1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të gjitha vendet e Ballkanit drejt anëtarësimit në NATO

Aida Cama10 Korrik 2006

Jamie Shea, është shumë i njohur nga shqiptarët. Ai drejtoi fushatën propagandistike të Natos, gjatë bombardimeve kundër Serbisë. Sot ai punon në Zyrën e planifikimeve politike pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Nato-s

https://p.dw.com/p/AreW
Jamie Shea
Jamie SheaFotografi: DW


Deutsche Welle: Jamie Shea, Ministri i jashtëm shqiptar thotë se Shqipëria do të hyjë në NATO në vitin 2008. A mendoni dhe ju kështu?


Jamie Shea: E sigurt është që ne nuk do i shqyrtojmë ftesat për të hyrë në Nato që këtë vit. Por, dera për të hyrë në NATO është hapur. Ne kemi planifikuar zgjerimin e NATO-s për të ardhmen dhe aktualisht ne jemi duke organizuar takimin e nivelit të lartë më 2008. Shefi i NATO-s, Skefer ishte në Shqipëri. Dhe mesazhi është i qartë: Në Shqipëri janë arritur mjaft përparime, por ashtu si edhe në vende të tjera tërajonit ka edhe shumë detyra për të bërë. Procesi i zgjerimit është në lëvizje dhe ne jemi duke parë për ta bërë atë në vitin 2008. Mesazhi më i rëndësishëm është se pyetja që bëhet është e datës së hyrjes dhe jo a do të hyjë apo jo.


Deutsche Welle: Data nuk ka rëndësi?


Jamie Shea: Ne nuk duhet të fiksohemi tek data. Çështja është a është Shqipëria duke bërë progres, a do të jetë anëtarë e Natos në të ardhmen, dhe përgjigja për të gjitha këto pyetje është "Po". Por a do të ndodhë kjo në mars, prill apo qershor nuk ka shumë rëndësi për historinë. E sigurt është se brenda pak viteve do të jetë pjesë e Aleancës. Vende si Shqipëria kanë qënë në planet e anëtarësimit të NATO-s prej nëntë vitesh, që do të thotë se është zhvilluar një proces shumë i madh bashkëpunimi me zyrën e Natos. Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha. Ajo dërgoi trupa në Afganistan, ka trupa mjekësore me Maqedoninë dhe Kroacinë dhe tregon se kontribuon për të prodhuar sigurinë dhe jo vetëm e për ta konsumuar atë, situata politikë është më stabile se më parë, ndërrimi i qeverive në mënyrë demokratike me zgjedhje të lira, dhe të gjithë e përgëzojnë kontributin që dha Shqipëria në konfliktin e Kosovës. Ne kemi marrëdhënie të mira me Shqipërinë.

Deutsche Welle: Jamie Shea, ju jeni shumë i njohur ndër shqiptarët. Por me siguri kjo nuk mund të thuhet dhe për serbët?

Jamie Shea: Unë e di se nuk jam njeri shumë popullor në Beograd, dhe duhet ta pranoj se kjo ndodh për shkak të fushatës së bombardimeve të NATOS-, por në atë kohë unë mbrojta politikën e NATO- s dhe u përpoqa të isha i ndershëm e objektiv. Unë e tregova qartë se e gjitha nuk kishte të bënte me serbët si njerëz, por me qeverinë e Millosheviçit, përgjegjës për dhunën në Kosovë, i cili po ashtu si shumë liderë të tjerë të involvuar në Kosovë ose në Bosnjë u thirrën për t`u përgjigjur në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Ato çka kanë ndodhur unë nuk i shpika, ato janë të vërteta historike. Por unë mund ta imagjinoj se serbët e kanë të vështirë të kuptojnë këto dallime. Por, jam i sigurt se me kalimin e kohës njerëzit do fillojnë t`i shohin gjërat më objektivisht.

Deutsche Welle: Si duhet ta çojë NATO deri në fund punën e filluar në Ballkan?

Jamie Shea: Së pari, Kosova duhet të marri statusin. Së dyti, Serbia duhet të hyjë në rrugën e demokratizimit dhe të shohë drejt së ardhmës, jo të shkuarës. Së treti, ne duhet të kujdesemi për të sapoardhurit në bllok, një prej të cilëve ekziston që tani, Malin e Zi, dhe Kosovën me pavarësinë, edhe nëse ajo është e kushtëzuar. Ne duhet të përqëndrohemi tek Maqedonia, Shqipëria, Kroacia të cilat janë duke pritur për tu futur në NATO.

Deutsche Welle: Të gjitha vendet e Ballkanit kanë marrë rrugën drejt anëtarësimit në Nato?


Jamie Shea: Puna jonë është të zhvillojmë perspektivën që brenda pak viteve të gjitha vendet e Ballkanit të jenë pjesë e Natos. NATO është duke patur gjithnjë e më pak trupa në Ballkan në krahasim me 10 vjet më parë, Kosova është duke marrë statusin dhe numri i ushtarëve do të bjerë edhe më tepër. Kështu mendoj se jemi duke shkuar në drejtimin e duhur. Numri i ushtarëve është duke rënë, pra paqja është duke u forcuar.