grupeve, qoftë për probleme pune apo për ato private“, - thotë Sascha Luetkens.

Në këtë shesh loje në rrugë teamer-i është Stefan Krogull, me epitetin "Jackson". Dikur ai ka luajtur vetë këtu në vitet e fëmijërisë dhe rinisë. Prej 11 vjetësh ai drejton trajnimin, punë për të cilën nuk merr më shumë se para xhepi. Ai u përcjell të rinjve atë që ka mësuar vetë këtu: "Më e rëndësishmja është që këtu të gjithë sillen me respekt me njëri-tjetrin, që nuk ka zënka dhe që të gjithë përdorin një ton të arsyeshëm. Këtu askush nuk duhet të ndihet i ofenduar apo i përjashtuar.”

Stefan Krogull, trajneri i projektit "Kosha për Kölnin"
Stefan Krogull, trajneri i projektit "Kosha për Kölnin"Fotografi: DW/ S.Wiertz

Atmosferë e çlirët dhe respekt për njëri-tjetrin

Të rinj pjesëmarrës në një nga aktivitetet e projektit "Körbe für Köln"
Të rinj pjesëmarrës në një nga aktivitetet e projektit "Körbe für Köln"Fotografi: DW/ S.Wiertz

Stërvitja nuk fillon si në klub me ushtrime për nxehje si p.sh. vrap. Këtu të gjithë grmbullohen ngadalë, flasin me njëri-tjetrin, secili bën disa hedhje topi për provë dhe pastaj fillon loja. Të rinjtë i formojnë vetëm skuadrat dhe kuptojnë kështu se në një grup bëjnë pjesë lojtarë të mirë dhe më pak të mirë, në mënyrë që loja të jetë e balancuar dhe zbavitëse. Veç kësaj luhet pa arbitër. Të rinjtë duhet të vendosin vetë se kush vendos për fouls. Ata duhet të mësojnë se rregullat në një bashkësi janë të nevojshme dhe duhet të pranohen.

Në rastet kur ka mendime të ndryshme, lojtarët kanë rënë dakord për një lloj të veçantë komunikimi, tregon 24-vjeçari Peter, babai i të cilit vjen nga Ghana: „Trash Talk, kështu quhet në basketboll. Do të thotë ta kritikosh dikë pa e ofenduar."

Pothuajse të gjithë fëmijët dhe të rinjtë kanë probleme në shkollë apo në mjedisin social, thotë Peter: "Unë jam transferuar nga Duisburgu në Köln dhe disa gjëra në jetë nuk arrita t'i bëja si duhet. Njerëz si Jackson më dhanë atëherë një shtysë dhe më thanë: këtë duhet ta bësh, ndryshe do t'i kesh punët keq më vonë." Në rastin konkret bëhet fjalë për përfundimin e shkollës. Kjo është e rëndësishme për të mos djegur që në fillim shanset në jetë, thotë Stefan Krogull dhe tregon me krenari për Durekun, një serb 15-vjeçar.

Peter, një nga të rinjtë pjesëmarrës në projektin "Körbe für Köln"
Peter, një nga të rinjtë pjesëmarrës në projektin "Körbe für Köln"Fotografi: DW/ S.Wiertz

"Ai kishte probleme në shkollë. Interesohej vetëm për sport. Por ky është avantazhi këtu në basketboll, këtu kemi edhe disa të rinj që janë mirë me mësime në shkollë apo që studiojnë. Kështu unë mund të them: shiko Kevinin apo Arturin, ata studiojnë dhe këtë mund ta arrish edhe ti", tregon teamer-i Stefan Krogull.

Ndërkohë këtë e kanë kuptuar edhe Dureku dhe Peteri. Të mos dorëzohesh, të vazhdosh të përpiqesh edhe kur punët nuk ecin mirë - janë këto disa nga aftësitë që fëmijët dhe të rinjtë mësojnë në sheshin e basketbollit në rrugë. Teamer-i është për ta shembull: stërvitja bëhet gjithmonë edhe kur ka erë, shi apo borë. Kështu të rinjtë mund të jenë të sigurt se dikush është gjithnjë aty për ta dhe mësojnë njëkohësisht, që rregullsia është diçka pozitive, që mund të të çojë drejt suksesit dhe vetëbesimit.